• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

October 13th, 2026
  • HOME
BEN ANDONI/ LSI-ja nuk shërben më as si patericë!
Home
Blog

BEN ANDONI/ LSI-ja nuk shërben më as si patericë!

May 4th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Nëse do ndërtohej një përfytyrim sociologjik mbi atë që po ndodh te LSI-ja, atëherë lehtësisht do nxirrej konkluzioni se kjo forcë politike është në bjerrje të pakthim. Ajo, vite më parë, arriti apogjeun e saj me veprimtarinë e zgjuar të Ilir Metës dhe përpjekjen e madhe në terren të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhit, por edhe militantizmin e Petrit Vasilit dhe Luan Ramës, por tashmë kjo parti është në një rënie të frikshme. Nuk është se treguesi i vetëm janë zbrazja e organizatave dhe largimi i disa anëtarëve të këshillave bashkiake. Problemi është se pragmatizmi i skajshëm i organizatorëve të saj, që lidhej më së shumti me interesin material, në vend të frymës ideologjike duket se nuk ka përcjellë asnjë vlerë në bazë.

LSI-ja u dënua moralisht nga braktisja që i bëri PD-së, pikërisht në momentin më të vështirë të saj pas flirtit Meta-Rama, ashtu si braktisi para saj partinë simotër PS-në, për interesin e saj të çastit duke flirtuar me ideologjinë ose më thjesht duke e rrënuar atë në kurriz të interesit.

Goditjen e madhe publike e mori pak ditë më parë me reagimin agresiv të militantëve të PD-së në Kuvend, që e llogarisin këtë parti si mish të huaj dhe si shumë problematike, kur të jetë puna për ndarjen e pushteteve. Për hir të së vërtetës, ataku më i fortë ndaj kësaj partie erdhi shumë kohë më parë kur Ilir Meta, kryetari i saj, vendosi të kapte dhe cakun e fundit të karrierës politike, postin e presidentit të vendit.

Rënia e kësaj partie në fakt është pasqyrim i rënies politike të vazhdueshme të ish-kryetarit të saj, që megjithëse po mban një presidencë të qetë nuk arrin të bëhet dhe të ndihet realisht si përfaqësues unik i shqiptarëve. Mbase nëse do të sakrifikonte dhe disa vite dhe t’i jepte një drejtim real partisë, atëherë do të shihnim sesa ky formacion do mbijetonte në kushtet e reja, por edhe si do të kontribuonte realisht. Shenjat s’ishin aspak të mirë. Nga qeverisja e kaluar me PS-në dhe para saj me PD-në, ministrat e saj ishin më të privilegjuarit, pasi nuk kritikoheshin edhe pse ishin më pak punëtorët. E bash njerëzit që bëjnë më zhurmë…

Ky është momenti, kur LSI-ja në rolin e patericës tashmë nuk i duhet më askujt. PS dhe PD përkundrejt opozitarizmit kinse të skajshëm kanë kanalet e bashkëpunimit dhe nuk është çudi në një të ardhme edhe të bashkëqeverisin, por LSI-ja është në një pozicion, që s’do t’ia kishte zili askush. Së pari, prej mungesës së kredos së vërtetë ideologjike të saj, alternativave reale brenda ngjyresës së saj politike dhe së fundmi por që mund të ishte më e parë, militantizmit të vërtetë të anëtarëve të saj. LSI-ja ka qenë makinë prodhimi të vendeve të punës për militantët dhe jo pasqyrë vlerash. Anipse këto të fundit mateshin me atë që fitonte më shumë.

Derisa erdhi fundi, kur zhgënjimin më të madh e pësoi me PS-në, që e ndihu për në pushtet dhe që kjo e fundit ia ktheu me reprezaljet shpesh edhe pa logjikë kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Do jetë e vështirë për partinë familjare të mbajë të njëjtin ritëm në të ardhmen, nëse nuk kupton se shkundjen duhet ta fillojë nga vetja. LSI-së nuk i duhen më numrat e fryrë dhe hosanatë ndaj Kryemadhit sesa realisht njerëz që janë gati të sakrifikojnë për të dhe të besojnë në ndryshim. Të dy partitë kryesore e kanë këtë fashë njerëzish, ndaj sido që ajo rrudhet ose ka prurje, kanë rezultate që i masin realisht. Ndërsa LSI-ja e shndërruar në patericë pa vlerë, tashmë ka mbetur pas portës së politikës shqiptare, si një relike që askush nuk do ta kujtojë, sepse sjell vetëm kujtime të këqija. Të paktën, ky është një lloj përfytyrimi sociologjik për të. (Javanews)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Nga Thethi në Valbonë/ Amerikanët: Çfarë duhet të dini rreth shëtitjes në shtegun më të bukur të Shqipërisë
Previous article Marrëveshja përfundimtare Kosovë - Serbi, me fuqi detyruese

Redaktor2

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
ENVER BYTYÇI/ Presidenti i Kosovës, kamikaz në dy kuptime

ENVER BYTYÇI/ Presidenti i Kosovës, kamikaz në dy kuptime

Blog Aug 16th, 2018
XHAFER RAKIPLLARI/ Botërori dhe një histori suksesi e diplomacisë sportive Blog

XHAFER RAKIPLLARI/ Botërori dhe një histori suksesi e diplomacisë sportive

Jun 24th, 2018
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k