Nga Çapajev Gjokutaj
Një palë thoshte jo. Bredhi lidhet me Krishtlindjet, është simbol i të krishterëve. Tri brinjët e tij shenojnë trininë e shenjtë, kurse maja – dëshirën e besimtarit për qiellin e amëshuar.
Por hapsira publike, shtonte kjo palë, është e të gjithëve. Edhe e myslimanëve, edhe e ateistëve etj. Për të mos thënë që bredhin e paguan bashkia, nga taksat. Merr paret e myslimanit dhe bën festën e kaurit, u hakërrye Lilua.
Pala tjetër këmbëngulte se bredhi është simbol i vitit të ri. Ashtu si njeriu, edhe simbolet nuk duhen gjykuar nga vijnë dhe të kujt janë, por çfarë bëjnë. Vlerat nuk i përcakton origjina, por meritokracia, tha Qaniu.
Ilmiu shtoi se, bashkë me plakun e vitit të ri, bredhi është shndërruar në simbol më përbashkues dhe ka lehtësuar krijimin e festës më masive të shqiptarëve.
Unë shtova se, po të nisemi nga origjina, duhet të mos mbetemi në mes të rrugës, por të vemi deri në rrënjë. Para se të bëhej simbol i Krishtlindjeve, bredhi, gjithnjë i gjelbër, ka qenë simbol pagan i jetgjatësisë.
Me argumenta të tillë e tone të zjarrta, shtymë goxha kohë. Si zakonisht, nuk i dhamë dot dum. Kamarjerja na shihte përhumbshëm dhe, herë pas here gogësinte…
Leave a Reply