Në tetor të 2017-ës, revista “The Economist” shkruajti për Wolfsburg, qytetin më të pasur Gjerman, në saje të industrisë automobile, i famshëm si selia e kompanisë botërisht të njohur Volkswagen. Si një utopi social -demokrate- Wolfsburg-u, të tërheq me modelin e tij sakson të industrisë, fermave, shërbimit, ku fuqinë e kanë sindikatat. Ky vend ishte atdheu politik i Gerhard Schrȍder, i cili udhëhoqi në vitet ‘90-98.
Në retrospektivë, në vitin 2013, revista “The Guardian” publikoi një artikull me vlerë për debat mbi reformën ‘Hartz IV” dhe Schrȍder, ish-kancelarin e qendrës së majtë, që ndryshoi mënyrën se si Gjermania do të kujdesej për të varfrit. Në thelbin e tyre, masat e rekomanduara nga komisioni Hartz, synonin bashkimin e përfitimeve (pensionit) të papunësisë dhe të atij të mirëqenies sociale në një paketë të vetme. Por, elementi i ri që solli ndryshimin më të thellë ishte kontrata, e përpiluar midis “punëkërkuesit” dhe “Qendrës së Punës” (Agjencisë së Punës), e cila përcaktonte kushtet e marrëveshjes midis dy palëve dhe çfarë premtonte secila palë të bënte, për ta kthyer punëkërkuesin në listën e pagave të dikujt (thënë thjesht, për t’i gjetur punë). Kjo u shoqërua me “sanksione”, përkthyer në ulje të përfitimeve, nëse punëkërkuesi nuk respektonte marrëveshjen. Me këto dy masa, Gjermania rikrijoi konceptin modern të “nxitjes” së punësimit.
Reforma Hartz, që hyri në fuqi në 2005-ën, pati aktivistë protestues të cilat kundërshtuan fuqishëm këtë alternativë radikale me karakter social. Debati vijoi prej Gjykatës Federale, e cila gjykoi se, preambula e kushtetutës gjermane: “Dinjiteti njerëzor është i pacenueshëm”, nuk respektohej, pasi pagesa standarde e Hartz IV, nuk llogaritej në një masë të tillë që të garantonte dinjitetin njerëzor, pra duhej rritur. Sot, sipas Agjencisë Federale të Punësimit (Bundesagentur für Arbeit) rreth 7 milionë njerëz përfitojnë nga Reforma, ku rreth 2 milionë janë të papunësuar. Buxheti për realizimin e saj, është vlerësuar të jetë rreth 20 bilionë euro. Në Prill 2018, më shumë se gjysma, 55% e përfituesve ishin me sfond migrimi (emigrantë pa aftësi profesionale ose njohuri gjuhësore).
Në një analizë të përgjithshme, të legjislacionit shqiptar, ka një sërë pikash që ngjasojnë me ato të mësipërmet, por si një shëmbëlltyrë e shtrembëruar. Së pari, sipas nenit 18, në pesë paragrafë, të Kodit të Punës, shtuar në 2015, Agjencia e Punësimit të Përkohshëm nënkupton punëdhënësin, i cili, në bazë të një kontrate pune, punëson një punëmarrës për të punuar përkohësisht në një ndërmarrje pritëse dhe që ushtron të drejtat e detyrimet e punëdhënësit bashkërisht me subjektin pritës. Agjencia, siguron mbrojtje ligjore dhe merr disa përgjegjësi më shumë, kjo referuar sidomos një kategorie të caktuar punonjësish, të ashtuquajtur zanatçinj, si për shembull, hidraulikët, elektricistët, kujdestarët e fëmijëve (baby-sitters) etj.
Së dyti, Programi i Pagesës së Papunësisë përfshin pensionin e papunësisë, dhe ndihmën ekonomike, secili përfitim sipas kritereve të ndryshme, parashikuar në aktet ligjore e nënligjore për sigurimin shoqëror. Në praktikë, rrallë ndodh të përfitosh prej të dy pensioneve njëkohësisht.
Sipas të dhënave të INSTAT, që i referohet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në vitin 2017, në Shqipëri, shuma që përfitohet për papunësi është bërë 11.000 lekë nga 6850 që ka qenë në 2014. Ndërsa ndihma ekonomike, varion përafërsisht në shumat 3700-4500 Lekë. Nga ana tjetër, është shtuar pensioni social, që i jepet një kategorie, e cila nuk përfiton dot prej asnjë lloj pensioni e që është një shumë prej 6800 lekësh.
Çdo person me një inteligjencë mesatare dhe një llogaritje matematikore të thjeshtë, kupton se shumat e “mirë”-qenies sociale, shkelin me të dyja këmbët, çdo ditë të vitit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, kur shprehet në preambulën e saj për “…mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor”.
Nëse shteti nuk e bën, as sindikatat, përtej rregullimeve ligjore të varfra, nuk e garantojnë dot të vetme këtë mbrojtje. Po, ka sindikata. Ka sindikata të politizuara, ka sindikata “të verdha” (fiktive) por ka edhe sindikata funksionale, siç është ajo e arsimit parauniversitar, që ka kuptuar rëndësinë e marrëveshjeve kolektive, dhe ka bërë përpjekje disa mujore në 2017-n, për ta realizuar.
Përmirësimi i modelit që aplikohet, nuk gjen përgjigje në zbatimin e ligjeve në mënyrë gjysmake, as duke detyruar forcërisht veten të ngjasojmë me gjermanët. A ndërtohet dot një “Wolfsburg” shqiptar? A prodhohet? Çfarë prodhohet? Nëse nuk krijojmë dot kompani të përmasave të Volkswagen, sepse nuk kemi teknologjinë e duhur, cilat janë alternativat që mund të shfrytëzohen në Shqipëri?
Në ekonominë e tregut në Shqipëri, kapitali përkthehet vetëm në monedhë. Çështja është se, kapitali monetar rritet nëse investohet në kapitalin njerëzor, duke garantuar sigurinë, “zërin” dhe dinjitetin e punonjësve, parime bazë që kishte e që zbatoi në themel reforma Hartz.
Çdo dhjetor, prej katër dekadash, në Gjermani jepet një çmim për ‘Fjalën e vitit”. Në 1972, profesor Broder Carstensen krijoi një paradë hitesh për fjalët, duke shprehur idenë e “Një Viti, (në) një fjalë” e cila u bë një ngjarje mediatike, ndaj së cilës “hulumtuesit” gjuhësorë i dhanë madje, një vulë shkencore.
Për shembull, Fjala e Vitit në 2015-n, ishte çështja e emigrantëve ose e “Intruders” (që nënkupton “të paftuarit”, “ata që janë të tepërt”). Ndërsa, roli i rëndësia e reformës Hartz, sipas revistës gjermane, Spiegel, shprehet në faktin se Hartz ishte koncept sinonim që përfaqësonte mbrojtjen e klasës së të varfërve të papunë. Ajo filloi të përdoret si prefiks në kontekste të ndryshme sociale e kulturore, për shembull në programet televizive të ashtuquajtura “Hartz TV”. Cila do ishte Fjala e Vitit në Shqipëri!
Leave a Reply