Nga Bedri Islami
28 vite më parë, pikërisht në këtë datë, 7 dhjetor 1990, rastisi të isha në qytetin Studenti.
Shefi im i gazetës, Spiro Dede, më kishte dërguar për të ndjekur një takim të studentëve me disa nga figurat e njohura politike të kohës. Kam shkruar më herët për këtë takim, i cili ishte si parafjala e asaj që do të ndodhte. Vetëm disa orë më vonë.
Ishte një qiell gri që kishte rënë mbi qytet dhe asgjë nuk ishte entuziaste. Po ashtu, asgjë nuk paralajmëronte se asaj nate do të krisnin përfundimisht gjithë godinat e sistemit komunist dhe në mbrëmje vonë, duke u nisur nga një thirrje krejt e zakonshme, si “duam drita”, (ende është enigmë se kush i shoi dritat në të gjithë qytetin Studenti), do të fillonte lëvizja pluraliste në Shqipëri, përmes së cilës, sistemi i shkuar, po binte si një mollë e prishur.
Mbrëmja e 7 dhjetorit 1990 ka dhjetëra enigma, secila prej tyre është një rrugë nga e djeshmja ose një rruginë prej diku tjetër drejt vendit tonë.
Mbi të gjitha ajo është edhe fillesa e enigmave të ardhshme, disa nga të cilat të çojnë edhe tek 7 dhjetori i këtij viti.
Koha është e pamjaftueshme për të sqaruar të gjitha enigmat e asaj nate, e cila, edhe pse ndryshoi rrugëtimin politik të vendit, nuk solli atë që ishte pritur.
Sot, përsëri 7 dhjetor, studentët janë në demonstrimin e tyre. E filluar si, “duam drita”, por nën petkun e ri, “jo pagesa për lëndët e kreditë e prapambetura“, ajo po zgjeron vazhdimisht vorbullën dhe askush nuk e di se deri ku do të jetë zgjerimi i saj.
Sado që të flitet për tarifa dhe mospagesa, rrënjëzimi i kësaj lëvizje, së cilës, me dëshirë, do i ishte bashkuar edhe shefi i qeverisë, është shumë më thellë. Është në politikën heshtëse të qeverisë ndaj vetë reformimit të plotë të sistemit arsimor. Është në gabimet që janë bërë në 28 vite duke shkelmuar gjithë atë traditë të mrekullueshme që kishte krijuar një brez i shkëlqyer profesorësh me emër, të cilët sollën në Shqipëri përvojën më të mirë nga ata vetë kishin kaluar.
28 vite më parë ndodhi një fenomen i pabesuar: studentët shkallmuan politikën, por politika shkallmoi arsimin, duke e bërë atë një lëmë, ku secili ministër apo shef qeverie mund të shinte si të donte dhe sa të donte.
Ajo që ndodh sot me lëvizjen studentore është hakmarrja e mohimit të çdo vlere dhe përfitimi mbi mendësinë e studentëve, të cilët, duhet thënë, shpesh herë e morën aq lehtësisht shkollimin e tyre, sa që e zhvendosën orarin e tyre më shumë në kafenetë se sa në auditorë.
Nëse sot, shefi i qeverisë do të donte të ishte një protestues, atëherë duhej ta kishte menduar më herët se një ditë e tillë do të vinte mbi qeverinë e tij dhe të mos priste çastin e fundit për krijimin e kushteve të duhura.
Studentët e ndjejnë veten sot heronjtë e rinj, por edhe 28 vite më parë ashtu ndjeheshin. Analogji e dhimbshme.
Megjithëse në pamjen e jashtme nuk është një lëvizje politike, në fakt, edhe me ato që janë paraqitur deri tani, të cilat shtohen përherë e më shumë, lëvizja ka brendinë e saj politike dhe, shumë shpejt do të jetë thellësisht politike. Është një lëvizje politike opozitare, e cila mund të përjashtojë opozitën e tashme, për të qenë ajo vetë një opozitë e nesërme.
Në fakt, lëvizja studentore do shkërmoqë ujët e ndenjur të politikës. Megjithëse mund të duket si një lëvizje e llastuar, ajo do të ketë në vete shpërthimin e mjaft energjive të paditura. Ndonëse duket si një lëvizje me thelbin e saj financimet apo uljet e tarifave, shumë shpejt ajo do të ketë liderët e saj, të dukshëm dhe të padukshëm.
28 vite më parë, ndërsa studentët kërkonin fillimisht drita, kushte më të mira në konvikte, gjellë më të shijshme, presidenti i kohës, Ramiz Alia, u tha se “nëse këto janë kërkesat tuaja, atëherë kot keni ardhur tek unë”. Dhe, u afroi pluripartizmin e bashkë me të edhe liderët e ardhshëm.
Të gjithë, Sali Berisha, Nano, Gjinushi, Godo, kaluan nga dera e Alisë drejt godinave partiake.
Të gjithë ishin skalioni i dytë i komunistëve, të cilët, duke përjashtuar shefin e republikanëve, ishin anëtarë të devotshëm të Partisë së Punës dhe mblodhën rreth vetes rrethin e tyre komunist dhe krijuan kështu qarkun vicioz të ndarjes së pushtetit sipas një cikli 8 vjeçar: herë majtas e herë djathtas.
Mos qoftë e thënë që, edhe liderët studentorë që shumë shpejt do të jenë të njohur në arat e politikës, të jenë të deleguar të forcave politike.
Studentët protestojnë këto ditë, të paktën deri tani, për pagesa më të vogla, fillimisht përgjysmimin e më pas heqjen fare të tarifave; përsëri, si dikur, për kushte normale në konvikte, ndërsa për fat të keq, zëra të vetmuar e të paktë edhe për më shumë dije. Janë kaq të vetmuar zërat e fundit sa që nuk dëgjohen.
Sot dëgjova një thirrje të vjetër, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Kjo thirrje ishte edhe para 28 viteve.
Kohë e humbur apo kohë e çartur!
Nëse 28 vite pas i rikthehemi të njëjtës thirrje kjo do të thotë se nuk kemi qenë askund deri tani.
Do të thotë se klasa politike që thirri Alia e që këto thirrën më pas shokët e miqtë e tyre, vërtet u bënë të pasur për vete, por këtë vend e varfëruan, edhe si ide, edhe si mirëqenie, edhe si vizion.
Jam i bindur se lëvizja e tashme e studentëve shumë shpejt do të ketë nuancën e vet thellësisht politike. Do të ishte e pamundur që një opozitë që bëhet me protestuesit edhe kur shembet një banesë të mos e rrokë këtë art.
Vetëm se materialisht nuk do të mund të përfitojnë prej saj.
Studentët përsëri në rrugë.
Përsëri dhjetor. Dimër.
E njëjta thirrje si e një brezi tjetër.
Kohë e humbur!
Që të mos jetë kohë e humbur gjërave u duhet shkuar deri në fund.
Leave a Reply