Në dokumentarin e së dielës në CNN “Pse Putini është njeriu më i pushtetshëm në botë”, analisti i njohur, Fareed Zakaria, sqaron se presidenti rus Putin është njeriu më i fuqishëm në botë, në një kohë kur SHBA dhe Kina – si shtete – janë më të fuqishme se Rusia.
Në këtë kuptim, Perëndimi duhet të marrë masa për të frenuar këtë njeri të pushtetshëm, i cili, pasi ka fituar Rusinë, tenton të zgjerojë sa më shumë kufijtë e influencës.
Konkluzioni i dokumentarit vë në dukje se Putini është i aftë të kuptojë dinamikat e botës së sotme, teksa “ai nuk është aq budalla sa të ndërmarrë një sulm frontal kundër Amerikës apo Europës. Ndaj, ai di se si ta përdorë këtë fuqi në mënyrë asimetrike . . . dhe i kupton vulnerabilitetet e shoqërive të lira . . . kupton brishtësinë e institucioneve si Bashkimi Europian. Me fjalë të tjera, Putini na njeh shumë mirë. Kjo shtron pyetjen: A e kuptojnë atë sa duhet ne – dhe Donald Trump?”.
Putini e ka pikasur tërheqjen e Perëndimit në disa zona, dhe përdor fuqinë e akumuluar në mënyrë asimetrike, për të arritur influencë. Dhe Rusia ka fituar një hapësirë të theksuar gjeopolitike. Mjetet diplomatike, teknologjike, ekonomike, ushtarake, kriminale dhe të tjera kontrollohen nga shteti rus dhe përdoren për përmbushjen e objektivave strategjikë, të cilët mishërohen në doktrinën Gerasimov. Sipas kësaj doktrine, për të arritur objektivat e vetë, Rusia krijon konflikte politike në vend të konflikteve fizike. Me këtë nuk kuptohet vetëm zëvendësimi i regjimeve perëndimore me ato pro-ruse, por më shumë zëvendësimi i tyre me regjime autokratike, populiste apo nacionaliste.
Në këtë kuadër, për pengimin e zbatimit të kësaj doktrine, Perëndimi ka përdorur vazhdimisht sanksione kundër Rusisë, të cilat kanë qenë të pamjaftueshme. Megjithatë, lëvizja e fundit, tërheqja e rreth 100 diplomatëve rusë nga disa vende, aleate të SHBA-së, është shumë e spikatur. Ky është një akt domethënës që më shumë etiketohet me fjalën rrethim gjeopolitik. SHBA i tregon Rusisë se deri ku i ka kufijtë, teksa vende të veçanta – më shumë në mënyrë simbolike – kanë larguar diplomatë rusë. Përveç vendeve me peshë në arenën ndërkombëtare perëndimore si SHBA, Britania, Franca dhe Gjermania, vlen për t’u theksuar largimi i diplomatëve rusë nga shtetet kufitare me Rusinë: a) vendet baltike; b) vendet skandinave, c) Ukraina (vende nga të cilat asaj i kërcënohet drejtpërdrejt siguria) dhe d) vendet ballkanike si Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia. Gardhi në fjalë transmeton mesazhin se Putini duhet të “izolohet” në Rusi.
Interes në këtë bllokadë përbën Shqipëria, e cila del nga guaska e frikës dhe shfaqet një aleate e gatshme për Perëndimin. Ka disa arsye se pse vendi ynë e merr këtë hap të guximshëm.
Së pari, më në fund, Tirana zyrtare arrin të kuptojë se duhet të shkëputet nga ndikimi rus dhe turk, dhe të dalë haptas në krah të Amerikës, kur kjo e fundit ia kërkon ndihmën simbolike. Me këtë vendim, Shqipëria nuk druhet më të rreshtohet në krah të Perëndimit. Edhe pse mund të justifikohet se ka kontribuar ushtarakisht me trupa në Irak dhe Afganistan, ajo nuk është përballur asnjëherë kaq haptas me një fuqi të madhe. Me anë të këtij veprimi fiton respektin e Perëndimit dhe bëhet më konfidente në politikën e jashtme. Gjithashtu, fillon të formësohet platforma e politikës sonë të jashtme, e paqartë apo më saktë e munguar, që nga koha e komunizmit (ndonëse platforma krejt të ndryshme ideologjikisht).
Së dyti, me anë të këtij veprimi, Tirana kërkon ndjesë për mosnjohjen e Jerusalemit, në një kohë kur ishte momenti që qeveria jonë të shfaqte rreshtimin krah Perëndimit dhe shkëputjen nga aksi neo-otoman. Edhe për të plotësuar pikën e parë, Shqipëria e ka të nevojshme ekzistencën kur është krah Perëndimit. Ekzistenca dhe prosperiteti i vendit tonë nuk lidhet me rreshtimin e saj në krah të Turqisë (botës myslimane) apo Rusisë. Me njohjen e Jerusalemit, Shqipëria do të zhbënte paragjykimet dhe perceptimet e gabuara të Perëndimit, dhe do të fitonte mbështetje më të madhe nga superfuqia botërore.
Së treti, nuk duhet harruar se SHBA dhe Britania ishin aktorët kryesorë që çuan në çlirimin e hapësirës shqiptare. Nuk është veprim thjesht mirënjohës, por – po e përsëris – ekzistencial për shqiptarët. Në këto kushte, Shqipëria, dhe kudo ku ka shqiptarë, nuk kanë zgjedhje tjetër. Mbështetja amerikane për anëtare e NATO-s, lufta për çlirimin e Kosovës, e më pas pavarësia e saj, ndihmesa e vazhdueshme amerikane për të gjithë hapësirën shqiptare, dhe për më tepër garancia që jep Amerika për ruajtjen e kësaj hapësire, janë thelbësore në përcaktimin e pozicionimit tonë.
Së katërti, mund të thuhet gjithashtu se lëvizja në fjalë është manovër e qeverisë aktuale socialiste për të legjitimuar financimin rus të fushatës së Partisë Demokratike. Pasi u publikuan disa kontrata lobimi që hedhin dyshime mbi transparencën e Partisë Demokratike dhe integritetin e raporteve të saj financiare të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tashmë kjo është një çështje që po hetohet nga Prokuroria. Sigurisht që pranimi mbarëbotëror (perëndimor) për ndikimin rus dhe rreshtimi i Shqipërisë në krah të Perëndimit, me idenë se edhe vendi ynë është nën këtë ndikim, e dëmton politikisht PD-në.
Së pesti, në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përveçse Shqipëria i ka plotësuar kushtet e Brukselit, sipas qeverisë, një veprim i guximshëm i vendit tonë për të sfiduar Rusinë ndikon politikisht jo pak në ndryshim perceptimi për Shqipërinë. Ndoshta, përzënia e diplomatëve rusë shton pak pikë në klasifikimin që i bëhet Shqipërisë për hapin e ardhshëm drejt Europës, në këtë rast hapjes në negociatave për anëtarësim.
Kështu, Shqipëria nuk del e humbur, pavarësisht kontributit dhe kapacitetit tonë tejet modest. Pozicionimi kundër Rusisë, dhe më parë njohja e Jerusalemit, nëse do të kishte ndodhur, janë veprime diplomatike me peshë të madhe, pavarësisht se janë simbolike. Por simbolika në diplomaci ka shumë rëndësi.
Leave a Reply