Ervis Iljazaj/
Ministrat e Brendshëm në Shqipëri kanë patur historikisht një raport problematik me pushtetin, ndonjëherë edhe dramatik. Është pothuajse një “mallkim” për shumë arsye të mbash përsipër një nga postet më të rëndësishme të qeverisë.
Që nga koha e komunizmit e deri në vitet e pluralizmit politik, fati i ministrave të Brendshëm nuk ka qenë nga më të lumturit.
Përgjatë gjithë tranzicionit, janë vënë në furtunën e kritikave të opinionit publik, të opozitës, por ndonjëherë edhe të vetë forcës politike ku ata kanë aderuar. Ndoshta është natyra e pozicionit, apo figurat që përzgjidhen në këtë ministri, por, fakti është se, nuk ka patur asnjëherë qetësi për ministrat e Brendshëm të Shqipërisë.
Rastet e fundit, ai i Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt, janë dy raste që vërtetojnë këtë “përndjekje” të fatit politik të ministrave të Brendshëm.
Kryesisht në sistemin politik shqiptar, figura e ministrit të Brendshëm ka qenë një nga njerëzit më të besuar të Kryeministrit. Pikërisht për pozicionin dhe këtë raport, është vënë aty për t’i shërbyer atij, me të gjithë çka nënkupton fjala shërbim. Mirëpo, në momentit që kanë kuptuar që ky pozicion ka një pushtet të madh, janë ndodhur në dilemën midis shërbesës dhe tentativës për të rivalizuar me pushtet e Kryeministrit. Për këtë arsye, për faktin se pushteti është patologjik, raporti është kthyer nga një raport “shërbimi” në një raport rivaliteti.
E gjitha kjo histori, është kthyer në një histori tipike shqiptare, për arsye se, mendësia e politikës tonë e bazuar te forca, te kontrolli dhe te kulisat, ka krijuar gjithmonë idenë së në krye të asaj ministrie duhen karaktere të forta, me karakteristika të caktuara, të cilët janë në gjendje të menaxhojnë koniunktura të ndryshme në favor të pushtetit.
Është pikërisht ky lloj personaliteti që bën më pas, që të kthehet në bumerang për çdo pushtet.
Ndërkohë që ministri i Brendshëm në një vend normal, është aty për të siguruar shtetin e së drejtës, për të garantuar liritë themelore të njeriut, dhe jo për t’i shtypur ato në favor të pushtetit të radhës.
Duke qenë se Shqipëria nuk është një vend normal, ekuacioni është i ndryshëm. Në postin e ministrit të Brendshëm, zakonisht vendoset më “i forti”, ai që është i gatshëm të bëjë çdo gjë për arsye të pushtetit.
Prandaj, për sa kohë që do të vazhdojmë me këtë mendësi për një ministri të tillë, ministrat e Brendshëm do të jenë gjithmonë në qendër të furtunave politike dhe mediatike.
Në vendet me demokraci të konsoliduar, Francë, Itali, Gjermani, ministrat e Brendshëm, janë figura intelektuale nga më të spikaturat, kryesisht juristë, dhe aspak “të fortë”. Sepse në këto vende, ka një filozofi ndryshe për këtë post. Janë aty për mbajtur një nga raportet më delikate që ekziston në një shtet të së drejtës, atë të qytetarëve me shtetin, dhe gjithçka ai përmban.
Duke qenë se raporti midis lirisë dhe kufizimit të saj është një nga raportet më të rëndësishme dhe më delikate, lipset që në krye të institucionit që rregullon atë, të qëndrojë një person me aftësi të përshtatshme intelektuale, me përgjegjësi shtetërore dhe moral të lartë.
Si ka mundësi që asnjëherë Shqipëria nuk ka patur një figurë të tillë? Është koha që të rimendojmë me themel rolin që Ministria e Brendshme ka në funksion të garantimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe jo kundër tyre.
Leave a Reply