• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ÇAPAJEV GJOKUTAJ/ Meditime pushimesh
Home
Blog

ÇAPAJEV GJOKUTAJ/ Meditime pushimesh

August 7th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Çdo gjë mbaron, ikën shpejt. Gjërat e bukura ikin edhe më shpejt. Dhe kthehen në kujtime. Feksin herë pas here në trurin tonë, si për të na mbushur mendjen se çoç kemi jetuar.

Pasi ke mbaruar pushime për të qenë, kujtimet nuk feksin por ringjallen gjithë dritë, ngjyra e ngashënjim. Stërpikur me pak nostalgji, fare pak. Kjo shfaqet jo aq që të ngjallë dhimbje e trishtim për të djeshmen, sa për të sjellë mall e kënaqësi në të sotmen.

Dhe, hera-herës edhe meditime të lehta e fluturake, si gjithë gjërat e para në distancë.

1.

Për drekë qendrojmë në një nga lokalet e shumta të Llogorasë. Kamarjeri, si merr porosinë, na pyet: po për të pirë? Një kanë me ujë nga kroi, i them. Kroin qaje, ma kthen, shërbejmë ujë të industrializuar, në shishe.

Kur dal jashtë, atje ku ishte kroi vjet, shoh lëfytin që varet në ajër, si mënga bosh në xhaketën e doracit. Ndjesinë e sakatllëkut dhe të denatyrimit e shtojnë gurët posht tij. Të mbuluar me myshk e likene të stërthara, të ngjallin krupën e sëmundjeve të rënda të lëkurës.

Eshtë e drejtë legjitime e pronarit të vendosë ç’do të shërbejë në lokalin e vet, ujë kroi apo ujë të industrializuar. Por ambjenti dhe, bashkë me të edhe kroi janë pronë publike, nuk i takojnë as pronarit, as supervizorëve të shumtë, zverktrashur e barkderra, që paguhen nga taksat tona.

Një dell labi ngjallet e më thotë: Po ç’duhet kroi në një vend turistik! Rrofshin fabrikat, shishet plastike dhe grykësia. Kjo e fundit thuajse gjithnjë pret degën ku është ulur.

2.

Mes çadrave e shezlongëve kalojnë herë pas here shitës ambulantë. Secili të grish të blesh herë domate e bostan, herë thanë e manaferra, herë domino e letra. Sot u shfaq një mall i ri: Libra, kush do libra!

Një djalosh ka lidhur duart dhe mbart një tog me libra që mbështeten mbi bark e gjoks dhe i arrijnë deri tek mjekra. E ndjek me sy një copë herë. Ndërsa çapitet mes rërës, nuk dalloj ta ndalojë kush, qoftë edhe për të parë ç’lloj librash ka.

Në Ipad-in që kam me vete, duhet të kem dy fishin e librave që mbartëte me mundim djaloshi. Po të kem paré mund të shtoj shumë më tepër. Dhe t’i mbart ngado që vete pa më të voglin mundim.

Jo vetëm kaq, në çdo çast mund të shfletoj cilin të dua, të gjej lehtë nënvizime që kam bërë më parë, të zmadhoj apo zvogëloj gërmat, të ndërroj sfondin në varësi të dritës etj.etj.

Por mbi të gjitha tërë librat elektronikë nuk harxhojnë letër, kursejnë pyje të tërë. Nuk duan magazina e automjete për t’u transportuar. Madje as librari e librashitës.

Duke sjellë ndër mend gjithë këto përparësi dhe lehtësi, pyes veten në se libri i shtypur në letër do ketë fatin e parardhësve: librit në pergamenë, apo atij më të moçmit, ‘librit’ në pllaka balte.

Pastaj kujtoj që në Ipad nuk kam asnjë titull shqip. Nuk di të them pse nuk po krijohet tregu i librit elektronik në shqip. Ka aty – këtu ndonjë inicjativë që ngjall shpresë, por mbetet e mekët dhe me këtë përzierjetë kujton atë këngën kolonjare: manushaqe e prillit, nëmes të dëborës.

Do të ishte lehtësi e madhe për të shitur kudo, pa u ankuar për rrjetin e librarive. Për më tepër se jemi popull emigrantësh dhe libri elektronik mund të të vijë takfak kudo qofsh, në Greqi a Argjentinë, në Amerikë a Australi.

Arsyet për mungesën e librit elektronik në shqip mund të jenë të shumta dhe të logjikshme. Gjithsesi një gjë ngjan e sigurt: pa librin elektronik botimet shqiptare do çapiten me mundim si ky djaloshi që porsa kaloi.

3.

Në çadrën përbri – një çift fare i ri në moshë. Mënyra si i afrohen njeri-tjetrit, si përqafohen e puthen, më ngjan se ka diçka prej shpendësh.

Nuk di të them nga më vjen kjo përqasje me shpendët. Mbase se në marrëdhenien e çiftit ka diçka nga harmonia e linjave dhe delikatesa e puplave.

Mbase se jemi mësuar ta bashkëshoqërojmë dashurinë me fluturimin dhe qiellin.

Por mbase nga që shpendët janë ndër familjarët më të mirë. Në çift, bashkë e bëjnë folenë, bashkë i ngrohin vezët, bashkë i ushqejnë të vegjëlit.

S’është e rastit që folenë a çerdhen e tyre e kemi marrë si model për të ndërtuar metaforat ‘çerdhe familjare’, ‘çerdhe fëmijësh’ etj.

Tej në perëndim dielli i afrohet detit dhe ngjan sikur thotë: Uh, u lodha! Po zhytem dhe unë një copë herë.

Kufiri ditë-natë po përflak qiell e det dhe si të gjithë kufijtë mëkon qetësi, mall e dhimbje. Por vetëm për pak kohë.

Do vijë gjumi dhe ëndërrat do shkrijnë çdo kufi. Për të na bërë bashkë të gjallë e të vdekur, në situata reale dhe irea

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTUR ZHEJI/ Baza e Nato-s në Kuçovë. A do të ketë lidhje me politikën e brendshme në Shqipëri?
Previous article YLLI MANJANI/ Ligji i pushtetit mbi ligjin e shtetit

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k