Dje, në gjykatën e Lezhës ishte një skenë groteske: një shesh i vogël i rrethuar, protestues me çadra që i tundnin si flamurë betejash, thirrje në kor, policë të lagur në shi, që përpiqeshin të gjenin një çast pushimi, makina që lëviznin në atë shesh të vogël, ardhja e 12 të arrestuarve dhe pritja me ankth e një seance që dihej se si do të përfundonte.
Në sallë presioni ishte më i vogël se sa jashtë saj, ndërkohë që kryetari i bashkisë, jashtëzakonisht i qetë, pa u tronditur nga ajo që ndodhte rreth e rreth tij, dha mesazhin për vazhdimin e punës, duke u kujdesur për një grumbull dherash, diku buzë kalasë, si të ishte duke hyrë në zyrën e tij.
Nuk e di nëse janë fajtorë apo jo të akuzuarit. Kjo nuk është një gjë që më takon në këtë moment. Të gjithë do të rrinë për disa ditë në arrest shtëpie dhe, si ka ndodhur jo pak herë, një ditë e ardhshme do i gjejë rishtas në zyrat e zakonshme.
Të gjithë ata që prisnin se ranë kambanat për “peshqit e mëdhenj” mbetën të zhgënjyer. Në fakt , duhej të ishin të zhgënjyer që më herët, se vërtet Lezha e ka detin afër, por peshkaqenët e korrupsionit janë disa dhjetëra kilometra larg saj.
Paragjyqi, nëse mund ta quaj kështu, u shoqërua me një deklaratë të Bashës, fillimisht paksa e butë, sikur të donte të lante duart nga “tradhtari” që kishte ngrënë drekë me armikun e tij kryeministër; pastaj u kujtua se pas shefit të bashkisë kishte mijëra njerëz dhe e rriti pak tonin; e ndjeu se edhe kjo ishte e pamjaftueshme dhe nxori Palokën, që po bëhej gati të dëbonte “xhindet” e kanabisit në një hetim parlamentar, i cili, si për t’i dhënë zemër vetes kërcënoi deri në përplasje të fortë, dhe ai kurrë nuk flet për përplasen e asaj që nuk e ka, të mendimit; dhe, kur po vinte fundi ngriti strukturat e tij të protestonin në Lezhë.
Politika edhe një herë ia hipi drejtësisë dhe, pikërisht asaj pjese që pak ditë më parë i kishte marrë në mbrojtje ish shefi i partisë, Berisha, gjykatës,duke i bërë ata lule dhe prokurorinë, që nuk e ka nën pushtet aq fort si dikur, djall me brirë.
Kaq ishte ngjarja rutinë që u shfaq dje në Lezhë. Njerëzit mësuan për “Ranën e hedhun”, panë disa pamje plazhore, pastaj disa njerëz që po i dërgonin në gjykatë, duke i qëndruar secilit nga dy policë duar mbërthyer, kjo të kujtonte atë shprehjen e njohur “policia në krye të detyrës” dhe në fund, një gjyqtar që ngutej të lexonte një vendim me zë të marrë nga droja apo nga ajo që po ndodhte.
Por e gjitha para vetes shtron një çështje që nuk i takon rastit të Lezhës: është më e madhe dhe shtrohet në pyetjen: kur duhet të bëhen arrestimet e peshqve të mëdhenj, krokodilëve dhe peshkaqenëve politikë, financiarë, të drejtësisë.
A është kjo koha e duhur?
Është ky momenti kur ata duhen nxjerrë para një trupe gjykuese, e cila ende ka frikën e oligarkëve, jo vetëm nga hija e rëndë e tyre, por edhe nga që jo pak prej tyre kanë bashkëpunuar me to dhe kanë qenë partnerë të së njëjtës rrugë abuzimi?
A mundet, ta zëmë Gjin Gjoni apo Dritan Gina, Rovena Gashi e shumë të tjerë të hetojnë, analizojnë prangosin dhe të gjykojnë drejtë rastet më të dukshme të abuzimit me të drejtën e jetës (21 janari, Gërdeci, Azem Hajdari, 2 prilli etj); me rastet e pronës, (Rruga e Kombit, koncesionet, CEZ, ndërtimet e rrugëve, etj), a munden ata të gjykojnë dot Sali Berishën apo familjen e tij politike e ideologjike?
Shumë njerëz kanë pritur dhe shpresuar, mes tyre edhe unë, se qeveria Rama 1, e cila erdhi në pushtet edhe me sloganin e dërgimit në gjyq të të gjithë atyre që fshiheshin pas krimit, të bënte veprimet e para; të shtjellonte si duhej ngjarjen e rëndë vrastare të 21 janarit, të ngrinte edhe një herë në këmbë çështjen e Gërdecit, kush qëndron pas rastit të Kosta Trebickës, të Olldashit, çfarë fsheh në vete çështja më e nxehtë CEZ, edhe një mijë e një “patate” të nxehta të politikës dhe të krimit.
Ne kemi pritur të bien kambanat e drejtësisë që muajin e parë, që vitin e parë, jo se kemi në vete hakmarrjen, sepse askush nuk ka hak për të marrë, me përjashtim të atyre që u shuan familjarisht , por edhe ata kanë pritur nga drejtësia, por sepse njerëzve u ka ardhur në majë të hundës.
Ata ndjekin jetën luksoze të ish ministrave, të ministrave, pasuritë e tyre, harbimin e bijve dhe bijave, shohin se çanta e vajzës së ish prokurorit është më e lartë se rroga e tyre vjetore, dhe pastaj, si për ironi të tyre, dëgjojnë në parlament, të pangopurit nga luksi dhe vjedhja t’u qajnë hallin të pangopurve me bukë!
Ka njeri që mendon se Llalla, prokuror deri në 18 dhjetor do të dërgonte në gjyq Berishën? Ai pshurrej para emrit të tij. Shefi i prokurorisë së krimeve të rënda, më parë se të raportonte tek shefi i tij, i dërgonte Berishës mesazhet e para të ngjarjeve, dhe, ky i fundit, ia tundte qeverisë si t’i thoshte” ja, ku jam, ejani po të doni”. Bode, ish ministri i financave, po ashtu. Presioni ndaj drejtësisë është shumë më i madh se sa presioni i drejtësisë mbi krimin. Nuk mbeti zyrtar e gjysmë zyrtar i LSI-së pa e quajtur arrest politik procesin e Autostradës Tiranë – Elbasan. Edhe të larguarit nga formacionet e saj marrin në duar shpatën për copëtimin e drejtësisë, ku kanë qenë vetë më parë.
Adriatik Llalla ishte bërë një latifondist, si Shefqet Vërlaci. Me mijëra metra katrorë tokë e blerë si për fukarenjtë dhe e shitur si zengjinë. E merrte me dorën e majtë, që nuk mbante shumë, dhe, për pak ditë, e shiste me të djathtën që mbante pesha të rënda.
Rovena Gashi ka një pasuri të pashpallur prej më shumë se 2 milionë euro, 14 apartamente që dihen, njësi të mëdha shërbimi, bashkëshorti i saj mban në njërën dorë rrogën e të gjithë vitit, një orë mbi 210 mijë euro, me dhjetëra gjyqtarë jetojnë në vila luksoze, kanë depozita pa fund, sa rrezik të harrojnë edhe se ku i kanë, dalin jashtë shtetit në udhëtime të shtrenjta disa herë në vit dhe vetëm një udhëtim kushton sa paga e tyre mujore.
Të gjitha këto janë bërë publike. Nuk ka asnjë deklaratë, denoncim, apo qëndrim koherent ndaj këtyre akteve të njohur.
E gjithë opozita mund të ngrihet dhe të shkojë në Lezhë, dhe, dihet se në çfarë kushtesh do të ndodhet një gjyqtar që mallkon fatin që i ra atij në dorë kjo çështje.
Të gjithë ata që presin drejtësi në këto kushte, në vetëdijen e tyre e dinë se janë të humbur. Të jemi të qartë: askush nuk e merr përsipër të dënojë sot Sali Berishën, megjithëse ai e pranoi vetë, me zë dhe me figurë se vrasjet e 21 janarit ishin të tijat, ekskluzivitet i tij dhe se, po të afrohej shefi i opozitës mund ta vriste ai vetë, kryeministri i 21 janarit të vitit 2011. E thirri kush atë për këtë deklaratë skandal? Askush. As nuk do e thërrasë. Ndodh lobimi i Bashës.
Jo vetëm çështja ruse në lobim, por më e mprehtë janë paratë e zeza në këtë ngjarje. Basha, duke e ditur se gjyqësori është ende pronë e tij, sepse janë të njëjtët që e hidhnin dosjen e tij me përbuzje tek shkallët e prokurorisë, pa të keq, deklaron se 500 mijë dollarë i ka mbledhur një fondacion shqiptaro – amerikan.
Askush nuk e thërret se kush është ky fondacion, kush qëndron pas tij; janë vërtet njerëz që ndjekin rregullat e shtetit amerikan apo mund të jetë një grup mafioz, ndoshta i lidhur me qarqe jashtë vendit tonë, çka nuk do të kishte ndodhur për herë të parë.
Për shumë më pak se kaq, një lider historik, si Kohl, u braktis nga partia e tij, jetoi në heshtje, i harruar dhe mëkatar, megjithëse pak më parë kishte qenë heroi i vendit të tij.
Heroi i kujt është Basha që nuk deklaron një financim, i cili, mund të jetë normal, mund të jetë mafioz, mund të jetë dublant i një shërbimi të huaj sllav. Basha është heroi i rrugës së kombit që e masakroi, gjysmë hero i 21 janarit, për të mos hyrë në fillesat e tij politike.
Tani, le të mendojmë seriozisht: kush i nxjerr ata para gjyqit.
Në fakt, edhe ata e dinë se një ditë do të gjykohen. Ky vend nuk do të mbetet gjithnjë rob i marrjes së shtetit.
Ata, tani, si në rastin e Lezhës, po bëjnë provat e para për të shkuar drejt përballjes së ardhshme. Nuk shpëtojnë dot.
Puna është që kambanat e kohës së tyre të bien në orën e duhur, që të jenë vërtet kambanat ndëshkimit të së keqes dhe jo disa lule që do të thahen pa shkuar në gjykatë.
Me këta gjyqtarë, burgu i sigurisë së lartë në Reç, do të mbushet me ata që kanë abuzuar me dritat dje e me ujin sot.
Leave a Reply