Duke modifikuar pak fjalët e një humoristi amerikan do thoja.. kupton që bota po çmëndet kur reperi më i mirë është i bardhë, basketbollisti më i gjatë është një kinez dhe kryeministri i një shteti si Shqipëria është arrogant…
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet si Shqipëria, që është eksportuesi më i madh i të miturve azilkërkues në Evropë, dhe për mua kjo është ulëritëse, heshtja dhe kodoshllëku i këtij shteti me njëmijë struktura sociale dhe shushunja në kurriz të tij ndaj këtij fenomeni është kobëzi për një komb që kërkon të mbijetojë në këtë botë që po shkon për dreq.
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet që studimin akademik, krijimin dhe stimulimin e elitave akademike dhe mendimit elitar kombëtar nuk e ka as ne projektet e bodrumeve të godinës ku rri. A ja keni parë minimalisht Biblotekën Kombëtare këtij shteti, shikojani dhe do kuptoni.
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet që ende nuk ka orientimin ekonomik kombëtar, për të qënë vënd turistik apo vënd industrial, sepse po të kish të parin, trashëgiminë kulturore, arkeologjike, lumenjtë dhe cdo burim natyror nuk do i shqepte, braktiste, masakronte siç as armiku më i egër do bënte, sepse po të kish të dytin, kryeministri nuk do linte ditë perëndie dhe gazetë botërore pa e promovuar Shqipërinë turistike dhe të paktën minimalisht një gjigand industrial do e kish sjelle në këtë vënd “pa sindikata”, qoftë dhe thjesht për të prodhuar vidat e dyerve të Benzit ose të Fiatit.
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet si Shqipëria, që po tkurret dhe po plaket ku bie lindshmëria me një ritëm skëterrë, ku ikin të rinjtë, shtohen pleqtë, ndërkohë që shteti hesht me cinizmin e bashkëpunimit në krim, sikur ky krim demografik po ndodh gjetiu.
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet që dy nga qytetet e tij më kryesore Vlorën dhe Elbasanin ja qeveris krimi jo ai.
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet ku kryeministri si një burrë në andropauzë i hakërrehet cdo shqiptari naiv “që i bie plasja” dhe i shkruan në rrjete sociale, jo vetëm aq, por arrin deri aty sa i thotë.. ta doje ti Shqipërinë sa e dua unë, të punoje ti sa punoj unë për Shqipërinë…ose .. atë që kam bërë unë në 5 vjet nuk është bërë në 25 vjet.. ( ndërkohë që unë mendoj që kryeminstri, duhet të jetë modest, i duruar dhe i vëmëndshëm si një baba, sidomos me “fëmijët” më problematikë dhe të paqartë, durimi dhe puna e tij s’duhet të shteret kurrë, pasi e mira dhe detyrimi i tij, kurrë nuk kanë fund)
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet si Shqipëria, që përherë mbeti e fundit nga shoqet e saj ballkanike, në integrim dhe prosperitet, teoritë e tjera konspirative me armiq dhe intriga superior janë dokrra, askush sta vë shqelmin në fyt po ishe i dobët.
Kjo sepse arroganca nuk ka lidhje me një shtet që poshtëron artistët e mëdhenj që i kanë mbetur ende gjallë, nuk ka lidhje me një shtet që poshtëron dhe vendos diktat në cdo vendimmarrje pa përfillur subjektet mbi të cilët do zbatohet ky vendim, dhe në rast se subjekti e kundërshton Fletë Rrufeja dhe Story of Your Life e pret..
Arroganca në vetvete fsheh pasiguri, mungesë viriliteti thoshte Simone de Beauvoir, ndërsa unë mendoj që fsheh shkëputje nga realiteti, kodoshllëk me bosët ekonomikë të qylit, fsheh mëndjemadhësi, që ta jep jo vetëm deliri personal, por edhe një opozitë mëkatare çizmesh dhe hipokrizish dhe mjerisht dhe më e trishtueshmja mungesa e theksuar e mendimit intelektual shqiptar. Pasi ashtu sic shprehej kurajozi Borselino, problemi i parë që duhet të zgjidhet, nuk do ishte vetëm rebelimi por do të ishte sidomos një lëvizje morale dhe kulturore që i përfshinte të gjithë, sidomos brezin e ri, i cili duhet të ndjejë aromën e bukur të lirisë duke refuzuar erën e qelbur të kompromisit moral, indiferencës dhe vazhdimësisë së bashkëfajësisë
Leave a Reply