Nga Bedri Islami
Pas disa ditësh vajza fatkeqe nga Nikla do të jetë harruar nga gazetarët, analistët, njerëzit e politikës, të ftuarit në studio, komentet e gjatë dhe të pafund, mëria dhe zemërimi, mllefi i shfaqur në ekrane dhe pezmi i varur në artikujt e gazetave.
Të gjithë do të rendin në kërkimin e një ngjarjeje të re, qoftë njerëzore a tmerrësisht kundër njeriut, do të mëtojnë të gjejnë një pezm të ri, një shkak për të patur një përleshje të re; analistët do të jenë të pranishëm duke qëndruar të menduar, sikur mbi fjalët e tyre të rëndonte gjithë fati i vendit, do të ketë një rendje të pamatur drejt një gjahu të ri, sido që të quhet, duke harruar se, pas çdo pezmi është një njeri.
E vetmja që nuk do e harrojë kurrë gjithë këtë ngjarje do të jetë ajo vajzë, mbi të cilën, pasi u sul një dhunues i prapshtë, i përkëdhelur dhe kobzi, nuk ia përtuan edhe të tjerët, njëri më agresiv se shoqi pasardhës, zonjat që prej kohe nxjerrin gjoksin në mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave të dhunuara, njerëz të politikës që moralin e marrin nëpër këmbë si gjë të pavlerë, që kanë ndërtuar jetën mbi mjerimin dhe e kanë bërë këtë vend tejet të padurueshëm, megjithëse i bekuar nga Zoti.
Vajza e re, e cila , si duket është penduar, ose e kanë detyruar të “pendohet” që asaj dite kur mori guximin të bëjë një denoncim, do të ketë edhe pendime të tjera; mbi të gjitha ajo do të ndjejë mbi vete se si në një çast, jo vetëm nga dhunimi i gjakshëm që ishte bërë mbi të, jo vetëm nga një riosh i pasuruar përmes postit komunar të babait të tij, por edhe nga shumë të tjerë pas tij, do ketë vetminë dhe shpresën se mos, dikush, diku, një ditë, do të bëjë një hap dhe do e dërgojë për një jetë të re jashtë shtetit, larg fshatit të saj, së bashku me një nënë që e di se, këto ditë, dera i troket për kumte të hidhura dhe një motër të vogël që ka drojën se mos ka një fat të ngjashëm.
Ka qenë e pangjarë ajo që ndodhi me një fat vajzëror, por duhej pritur. Ajo nuk do të ishte e vetmja vajzë apo grua e dhunuar, e rrahur apo e djegur me cigare. Mjerisht është një ndër rastet kur dhuna burrërore dëshmon se forca është mbi mendjen dhe se arsyeja i është mposhtur dhunës. Ajo ishte ish e dashura e një djali deputetësh, ish-kryekomunar, dhe politika e media as nuk mund ta linin të ikte një rast i tillë. As ajo vetë nuk e mendoi se politika do të ishte kaq e ashpër, se mbi jetën e saj do të kërcënonin shumë të tjerë, veç atij që duke e pasur vendin në një qeli ndoshta fillon e zë mend; ajo nuk e ka menduar se droja e jetës së saj, e njerëzve të saj, do të vihej në mengenenë e medias, politikës, analistëve, grave mediale, që mund të kishte menduar se mund ta mbronin.
Ajo u shpall si një person non grata në jetën e përditshme, megjithëse ishte viktimë; tri herë viktimë; e dhunës së një dhunuesi, e dhunës së një grupi pranë dhunuesit që duket se i dërguan fjalë të tërhiqej, por edhe e medias.
Asaj i bënë thirrje të hapte “zemrën”, analistë që janë të përfshirë në njëqind afera të dyshimta, që ishin ose janë pjesë e pushtetit përmes pisllëqeve; që e kanë marrë prej kohe ndërgjegjen me vete dhe e kanë hedhur në kazanin e plehrave mediatikë; që janë bërë të pasur duke grabitur, duke u përulur me gjithsej përballë qeverive dhe shefave të saj, që edhe sot, pranë qeverisë ose kundër saj, më shumë se për vajzën e gjorë, mendojnë për benifitet e tyre.
Këto analistë e medialë iu vërsulën një vajze deri në dhunimin e jetës së saj, e bënë pjesë e mafias, në fakt disa prej tyre janë në radhën e parë të mafias mediale, u gëzuan kur doli dhe i hidhëruan kur ajo, e trembur, e strukur, mendoi se diçka mund të shpëtonte.
Kush është, mes këtyre dy skajeve, një vajze të kërcënuar dhe një, më ndjeni, skote mediale, që, duke qëndruar në strofullën e tyre, shpallin me zë të lartë dhe shkruajnë pa dhimbje mbi jetën e një vajze, që shpallet befas deri në asgjësuese vlerash?
Vërtet, ajo, e vetmja, e sjellura me forcë në kanalet TV, është njeriu fajtor, apo ka patur para saj shëmbëlltyra që kanë lënë mbresë në jetën e saj dhe jo vetëm të saj?
Disa vite më parë, në mesin e qytetit të Vlorës u vra një gjyqtar, Konomi. Një jurist i ri nga një familje e njohur. Jo vetëm e qëlluan, por edhe e lanë të vdiste pa i ofruar askush ndihmë edhe në çastet e fundit. As Policia e Shtetit, as shërbimi mjekësor nuk guxuan të afroheshin drejt gjyqtarit të qëlluar.
Ende sot vrasja e tij është enigmë, megjithëse dihet se ajo kishte lidhje me pronat në bregdet, ku janë vërsulur edhe disa nga këto analistë e zhurmues hileqarë e frikacakë të klasit shumë më të lartë se sa vajza e ngratë.
Asnjëri prej tyre nuk gërmoi pse ndodhi ajo vrasje, sepse, i dukej, e dinin se pas saj ishin miqtë e tyre. Ata e fshehën këtë të vërtetë duke trazuar shpirtra të tjerë, ashtu si ndodhi kur në Gërdec ndodhi tragjedia e njohur.
Disa nga këto medialë kaq parimorë, asaj dite e më pas, pjesë e politikës dhe mashë e saj e nxehtë, të njëjtët që tani i sulën vajzës me një tufë epitetesh mjerëkobe, u përpoqën të mbulonin vrasjet, ashtu si ndodhi edhe me 21 janar, kur vrasjet direkte i paraqitën si vrasje me çadra pistoletë dhe stilolapsa të tilla, duke manipuluar të vërtetat e dukshme, me zë dhe me figurë.
Për cilin dinjitet vajzëror flasin këto, të shfaqur si zeusat e medias dhe të mendimit politik, qytetar e njerëzor, që, duke fshehur vrasjet, ishin shumë më mashtrues, shumë më të pabesë, më të shitshëm, pjesë e mafias politike, se sa një vajzë e vetme, e trysnuar, e alarmuar e herë pas here në kujtesën e një dashurie që kishte shkuar.
Një njeri, sado i qëndrueshëm të jetë, ka momentin e tij të thyerjes, sidomos kur është në një gjendje të pakapshme njerëzore; mund të ndodhë që çasti i saj i zemërimit të jetë edhe çasti i thyerjes dhe kjo është njerëzore.
Vendosni përballë kësaj vajze ose një tjetër si ajo, që kishte fatin e prapshtë të një dashurie makabër dhe të përballjes së papritur me gjithë shtetin, me qeverinë, me opozitën, me policinë, me prokurorinë, me gjykatat, me median, me analistët..disa nga këto që sot e përbuzin, që i bëjnë thirrje të “çlirohet” nga e keqja brenda vetes, që pa të keq i thonë mashtruese, dhe do të keni një tabllo të mjerueshme të asaj që shfaqet para nesh.
Kemi një njeri që, duke e braktisur të gjithë, ka bërë një fillesë guximi dhe nuk ka përfituar asgjë, veç humbjes.
Kemi disa njerëz që kanë fshehur qëllimisht, skandale dhe mjerime të pashembullta, janë bërë vesi i së keqes dhe zë i shkatërrimit dhe janë bërë të fuqishëm, të pasur, autoritarë, vendosës, gjykatës, duke e soditur jetën e tjetrit si nga një kamera e fshehtë dhe duke gjykuar pas një pushimi të gjatë dhe gogësitës.
Thonë se qeveria po përgatit një draft kundër shpifjes, por nga ky draft do të përjashtohen gazetarët, media në përgjithësi.
E ka gabim. Mjerisht , ky draft nuk do të thotë asgjë.
Dënimi i shpifjes duhet të fillojë pikërisht nga media, që fjala të ketë përgjegjësi dhe vetë media të përbuzë të jetë kazan mediatik.
Ndryshe, gjithçka është e kotë.
Një kambanë tmerri po bie. Ndoshta ende nuk e dëgjojmë, deri sa të shurdhohemi.(DITA)
Leave a Reply