2018, që sapo shkoi, ka qenë ndoshta viti më i çuditshëm në qeverisjen socialiste të Rilindjes.
I tejmbushur me ngjarje, rrëshqitje politike dhe acarime të skajshme, kapërthime të habitshme dhe anashkalime të papritura; rehabilitime kryeministrore dhe shpërthime të zemërimit, mohim vlerash dhe lartësim të antivlerave; ka qenë i papritur nga protestat e pakontrolluara nga askush dhe të shushatura nga anonimati; vit, në të cilin askush nuk e mori vesh mirë se çfarë synonte qeveria dhe se çfarë kërkonte opozita dhe që në fund të fundit, në ditët e dhjetorit, të dy palët e politikës, papritur e ndjenë veten jashtë lojës.
Viti 2018 do të mbahet mend si piku i shpërthimit të PPP-ve, të cilat, veç qeveritarëve, pak kush ua di kuptimin e së ardhmes së tyre dhe që ende nuk kanë ngjallur zemërimin e një shumice të heshtur, pasi, si të gjithë borxhet që nuk duken, ai shembëllen i largët; do të mbahet mend si çasti i daljes së demonëve nga shishet e politikës dhe që bënë përmbysje në konceptin e shtetit dhe të ligjeve të tij; vit, përmes së cilit mund të rrënohet shpresa dhe mund të lindë një shpresë tjetër.
Banorët e rrethinave kuksiane, si në një zemërim të beftë, përmbysën trarët e pagesës së rrugës së njohur si Rruga e Kombit dhe e bënë qeverinë të mendonte më qetësisht dhe të tërhiqej dalngadalë drejt një mendimi më të arsyeshëm; në një rrugë të Tiranës u ngall idea e revoltës së skajuar dhe ndoshta ishte pikërisht ky skajim i zgjatur që solli një të vërtetë të pabesueshme: një recepsionist, duke bërë gjoja se po tallet me shtetin, mund të krijonte një firmë fantazmë, të manipulonte letra dhe shkresa, për të cilën, në mënyrën më qesharake të mundshme, askush nga titullarët e lartë nuk kishin ditur gjë dhe, po ashtu, duke bërë të paditurin, i kishin hapur rrugën një biznesmeni, përherë qeveritar, i cili, me dorën e majtë shpërblente qeveritarët e së djathtës dhe me dorën e djathtë kujtohej për qeveritarët e së majtës.
Do të mbahet mend viti që shkoi për shpërthimin politik kryeministror në rehabilitimin pa shkak e pa arsye të një figure kolaboracioniste dhe përpjekjen e tij për të na mbushur mendjen se ai paska qenë atdhetar i madh dhe të tjerët duhet të mbyllnin gojën. Këtë e bëri me zell të madh duke na kujtuar më tepër Edi Ramën e vitit 1991, kur kërkonte me zell abstrakt linçimin politik të socialistëve që i erdhi rradha të drejtojë sot.
Do të mbahet mend si viti kur shefi i qeverisë, me një të goditur, këputi emrat e shtatë ministrave, më të rëndësishmit në kabinetin e tij, përmes një gjetje alla “Edi”, keni pesë vite në qeverisje, dhe, më pas, i lëvdoi në një kulm jetëshkrimor, sikur po bënte apologjinë e tyre.
E megjithatë, në këtë vit, disi i prapshtë dhe disi shpresëdhënës, pra, mes shpresës dhe zhgënjimit, kishte vlera të mëdha, të cilat, duke qenë jashtë strukturës së shtetit dhe, po ashtu, edhe më shumë, jashtë opozitës, dhanë një mesazh, i cili edhe pse është ende i zbehtë, synon të krijojë një ndriçim më të madh.
Mes këtyre vlerave dhe antivlerave të krijuara, bëjnë përdallim dy sosh: njeriu i heshtur që kërkon të drejtën e tij dhe njeriu i pangopur që synon të gllabërojë më tej gjithçka që i ishte vënë përpara ose që mendon se duhet të ketë të veten.
Njeriu i vitit, në mendimin tim, është pikërisht njeriu i heshtur që proteston.
Çdo qeveri, nëse ndaj saj nuk ka protestë, është e destinuar të bjerë. Një qeveri absolutisht të dashur e pa gabime, nuk ka dhe nuk mund të ketë. “Rilindja” i takon atyre qeverive që gabimet i ka të ndjesh, e por reflektimin ndaj tyre nuk e ka aq për zemër.
Njeriu që proteston, pa pyetur partitë dhe pa besuar në qënien e tyre, është pikërisht ai që shkundi vendin dhe nisi një ripërtëritje të mendimit të shpresës. I dalë nga anonimati, i bërë njësh në një mijë, dhjetë mijë apo njëqind mijë fytyra, ai tregoi se, edhe kur lëvizja është amorfe, pa drejtues të njohur, pa një program politik të përcaktuar, është e fuqishme dhe, ndërsa i bie shpullë qeverisë, ajo detyrohet t’i kthejë edhe faqen tjetër, pasi ka drojë se pas kësaj goditjeje mund të vijë një goditje fatale.
Askush nuk e di, ende sot, se cili ishte njeriu që ngriti banorët e Kukësit, ku u bashkuan edhe disa shqiptarë të Kosovës, për të përmbysur një vendim qeveritar, i marrë nga zyrat qeveritare, pa e ditur aspak se pas tij ishin mijëra njerëz.
Askush nuk e di, ende sot, se nga erdhi, cili i nxiti banorët e kryeqytetit për të bërë bllokimin e rrugës, që, edhe pse duhet bërë një hapje më e madhe, përsëri është një zhvillim i ri, i panjohur në këtë shkallë, që solli edhe një përceptim tjetër: nuk bëhen gjërat pa njohur hallin njerëzor.
Asnjë nuk e ka të qartë se cilët janë liderët e protestës studentore. Një lëvizje që përjashtoi nga vetja pozitë dhe opozitë, duke qenë vetë një lëvizje politike, për herë të parë, krejt qartas, dëshmoi se pozitë e opozitë mund të bëhen bashkë për të banalizuar fillimisht e pastaj, për të mbytur një lëvizje politike që rrezikon statukuonë e tyre 30 vjeçare.
Mendimi se kjo është një lëvizje neomarksiste, kundër së cilës hodhën gurët e tyre, pozita e së majtës dhe opozita e së djathtës, sjell të domodoshmen, krijimin e një force të re politike, e cila do të kishte mundur të bëjë për vete një mendim të ri dhe shkallmimin e një klase politike thellësisht të degjeneruar, forcërisht të pasuruar, kapëse e shtetit dhe mallkim i qytetarëve.
Është e mundur që Njeriu i vitit 2018, pikërisht njeriu i heshtur që proteston, të mbetë pa zërin e tij në këtë vit, dhe shenjat e para janë dhënë. Është e mundur që tentakulat e partive, që janë zgjatur drejt saj, ta mbërthejnë fuqishëm dhe asfiksojnë, por shenjën, sinjalin dhe dëshminë e tyre e kanë dhënë.
Kjo është e rëndësishme. Dhe është më kryesorja e vitit që shkoi.
Antinjeriu i vitit është përmbledhur në figurën e një politkiani tejet mjeran, i cili i dalë nga anonimati, të sjell ndër mend liliputët apo çiçikovizmin në politikë, por që të mbush mendjen se ky vend nuk ka një të ardhme, nëse vazhdon të ketë në skenë vemjezim të njeriut politik..
Ka shumë të tillë, në të dy krahët, të cilët mbushin atë sallë që, nga bekim, si duhej, është kthyer në shernajë , si nuk duhet.
Njëri nga ata njihet më shumë si djali i Fahriut, se sa me emrin e tij të vërtetë. Thonë se me ndihmën e parave të babait, fituar ose në Gërdec , ose në rrugët e pambaruara, fshehur pas gjithëfarë bijsh, bijash, kunatash dhe kunetërish, ka studjuar jashtë shtetit, nga ku kanë ardhur edhe disa foto mediokre, të një njeriu që mund të bëhej shumëçka, por kurrë nuk mund të mendohej se do të ishte njeri i politikës. Ky është edhe mjerimi i politikës, pasi, pak herë, për të të mos thënë askurrë, nuk përfaqëson njeriun që duhet, por njeriun që caktohet.
E kanë deleguar në parlament miqësitë e të atit, lidhjet e tij, paratë e dhëna, agesiviteti dhe mendimi se nuk mund të jetë i mirë për asgjë, por ama bën për vetë figurën që kemi krijuar për një deputet: agresiv – ku nuk duhet, me mendim të çartur – ku duhet të heshtë, i heshtur- kur duhet të flasë.
E kam parë në pamjet TV gjatë disa seancave jetësore. I gjindshëm ku i kanë thënë të jetë dhe agresiv në të shprehur, sikur mbi forcën e fjalës së tij qëndron e ardhmja. Kërcënues, i zhgënjyer, gënjyes, humbësshprese dhe vetë i pashpresë – këto nuk janë tiparet e vetëm një rioshi që e sollën në parlament, këto janë e përbashkta e dhjetëra e dhjetëra deputetëve që, të heshtur, shërbejnë më mirë se sa mendimtarë e shprehës.
Nëse kemi një përsonazh të vitit, njeriun e panjohur që proteston, e kemi edhe një antinjeri të vitit, politikanin që i detyruar të çirret, të jetë i pranishëm në çdo sherrnajë, na e zbeh dëshirën për të qenë në këtë vend, për të qenë i dobishëm dhe i pranishëm.
Në fakt, Shqiprinë, po e zhbëjnë politikanët. Kjo farë politikanësh, që pa pasur asnjë vlerë njerëzore apo intelektuale, krejt papritur futet në radhët e baballarëve të kombit, për të zhbërë pikërisht kombin.
Dhe do të kemi shumë të tillë, nëse ligji fatkob, mjerisht kushtetues, që vendos gjithçka në duart e shefave partiakë, të mos zhbëhet.
Sepse po shkojmë, me dashje dhe të bindur, drejt sistemit politik dy krerësh, që alternohen, duke sjellë fatkeqësi.
Leave a Reply