Ditar nga Burgu 313, janar 2002
Dritarja e qelisë pa xhama. Shiu i janarit përplaset mbi kangjellat e ndryshkura dhe pështyn batanijet tona. Jemi 6 të burgosur në qelinë Numër 1, Sektori 4 në katin e dytë e cila është vetëm 8 metra katrorë.
5 prej shokëve të idealit janë dënuar për vrasje, ndërsa unë për mbajtjen e një letërnjoftimi fallco.
Llozi i hekurt i jashtëm i derës zhvensoset majtas dhe zhurma e tij tingëllon si sonetë lirie. Na nxjerrin për veprimet e mëngjesit në banjën e vogël të përbashkët të sektorit. Presim me rradhë të shurrosim e të lajmë fytyrat. Para se të na kyçin përsëri brenda, na sjellin çajin e vakët që kundërbon nga klori. Çunat e refuzojnë, përgatisin neskafenë dhe fillojnë tymosjen e cigareve. Më pas fillon loja ” Mos u nxeh” me eleminime. Fituesi shpërblehet me nga 2 cigare nga ne humbësit. Në burg përveç librave nuk lejohet as televizor, as radio, madje as revista dhe gazeta.
Hapet dera dhe kësaj here na nxjerrin për 60 minuta ajrosje në një qeli më të madhe ku kemi mundësi të bëjmë ecjen e munguar. Mes zhurmës e potereve të lojës vjen orari i drekës. Serviret supa e famshme e burgut nga një tenxhere gjigande alumini ku garuzhdja përpiqet më kot të kapë kokrat e pakta të orizit. Cigaret vazhdojnë edhe pas buke ndërkohë burgaxhinjtë kanë hapur thesin e mashtrimeve duke iu mburur njëri-tjetrit. Dikush dremit, dikush pikturon mbi murr, një tjetër lexon.
Darka vjen shpejt, askush nuk merr çajin që vjen përsëri ndërsa errësira futet pa frikë në qelinë tonë. Llamba e zbehtë që nuk fiket kurrë e futur edhe kjo në një qeli të vogël telash të trashë lart mbi tavan, shërben si dielli dhe si hëna jonë. Dikush fle me sy hapur, dikush flet me vete, një tjetër gërhet. Pas mesnate gjumi na prishet. Nga qelia ngjitur dëgjohet ulërima lutëse e një burgaxhiu plak. E ka kapur barku dhe gardiani mundohet ta qetësojë. U njoftua komanda në katin e parë por sa të mbërrijë oficeri roje deri në Sektorin tonë i duhet të hapi 32 dyer të rënda hekuri. Plaku nuk duron dot më, dhjet në qese dhe më pas e hedh nga dritarja. Qesja me jashtëqitjen e plakut të burgosur bie në oborrin e Drejtorisë së Arkivave të Shtetit.
Plaku bëhet sebep edhe për ne komshinjtë e tij. Çohemi të gjithë me rradhë të shurrosim te bidoni i madh vendosur në qoshe të qelisë së ftohtë.
Ora është 1e çerke e natës dhe deri në orën 8 të mëngjesit dera nuk hapet…
2./
Ditar nga burgu kolektiv, 17 mars 2020
Bota është strukur e gjitha. Brenda murreve të shtëpisë janë izoluar rreth 1 miliardë e 200 milionë tokësorë. Mes tyre edhe 2 milionë e 800 mijë arnautas që shfryjnë çdo ditë jo nga frika e Coronavirusit por nga fodullëku dhe prepotenca e një injorance që nuk e fshehin dot. Shfryjnë, shajnë e mallkojnë ndërkohë hapin frigoriferin dhe hanë çfarë tu dali para. Shtrirë shohin në televizor filma, lajme, koncerte. Çohen ia fusin shurrës, pinë lëng porrokalle, flasin në telefon me zë e me video pastaj shtrihen prapë. Zhyten në internet dhe kënaqen nga memet dhe komentet fyese që lexojnë. Kafen e pinë turke në ballkon, tymosin cigare, hanë fruta dhe shtrihen prapë. Çohen përsëri dhe hapin dritaret nga ku futet ajri më i pastër i 3 dekadave të fundit. Nga dritarja shohin punëtorët e bashkisë që ua pastrojnë plehrat, shohin policët që rrinë në gadishmëri me maska në rrugë, shohin marketet që janë hapur, infermieret dhe doktorët që vrapojnë për në punë. Mbyllin dritaren se ndjejnë ftohtë, i pret barku dhe nxitojnë për në banjë. Është hera e tretë që dhjesin brenda një dite. Fshijnë bythën, çohen nga bideja, nuk lajnë duart por shkojnë të nevrikosur përsëri te frigoroferi…
Leave a Reply