Nga Bedri Islami
Në ditët e fundit, dy institucionet kryesore të Sigurisë, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe struktura të rëndësishme jashtë tyre, që po ashtu monitorojnë zhvillimet në të dy shtetet, kanë bërë sondazhet përkatëse rreth dëshirës së shtetasve respektivë në dëshirën e tyre për bashkimin në një shtet të vetëm.
Pas shumë deklaratave politike të liderëve në dy anët e kufirit, herë deklarata thjeshtë politike, më shpesh kontradiktore e rrallë herë ashtu si duhet, ka qenë e domosdoshme të shkohet edhe përtej tyre, pra të njësohet në një mendim të arsyetuar ajo që deklaronin njerëzit e politikës, me atë që duan njerëzit e zakonshëm.
Konkluzioni ka qenë i papritur dhe, për disa struktura jashtë shteteve shqiptare, ka qenë disi qetësues.
Rreth 28 për qind e banorëve të Shqipërisë londineze e kanë parë si një të ardhme të natyrshme bashkimin kombëtar, ndërsa në shtetin e Kosovës ka qenë disi më lart, rreth 33 për qind.
Një përqindje e tillë, në dy anët e kufirit, ka qenë dërmuese për politikën, të cilët, si edhe herë të tjera kanë menduar e vazhdojnë të mendojnë se mjafton deklarimi i tyre apo shpallja e vetvetes si patriotë të dorës së parë, dhe gjithçka tjetër do të ishte e bindshme, e paqtë, e urtë dhe e sigurt.
Shifrat kanë qenë dërmuese për shumë njerëz, të cilët kanë pritur shumë më ndryshe dhe kanë qenë të përkëdhelur nga ideja e bashkimit të shqiptarëve, mes të tjerëve, edhe për autorin e këtij shkrimi, i cili, në një moment të veçantë të jetës së tij u bashkua me lëvizjen çlirimtare në Kosovë, pikërisht se ata aspironin dhe kishin programuar në mendimin politik bashkimin e kombit.
Përse po ndodh kjo ndarje mes njerëzve të një kombi? cila dhunë apo trysni është ushtruar mbi mendimin e tyre, gjë që ka çuar drejt regresit një dëshirë të kahmotshme. Kur kam takuar për herë të parë një njeri të moshuar nga Gilani, që kishte ardhur tek i biri, kam dëgjuar nga ai përbetimin, “Pasha atë kohë kur kem kenë Shqypni!”,megjithëse kishte qenë kohë pushtimi.
Në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, mars 1991 dhe mars 1992, të gjitha partitë politike shqiptare, në programin e tyre kishin vënë bashkimin kombëtar, bile lideri i PD-së, Berisha, duke shkuar edhe më tej e shpallte bashkimin çështje ditësh a muajsh, mjaftonte të fitonte partia e tij.
Asnjëra nga këto forca politike nuk e kishin përgatitur popullin për bashkim, sepse duke qenë thuajse të gjithë nga trupat drejtuese, komunistë të skalionit të dytë, ose ishin të padukshëm, ose nuk kishin as forcën dhe as mundësinë të shpallnin opsionin e tyre politik.
Shqiptarët në Kosovë, para vitit 1990 , vraponin me orë të tëra, nga hera edhe natën ecnin, rrugë e pa rrugë, që të ishin në auditorë për të dëgjuar ligjëratat e Çabejt, Budës, Kostallarit, të shikonin Kadarenë, Agollin, të këndonin e kërcenin me ansamblet e Shqipërisë, të qanin, të dhuronin, të lumturoheshin se kishin prekur pak tokë Shqipërie.
Tani gjithçka është e hapur. Mund të shkosh të pish një kafe në Prizren, të drekosh në Mitrovicë dhe në mbrëmje të pushosh në Durrës.
Ishte hapja shkaku i ftohjes? Mos vallë, duke u njohur edhe u ftohëm nga njëri-tjetri?
Viti 1999, viti i dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga hordhitë serbe dëshmon se nuk ishte e nuk mund të jetë njohja. Ndoshta ishte shfaqja më madhore e dëshirës për jetë të përbashkët, për halle e dëshira të përbashkëta. Ishte viti monumental i bashkimit, kur kufijtë ranë, kur u njësua mendimi dhe u përballua një situatë , e cila, po të kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër, me siguri NOBELISTËT do kishin nderuar qytetin kufitar, si Kukësi, me çmimin e tyre, dhe do e kishin pasur për nder.
Me joshjen e bashkimit politikanët luajnë shpesh herë si me karta të njohura. Këto karta, sipas një sondazhi, po bien. Tani vetëm një forcë politike ka në programin e saj idenë e Bashkimit, Lëvizja VV, ndërsa të tjerat e kanë hequr atë që në zgjedhjet e majit të vitit 1996. Aty filloi edhe rënia. Asnjë forcë politike nuk e vendosi më bashkimin dhe rastësisht në këtë prag zgjedhjesh, duke u takuar me liderë të njohur të PD-së, Pjetër Arbnori , dhe të PS-së, Shaqir Vukaj, kryetar dhe nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë, që të dy, njëri nëpër dhëmbë dhe tjetri sinqerisht, pranuan se, vendosja e këtij nocioni, i dëmtonte në votimet e ardhshme.
Shkaku themelor nuk është tek njerëzit e zakonshëm. Viti 1999 i ka bashkuar njerëzit dhe ende sot, miqësia e atyre javëve dhe muajve, i ka qëndruar kohës.
Ndarja erdhi nga njerëzit e politikës, të cilët, sa më shumë çirreshin për bashkim, aq më shumë e largonin bashkimin dhe e largojnë ende.
Alibia se pas kësaj shkëputje qëndron politika e Berishës është e njëanshme dhe jo e plotë. Është e vërtetë se, pikërisht me ardhjen e tij në pushtetin presidencial, në Shqipëri vërshuan dhjetëra e dhjetëra bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, që mes të tjerave kishin edhe misionin e shkatërrimit të idesë së bashkimit, qoftë edhe shpirtëror, por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme.
Berisha është fajtori i madh, por jo i vetmi. Ai do të mbetet njeriu i politikës që synoi, qoftë edhe me forcë, të depërtonte në politikën e shqiptarëve të Kosovës, të hiqej si paternalisti më i madh dhe atdhetari më i shquar, nacionalist i dorës së parë dhe përdori dhe u mbështet në fakt tek antikombëtarët dhe një brez titist i pashoq në durimin e ndjenjës kombëtare.
Duke mos qenë i vetmi, ai, Berisha, e përshpejton fajin tragjik me liderët e tjerë, që aq shkujdesshëm dhe paturpësisht, përtallën idenë, shkelën mbi një të drejtë të natyrshme, duke krijuar tarafe politike dhe jo ndjenjë përbashkuese.
Në Kosovë kjo u bë qëllimisht, me çdo gjë të planifikuar, që nga ndërtuesit e parë të Lidhjes Demokratike, që u ngrit në zyrat e gazetës “Rilindja”,organi zyrtar i Lidhjes Komuniste, nga pesë gazetarë, katër nga të cilët ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të fshehtë serb, njëjtë sikur PD-ja të krijohej nga 5 gazetarë të “Zërit të Popullit”, komunistë të devotshëm, si Balliu me të tjerë, që tani përfitojnë bonuset e trashëgimisë përdhosëse njerëzore.
Në Kosovë ka qenë e domosdoshme të zhbëhej miti i Shqipërisë, si vendi ku në një moment vendosës mund të kishe shpatullat e mbështetura, si një triumf i forcave titiste e udbashe në udhëheqjen e tyre politike dhe si dërrmim i qindra njerëzve të dënuar për irredentizëm dhe përpjekje për bashkim me Shqipërisë, të cilët, së bashku, në 50 vite titizëm, bënë më tej se 122 mijë vite burg dhe lanë pas 41 mijë të vrarë.
Në Shqipëri, ku lobi serb ishte i pranishëm, qoftë në sallën e parlamentit apo në qeveri të ndryshme, si është rasti i “Pashtrikut” që arriti të jetë edhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Kosova vazhdoi të shihej si një domen, përmes së cilës mund të influencohej në politikën e jashtme; ajo përdorej si një gur shahu që mund t lëvizte sipas dëshirës së Tiranës dhe që dërmohej në Prishtinë.
Kjo duhmë politike solli mendimin në Kosovë se, mes dy forcave politike, PD-së dhe PS-së, fillimisht të zgjidhnin të parën, sepse u dukej më nacionaliste, më pranë tyre, më veriore, kur në fakt do të jetë e kundërta: kohët kur qeveriste e majta, janë edhe ato të pranisë më të madhe të mendimit të përbashkët.
Politika është ajo që dërmon vizionin e rilindësve dhe përpjekjet e burrave të shtetit.
Edhe sot ajo është e ndarë në parcela, të cilat po të ndjekësh rrugëtimin drejt tyre, nuk të çojnë në asnjë fryt të dobishëm.
Kemi dyshe të krijuara gjithandej: Rama me Thaçin, dhe kush e qorton apo e shan këtë të fundit, është “gomar”; në kahun tjetër Meta dhe Haradinaj, Kurti kërkon një partner dhe, megjithëse shpalli pranverën shqiptare, në të vërtetë do të ishte një antipranverë shqiptare, shumë vetë besojnë tek ai.
Si mund të kërkohet një bashkim shqiptarësh me këtë klasë parapolitike që kemi; me brejtës të pasurisë dhe gëlltitës të vlerave të mëdha; një klasë politike që akuzon njëra tjetrën për vrasje, vjedhje, tradhti kombëtare, shitje tek serbi, tek greku; një parti politike që gjithë natën ëndërron Amerikën dhe në mëngjes i kërleshet asaj; njerëz të politikës që bëjnë namin në Beograd dhe tkurren në Tiranë; politikanë të vjetër që dyshohen me një nisje serbe dhe sjellin në udhëheqje pinjollë të lidhur me bosat e fushës kriminale dhe politike të shërbimit të fshehtë serb; një klasë politike që sjell në Shqipëri apo dërgon në Kosovë figura të rënduara nga e shkuara me shërbimet politike të një kohe të shkuar?
Ne kemi njerëz të pasur të politikës, ndoshta më të pasurit në Ballkan, kur të gjithë e kanë filluar nga zeroja e para pak viteve, të cilët, ndërsa takohen me njëri tjetrin, më shumë i rëndojnë temat e bisedave nga tenderët, se sa nga njerëzit. Milionerë të politikës që nuk bëhen njerëz, këto nuk mund të ngjallin besim se mund të kemi një të ardhme të përbashkët.
Sepse njerëzit më shumë mendojnë se të shpëtojnë prej tyre, se sa të bien nën një “zgjedhë” të dyfishtë.
Askush nuk është i fajshëm në anketimet e fundit.
Ajo ka vetëm një emër: klasa para-politike shqiptare, në dy anët e kufirit, e cila kur të mos jetë më në politikë, mund të frymojnë të tjerët.
Leave a Reply