Zullumi që ka përfshirë futbollin shqiptar vitet e fundit, rrezikon të groposë përfundimisht një ekip të ngritur me pompozitet.
Ndëshkimi i UEFA-s për Skënderbeun, është fundi i pritshëm i asaj që ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve nën sytë e të gjithëve.
Historia se si u ngrit Skënderbeu dhe dominoi futbollin shqiptar përgjatë gjithë këtyre viteve, është një histori tipike mafioze, ku ndërthuren interesa politike, financiare e mediatike.
Disa vite më parë, Skënderbeu ishte një ekip anonim, pa asnjë financim dhe lëngonte prej kohësh në ujëra të turbullta, sa në njëra kategori, në tjetrën.
Atë vit, ashtu si edhe vitet e kaluara, luftonte për të mos rënë nga kategoria.
Ndodhej në vend të fundit dhe nuk kishte asnjë shpresë për të qendruar në elitën e futbollit shqiptar.
Por, në një ditë më diell, kur fati i Skënderbeut dukej i vendosur, në Korçë u shfaq Agim Zeqo.
Në krah të tij ishte Ridvan Bode dhe një rradhë njerëzish të lidhur me biznesin e politikën.
Si me magji, Skënderbeu arriti pastaj që të fitonte të gjitha ndeshjet dhe jo vetëm që shpëtoi, por në fund luftonte edhe për të marrë pjesë në kompeticionet europiane.
Më pas historia dihet.
Skënderbeu, duke përfituar nga lidhjet me pushtetin dhe me FSHF-në, presidenti i së cilës bënte biznes me atë të Skënderbeut, fitoi njëri pas tjetrit kampionatet, plot 6 të tillë.
Nuk pyetën për askënd dhe për asgjë, duke manipuluar dhe trukuar ndeshje nën sytë e të gjithëve, herë duke përdorur FSHF-në e gjyqtarët kamikazë të saj, herë duke bërë aleanca me klube të tjerë, e herë të tjera duke përdorur politikën.
Por nuk u mjaftuan vetëm më trukimet në Shqipëri.
Filluan të manipulojnë edhe ndeshje në Europë, duke kujtuar se edhe këtu do të kishin Armando Dukën që t’i mbronte.
UEFA thotë se përgjatë këtyre viteve, Skënderbeu ka trukuar plot 60 ndeshje, mjaftueshëm për ta përjashtuar atë për 10 vite nga të gjitha kompeticionet europiane.
Tani që gjëma u ka ardhur në derë, në vend që të kapin për gryke Ardian Takajn dhe Armand Dukën që i ushqyhen me një iluzion që po shuhet, tifozët korçarë kanë nisur protesta popullore, për të kërkuar nga UEFA të mos “iu vritet ëndrra”.
Ata kërkojnë që UEFA, njësoj si Armand Duka, të mbyllë sytë para trukimeve skandaloze ndër vite dhe të lejojë të qendrojë në këmbë ky sistem korruptiv, që i ka marrë frymën futbollit shqiptar.
Por ngatëroni derë!
Sot nuk duhet të trokisni në portën e Aleksandër Ceferin se po dënon “heroin kombëtar”, se atë ua ka përdhosur Ardian Takaj që bënte pazare me të!
Atij, Agim Zeqos, Ridvan Bodes, Armando Dukës e të tjerë me radhë, duhet t’i kërkoni llogari, sepse e përdorën Skënderbeun për interesa të ndyra.
Sa për Skënderbeun, atë nuk e shpëton dot askush, sepse është viktimë e sistemit të ngritur nga vetë drejtuesit e Skënderbeut dhe Armand Duka.
Tani le të luajë “shtëpiash” në kampionatin e Dukës!
Këtë fat meriton kush bën pazare!
Leave a Reply