Kur kam shkuar për herë të parë në Livadh, 15 vite më parë, ka qenë një rrugë e gjatë. Zgjati gjithë ditën. Në Livadh arritëm natën, përmes një rrugë të ngushtë. Meraku se makina po gërvishtet nga ferrat anës rrugës nuk e kishim më, por veç mendonim të shkonim shëndoshë e mirë. Po të dilte një makinë para, një Zot e dinte se si do të shkëmbeheshim…
Nata e parë në Livadh ka qenë një tmerr. Edhe sot kur e kujtoj, më duket sikur ka ndodhur dje. Vetëtima, erë e fortë, shtrëngatë. Një llampë që ndriçonte në tension të ulët u fik. Dukej sikur ishim në një vend të humbur… Gjithë natën pa gjum, prisnim mëngjesin të vinte, ti hypnim makinës dhe të niseshim drejt Sarandës apo të ktheheshim në Vlorë…
Kur dita zbardhi, pamja nga oborri i shtëpisë ku kishim fjetur ishte një panoramë që nuk do ta harroj kurrë… Një diell i ngrohtë, gjelbërim ngado, rrethuar nga ullishte, Kalanë e Himarës dukej sikur e kishim mbi kokë, ndërsa deti krejt blu e i qetë, sikur stuhitë e natës kishin ndodhur në një vend tjetër..
– Shkojmë shohim plazhin, pastaj vendosim çdo të bëjmë, propozuan miqtë tanë.
Plazhi ishte krejt bosh. Ca çadra dukeshin në fillim të fshatit, pastaj në fund ishim ne. Dukej gjithçka e paqtë. Duke kujtuar vuajtjet e një udhëtimi një ditë më parë dhe natën pa drita e me stuhi, askush nuk u kujtua që duhej të iknim. E harruam…
Livadhi aso kohe nuk ofronte shërbime. Bukën duhej ta merrnim në mëngjes, ndryshe duhej të porosisnim ndonjë që shkonte në Himarë-qytet, ose duhej të iknim vetë. Ne e dinim këtë, ndaj çdo qoshe e makinës ishte e mbushur me qese me ushqime që nga Tirana.
Prej asaj kohe nuk i jemi ndarë Livadhit. Fëmijët tanë u rriten atje dhe vonë e kanë mësuar se ne paguajmë për dhomën e shtëpisë… E dinin se ishte shtëpia jonë…
Vit pas viti filluan çadrat të shtoheshin. Lokalet. Kafet. Shtëpitë. Kampingjet. Çadrat e pushimit dhe tani vonë edhe resortet moderne…
Ka nga ata që ankohen për çmimet, shërbimin, cilësinë, por të gjitha i harrojnë kur zhyten në det… Ua merr dallga të gjitha kujtimet e këqija…
Kur erdhëm ne për herë të parë kishim marrë çadrat me vete.Vite më vonë, Klearko, i zoti i shtëpisë që na pret, ngriti ca çadra për ne. FALAS. Vitin e kaluar mori një gjobë për çadrat.
– Janë të pushuesve, tha. Nuk i jap me para.
– S’duam t’ia dimë ne, thanë inspektorët e Bashkisë. Madje e rekomanduan që ti regjistronte, ndryshe ndonjë nga ata të fortët që ngre në Livadh, si kudo në plazhet e Shqipërisë biznesin e çadrave, mund ta merrte edhe plazhin publik para shtëpisë…
Tani Klearko çdo mëngjes nxjerr një punëtor, nga ata që merr për dy muajt e verës të shpërndajë kuponat tatimorë për çdo çadër…
Klearko punon nga mëngjesi deri në darkë vonë… Merret me çdo gjë, që nga dhomat, mjedisin para shtëpisë dhe marketin e vogël që është plot me produktet më të nevojshme.
– A të kanë ardhur tatimet, e pyes?
– Po, thotë. Disa herë. Njëherë kërkuan kuponat për dhomat. Një ditë tjetër, tatimorë të tjerë kërkuan rroba plazhi për veten e tyre. Kishin ardhur për punë, por donin të hidheshin një herë në det… Herën e tretë më vendosën pesëqind mijë lekë gjobë… Kishin kapur te dera një fëmijë me akullore pa kupon.
– Po daleni, more djema, janë fëmijë. Janë prindërit në dyqan, po bëjnë Pazar… Por nuk dëgjuan…
Marketi i Klearkos nuk është si marketi i lagjes tonë në Tiranë. Kuponat tatimorë i printon nga nje program kompjuterik…
E pyes Klearkon për Mihal Kokëdhimën.
-Është djalë i mirë, thotë.
-Djalë i mirë? Nuk e ke parë videon mbi kofano të makinës?
Pastaj kujtohem se Klearko nuk ka kohë për të parë televizor. Ka plot kohë për televizor 10 muajt e tjerë të vitit. Këto dy muaj, bashkë me gruan dhe vajzën nuk kanë kohë as për t’u ushqyer…
Pasi i tregoj Klearkos shkurt se çfarë shkruajnë mediat,ai thotë: Duhet ti kenë rënë në qafë. Nuk ka mundësi…
Te Mihali blinim peshkun 10 vite më parë. Hypnim në skaf, shkonim të rezervati në mes të detit dhe e kapnim vetë peshkun. Në atë kohë Mihali e kishte në ndërtim kompleksin. Pinim ndonjë kafe atëherë,pa zënka.
Një ditë të ngrohtë me diell, Mihali e rriti çmimin e peshkut. Ne nuk blemë që atë ditë më. Pak më tutje ishte një rezervat tjetër…Tani Mihali mund të ketë njëqind të zezat, por një hall i madh e ka detyruar të hypë mbi kofano.
Por, ndoshta pastaj nevoja për të jetuar e ka bërë ashtu të luftojë… Sepse, po të kishte rënë, a do të kishte shpëtuar gjallë nga gomat e makinës? Ndaj sot, pa vrer e histeri ndaj Mihalit e turizmit në vend, ndoshta së paku shoferi i makinës duhej të ishte arrestuar…. Dhe këtë ma përforcon ai çasti kur shfaqet makina e policisë. Në vend që të ktheheshin e të kërkonin ndihmë, ata ikin…
Të kthehemi te Livadhi.
Çdo pëllëmbë e plazhit sot është plot pushues. Restorante. Kafe. Kampingje.
Çmimet janë pak më të shtrenjta se te shtëpia ime në periferi të Tiranës por pak a shumë njësoj si në zonën pranë punës, afër qendrës së Tiranës. Më të lira se te TEG-u. Një kafe, shumë e mirë, kushton 100 lekë te resorti luksoz në fund të Livadhit. Në restorant, një ujë 1.5 l kushton 150 lekë, një picë proshutë-sallam kushton 650 lekë, një peshk koce ose levrek 900 lekë, sallatë greke 400 lekë, një birrë me kriko 150 lekë… Të gjitha me kupon tatimor. Kanë shumë frikë nga gjobat… Frika prej gjobave është më e madhe nga frika se turizmi mund të pësojë rënie për shkak të Mihalit dhe spanjollëve…
“Frika” e ka shoqëruar turizmin më Livadh. Në fillim frika se po investojmë, por nuk vjen kush për shkak të rrugës; pastaj frika se mund të vijnë pushues por nuk i përballojmë dot; tani frika se po vijnë, por çfarë të bëjmë që të kthehen sërish; frika nga tatimorët që presin të rrëzohesh që të të vendosin lakun në fyt…
Kam shumë miq që më rekomandojnë Korfuzin, Turqinë, si vende ku mund të pushoj më qetë dhe më lirë. Por mua nuk më rezulton kështu. Nuk harxhoj më shumë se 80 euro për gjithçka gjatë një dite në Livadh.
Në fillim, kur ne erdhëm në Livadh flitej shqip. Pastaj greqishtja flitej me zë të lartë… Ndërsa tani Livadhi flet italisht, anglisht, polonisht, çekisht, gjermanisht, greqisht, shqip…
Janë këto gjuhë që do ta mbajnë gjallë Livadhin, së bashku me ujin e detit blu e të pastër… Ndërsa unë jam çdo vit në kërkim të një vendi si Livadhi 15 vite më parë, por nuk e kam gjetur akoma…
Leave a Reply