• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
BEN ANDONI/ Pas Kuvendit të PD-së, si edhe absurdi i meritokracisë dhe vlerave te ne
Home
Blog

BEN ANDONI/ Pas Kuvendit të PD-së, si edhe absurdi i meritokracisë dhe vlerave te ne

July 22nd, 2021 F.autor Blog 0 comments

Përcjellja e humbjes dhe kremtimi absurd i fitores nga PD-ja në Kuvendin e saj të fundit treguan sesa larg është ky formacion politik ndaj vlerave dhe sensit të meritokracisë së pastër, mëtuar përmes njerëzve të saj. Por, më shumë sesa humbje e saj, kjo është humbje e një spektri jo të vogël të publikut, i cili kërkon zgjidhje përmes meritokracisë dhe vlerave që përcjellin elitat.

Meritokracia është atributi pozitiv i nxjerrë në pah i individit, vërtetuar dhe provuar me sundimin e aftësisë vetanake. Fatkeqësisht, në Shqipëri, jo vetëm nuk zbatohet dhe funksionon një sistem i ndershëm politik apo që ta stimulojë meritokracinë, por vetë politika e inkurajon pabarazinë me anë të mekanizmave të saj. Sot, jo pak njerëzve të elitave shqiptare të fushave të ndryshme, që në masë nuk janë të provuar ose nuk e justifikojnë katapultimin, nuk dinë të përballin probleme. Me të drejtë sot, shqiptarët, shqetësohen jo thjesht nga paaftësia, por edhe lartësia që i ndjekin meritokratët, si edhe nga cinizmi i tyre. Kujtoni administratën lokale me atë që bën me tenderat dhe atë qendrore po ashtu; sorollatjet e njerëzve dhe vetë-përfitimet e tyre; vonesat dhe talljet e rëndomta ndaj njerëzve nëpër zyra; tollovinë e njerëzve të opozitës.

Ishte sociologu britanik Michael Young, i cili solli për herë të parë për publikun termin “meritokraci”. Interesant ka qenë konstatimi i tij se edhe pse “meritokracia” mund të tingëllojë mirë për shumicën e njerëzve, një shoqëri e vërtetë meritokratike do të ishte një katastrofë. Do të krijonte një shoqëri fituesish egoistë dhe arrogantë dhe humbësish të zemëruar dhe të dëshpëruar. “Triumfi i meritokracisë, e kuptonte Young, do të çonte në humbjen e komunitetit politik”, shpjegonte pak kohë më parë politologu i njohur Krastev.

Agu i viteve ’90 solli ndryshime të mëdha në Shqipëri gati të paimagjinueshme vetëm pak muaj më parë sesa vrulli popullor që u inincua nga revolta e studentëve të merrte drejtimin e duhur. Deri më atëherë, njerëz pothuaj të njohur thjesht në qarqe të ngushta do të ktheheshin sakaq në figura publike, të cilët do ndikonin këtej e tutje, në vend të një grupimi tjetër të afirmuar që do të shmangeshin deri arbitrarisht. Një elitë e re po shfaqej vrulltas duke lënë pas, një elitë që e kishte shtresuar daljen e saj ngadalë dhe falë vlerave. Madje, artikulli i njërit syresh si profesor Ylli Popa shërbeu si një ndezës, por ai dhe të tjerë u kishte ardhur radha që tashmë të zinin vend në vitrinën e harresës. Ajo që e bashkonte elitën e re që po lindte do të ishin kushtet sesi ishte shfaqur, cilësitë e paarrira të shpalosura prej saj dhe konjukturat që do ndiqte kjo elitë e re në Shqipëri post komuniste. Në fakt, jo pak syresh vinin prej privilegjeve të sistemit ose e thënë më troç prej familjeve lidhur ngushtësisht me pushtetin. Një masë e madhe te PD-ja dhe jo më pak te PS-ja e përcollën realisht këtë realitet. Dhe, aq e besueshme mëtonte të ishte kjo lloj elite saqë shqiptarët u bënë sërish robër të teorive hipotetike. Pas teorisë së shock-ut ekonomik pasoi ajo e “Çekut të Bardhë”, që po shkonin paralel me ethen e madhe që PD-ja të sanksiononte fuqinë e saj në ngritje. I ndjeri Gramoz Pashko, ardhur vetë nga familje komuniste, që fliste dhe mbronte idenë e shock-ut, i vinin pas funksionarët e rinj të asaj kohe që po kristalizonin elitat e reja sipas të cilëve Shqipëria do përmbytej nga ndihmat. Kjo retorikë boshe që filloi të besohej madje edhe prej tyre vetë e bëri këtë elitë që po lindte jo vetëm pa skrupuj, por më keq akoma: kërkuan de facto të bënin çka bënë më parë paraardhësit e tyre. Meritokracia e këtyre kohëve është mbushur me shumë shembuj, kurse nepotizmi, mohimi i vlerave dhe interesi i ngushtë prevalojnë mbi të gjitha. Nuk mjaftoi me kaq. Me hapjen e udhëve me jashtë, individët e rinj që po përfitonin nga kinse meritokracia kanë mundësi të punësohen, të hapin biznese në starte të favorizuara, të bëjnë shkolla të mira, të përcjellin fëmijët jashtë, të kenë rroga të mira dhe mbi të gjitha t’ia shpërblejnë pjesës tjetër të shqiptarëve, që mundohet të respektojë kanonet e demokracisë, me arrogancë dhe të sigurt për virtytin dhe kinse epërsinë e tyre intelektuale. Sa shumë të persekutuar që mbinë, sa shumë kinse gjoja të nëpërkëmbur dhe sa shumë të paaftë falsifikuan, aq saqë sot nëse do t’i identifikonte një raport, do të dilte me një shifër të frikshme.

Nëse në Shqipëri kjo do shikohet pak me indiferencë dhe në vite faji do t’i vendoset karakteristikave të “Homo Albanicus” që nuk po mjedisohet dot edhe me këtë regjim të ri pas atij që ka kaluar për pesë dekada nën Socializëm, situata është edhe më e nderë në sisteme të konsoliduara…”Ata…gëzojnë jo vetëm frytet e një arsimi me cilësi të lartë dhe paga shumë të mira, por ata janë arrogantë, të sigurt për virtytin dhe epërsinë e tyre. Ata besojnë se janë fitues jo sepse janë me fat që kanë pasur gjenet ‘e duhura’ apo se patën një mbështetje të madhe nga prindërit, por sepse e meritojnë të jenë fitues. Elitat mund të jenë të arsimuara në mënyrë të shkëlqyer dhe e konsiderojnë veten si të sofistikuar, tolerante dhe liberale. Por në realitet ato janë shkëputur në mënyrë dëshpëruese nga shoqëritë që drejtojnë”, shkruan hidhësisht Mark Damazer te “New Statesman”.

Në ditët tona, personazheve të meritokracisë sonë sot i mungon jo vetëm empatia por edhe shikimi real dhe afatgjatë i problematikave të vendit tonë. Tek e fundit ata janë pjesë e një kaosi social por edhe për paaftësinë për të gjetur përgjigje për problematikat. Në Shqipëri nuk ka përgjigje për ikjen e frikshme të rinisë, paçka që është një fenomen jo vetëm shqiptar; në Shqipëri nuk ka përgjigje për kaosin e pronave dhe pse shkojnë tek vetëm një grusht njerëzish; në Shqipëri nuk ka zgjedhje për sistemin politik, që është ngushtësisht në duar të pak njerëzve; në Shqipëri nuk ka përgjigje për zhvillimin dhe rrugët e duhura të saj apo ato që mund t’i shërbejnë vendit.

E megjithatë, në thelb, sërish, ajo që e mban shoqërinë shqiptare sot në idealin e vet është se meritokracia, mund të jetë zgjedhja e vetme që të talentuarit, të shkolluarit dhe më të aftët, të provohen në shërbim të shoqërisë dhe në ndihmë të saj. Këtë e ka kuptuar shumë mirë kryeministri Rama, që së fundmi ka inincuar dhe një fushatë për thithjen e trurit. Është e vërtetë se koncepti ‘meritokraci’ u përmend shumë në kohën e qeverisjes së zotit Nano dhe ai u mundua të luajë shumë me këtë koncept dhe madje duke dashur ta promovojë këtë. Por, më kot, pasi nga retorika deri në praktikë pati një humnerë të tërë, atë që i ndjeri shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, degjenerimin e këtij koncepti, do ta shprehte me fjalët se ajo lloj meritokracie e Nanos ishte thjesht  “shkërdhatokraci”. Ishte një koncept që vjen nga leksiku vulgar por që zuri vend menjëherë në leksikologjinë politike për vërtetësinë por më shumë hapësirën që mbulonte ky koncept në kushtet politike shqiptare dhe që Kuvendi i pak orëve më parë i PD-së dhe aktivitetet e PS-së për thithjen e trurit na e kujtojnë aq shpesh. (Homo Albanicus)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Opozita me sytë nga brenda PS-së
Previous article ARTUR AJAZI/ Skorjet e politikës opozitariste…

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k