Debati për teatrin kombëtar i intereson opozitës shumë më pak se sa ai për vërtetësinë e faktit. Hyrja e saj në lojën e tashme nuk është veçse veshja më e fundit që mund të bëjë dëm të madh asaj që , me të drejtë ose jo, disa e ëndërrojnë ndryshe – një teatër i ri dhe modern; disa e pranojnë kështu si është – një relike ku kanë gdhendur emrat e tyre viganë të skenës dhe, të tjerë, të cilët qëndrojnë në mesoren e artë, edhe ashtu, edhe kështu.
Dje, kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Kumbaro, u takuan me artistë të ndryshëm, të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër përfaqësojnë tri dramat e shfaqura deri tani.
Një ditë më parë, zonja që drejton një komision parlamentar mblodhi “të vetët” dhe një pjesë seleksionuese të artistëve dhe bëri apologjinë e partisë, dhe, duke hyrë në lojë, rëndoi politikën mbi artin.
Në takimin e opozitës dominoi thirrja “vdesim dhe teatrin nuk e lëshojmë”. Një ngërdheshje bashiane përmbysi kupën e asaj që mund të ishte menduar “kur shpirti të dhëmb nga mungesa e artit”.
Të dyja palët janë tashmë para një dileme: opozita dhe një pjesë e artistëve të revoltuar përbetohen për shembjen e qeverisë. Qeveria, që edhe kësaj here, një pjesë e saj e vonuar, bëri thirrje për zgjidhje.
Çfarë do të ndodhë?
Kush do e shembë tjetrin?
Qeveria teatrin? Apo teatri qeverinë?
Qeveria duket se do marrë vendimin për të shembur godinën e teatrit kombëtar!
Artistët kanë thënë se në këtë rast ata do të shembin qeverinë! Jo të gjithë, kuptohet.
Mes dy qëndrimeve, atij opozitar dhe radikal brenda artistëve e të qeverisë është një hendek i madh që nuk mbushet dot me fjalë dhe nuk plotësohet dot përmes heshtjes. Qeveria dje, përmes Veliajt, u përpoq të fillojë fjala.
Pozita thërret në ndihmë vjetërsinë e godinës, përkohshmërinë e kohës së ndërtimit, veprën e një arkitekti të zot, pamundësinë e saj financiare për të bërë një godinë të re 30 milionë euro.
Artistët sjellin në ndihmë kujtesën, emrat e mëdhenj dhe…opozitën. Kjo e fundit sjell në skenë mashtrimin. Duke sjellë mashtrimin, përmbys gjendjen.
Pozita përpiqet të spejgojë përmes fondeve 13 vjeçare se ajo vetë nuk ka forcë për të ngritur një teatër të ri kombëtar ose të bëjë modernizimin e këtij që është sot.
Opozita vazhdon me lojën e saj meskine. Fut në skenë relatorë, deputetë, avoketër…Artistët nuk pyesin asnjëherë përse kjo opozitë, sot flamurtare, kur vodhi mbi 230 milionë euro në Rrugën e Kombit, ku ishte “prijës” shefi i sotëm i opozitës, Basha, nuk u kujtua për ngritjen, rindërtimin apo modernizimin e këtij teatrit, por sot, pikërisht tani, i fryn urat e zjarrit me dëshirën për të ngrohur duart!
Po diskutohet me zjarr se cila do të jetë e ardhmja e teatrit kombëtar? Do të prishet dhe të ngrihet një teatër i ri apo do të ruhet? Është një ndërtesë në rrezik apo një vlerë monumentale? është një shtëpi që duhet hedhur apo një godinë kujtese?
Do të jetë ai që është sot, si një relike, apo do të ngrihet një i ri?
Në të vërtetë ajo është streha e një plejade të jashtëzakonshme të njerëzve të artit, të cilët, edhe pse përmes një dramaturgjie të politizuar, përsëri kanë bërë epokën e tyre. Çka ka dëshmuar se artistët e mëdhenj dalin edhe jashtë kornizës së kohës.
Nga ana tjetër, në atë skenë janë luajtur me mjeshtëri të madhe vepra të një rëndësie të veçantë ndërkombëtare, që nga “Hamleti” dhe deri tek “Arturo Ui”, ku kanë shkëlqyer figurat mitike të artit tonë.
Nga artistët e mëdhenj, të cilët bënë epokë, jetojnë vetëm një dorë e vogël e tyre. Ndrenika, Anagnosti, Kurti, Ljarja, Paja,Arbana, e ndonjë tjetër…mjerisht koha e tyre si artistë mbaroi në vitin 1990. Filloi jeta e tyre si njerëz të politikës. Dhe,,po për fat të keq , mbeti si strehë e politikës.
Opozitarët e sotëm ndoshta e kanë harruar se si i gjuanin me gurë fjalësh dhe helm medial figurat e mëdha të artit si Kadri Roshi dhe Violeta Manushi, që pëlqyen të ishin socialistë; ndoshta nuk e kanë harruar se si, menjëherë pas largimit nga jeta të Dritëroit të madh nxorën gjithëfarë marmaqesh, dhe thanë se patriarku i letrave shqipe kishte qenë një shkrimtar i rëndomtë, përkthyes i verbër, vetëm se nuk ishte “njeriu i tyre”, dhe në këtë teatër dikur ishin vënë dramat e komeditë e tij. Ndoshta shpejt e kanë harruar se si shumë vlera u hodhën rrugëve dhe u mbyllën për to dyert e teatrit, filmit…të gjitha. I lanë të hapur rrugën e kafeneve. Asnjëherë, askush prej tyre, kur ishin në pushtet, nuk u kujtuan për këtë brez fatkeq, por emërmadh…
Tani , kur duan t’i hapin një rikthim të politikës, me thirrje alarmante e delirante, del përsëri në skenë lloji marmarqëve që bën thirrje të shtrihen në rrugë….ndërsa vetë do të jenë diku tjetër….nuk janë shtrirë kurrë dhe nuk do të shtrihen kurrë…Artistë që është e vështirë t’i njohësh dhe ku janë sot bëjnë thirrje patetike se ” i erdhi fundi qeverisë” dhe mendojnë se ky është roli i ri që ua shkroi opozita.
Ata, artistët d mëdhenj, u bënë heronj të jetës së përditshme sepse luajtën në role heronjsh; nuk mund të jesh hero duke u kthyer kundër asaj përmes së cilës je rritur. Bujari, për shembull, ishte një Avni Rustem i shkëlqyer në film, por jeta është ndryshe, aq më tepër që opozita që e përkëdhel sot e quan Avniun një terrorist të rëndomtë dhe Esat Pashën një figurë madhore atdhetare. Meqenëse është shëndoshur ca, mos i shkon në mendje dikujt nga opozita që një ditë të ardhshme Bujari të luajë edhe rolin e Esatit “atdhetar”? Se opozita vetëm këtë mund t’i afrojë? E dua fort Bujar Asqeriun; në shtëpinë time, edhe pse djemtë kanë ikur të rinj, përmes TV e duan njëlloj si ne të rriturit,
Turri “artdashës” i opozitës drejt një lëvizje të çuditshme….edhe pse në radhët e tyre, edhe ata artistë që ishin dikur, nuk janë më.
Një figurë të shquar të artit, poetin Visar Zhiti, ish presidenti i tyre e shpalli bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, megjithëse kishte qenë deputet dhe ministër në qeverinë Berisha dhe kishte vuajtur në burgjet e komunizmit aq shumë vite sa kishte bërë qejf Nishani në të njëjtën kohë/
Deputetët artistë që kishin dikur , si Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku etj i harruan sapo i hoqën…kujtohen tani kur zemërimi artistik mund të jetë sinjal për të fituar disa hapa në luftën kundër qeverisë.
Qeveria, nga ana tjetër, mendon lehtësisht se artistët janë të manovrueshëm dhe se me arrogancë nuk duhet t’i pyesë. Artistët, në fakt, janë mësuar të dëgjohen dhe jo të dëgjojnë.
Përballja dhe jo ikja; fjala dhe jo heshtja; qëndrimi e jo braktisja; dialogu dhe jo monologu, vizioni dhe jo arroganca duhet të ishin sot në një komision parlamentar, ku, më shumë se kudo tjetër, duhet të jetë përballja e saktësueshme qetësisht se çka është më e mira e nmjë teatri që më shumë se sa qeveria duket se do e shembë mediokriteti dhe arroganca e njerëzve të skajuar politikisht.
Në këtë gjuhë të ashpër dikush mendon njëra do të shembet: qeveria apo teatrit?
Koha nuk është e largët.
Sikur të ishe mendja më e afërt!
Leave a Reply