Ka gjithnjë një kohë për të thënë mjaft. Ndoshta kjo është më e fundit e mundshme, kur politika të heshtë dhe të ndryshojë versionet e saj.
Askujt nuk i duhen sot grindjet e pareshtura, fjalët e pafund, sherrnajat televizive, sharjet cinike dhe qëndrimet si të padronëve të së vërtetës.
Vendi është para një shqetësimi të madh, ndoshta më të habitshmin e deri sotëm, por nuk është i vetëm. Koronavirusi është bërë sot “i shtëpisë” në më shumë se 100 vende të botës. Koha për të gjetur fajtorin i takon së ardhmes, koha për ta përballuar është tani.
Kam menduar gjithnjë se çasti kur njerëzit e politikës do të hiqnin nga supet e tyre pardesytë , që u bënë mitike në janarin e vitit 1991, ashtu të bardha e të gjata, do të vinte shumë shpejt, por , jo. Asnjëri prej tyre nuk mbushet në mend dhe asnjëri prej tyre nuk shkëputet nga delli i politikës.
Çfarë po ndodh në Shqipëri?
Komisioni parlamentar i Shëndetsisë ka hedhur në gjyq ish deputetin Sali Berisha. Për përhapjen e panikut. Ndërkohë asnjëri prej tyre, ose thuajse asnjëri nuk ka bërë gjënë më minimale: të jetë pranë njerëzve që përfaqëson. Qoftë edhe si shëmbulltyrë.
Vërtet mendojnë se do të dënojnë Sali Berishën? Asnjëra nga lojrat politike nuk është më cinike se kjo. Nëse kanë menduar që fajin ta përplasin tek këmbët e Berishës dhe veten ta ndjejnë fitimtarë, atëherë i kanë hyrë një loje meskine, për të cilën askush nuk beson. Berisha nuk u dënua as në vitin 1997, përkundrazi, dy ish kryeministra socialistë u mburrën se ishin ata që e shpëtuan; nuk u mor as në pyetje kur u denoncua për tentim të përdorimit të lëndëve helmuese luftarake, nuk iu prek as qimja e vetullave kur bëri thirrje që veriu të ngrihet kundër jugut; ashtu si edhe Rilindasve nesër nuk do u ngrihet asnjë akuzë përse e bënë vendin lesh arapi, përse deleguan qindra miliona euro tek oligarkët, përse sollën banditë në parlament dhe u bënë pjesë e kriminalizimit të politikës. Vërtet mendojnë se vëmendja do të spostohet tek një njeri që ka mik vetëm veten dhe Metën, që është njeriu – zyrë dhe i ka mbetur vetëm Fb për të ngjallur panik, kur qeveria, shteti, shërbimet inteligjente kanë dhjetra metoda për ta bllokuar në sinjalet e tij, dhe pastaj qeveria, pasi të ketë gjetur fajtorin, të mund të vazhdojë pafajësinë e saj?
Përballë vetes kemi një qeveri që, megjithëse ka hartuar tri prognozat e shtrirjes së sëmundjes, çka është e vështirë të parashikohen, përballë saj gjendet një shtab politik, i cili, edhe pse ka mjekë të njohur mes vetes, e ka më të lehtë të ndërsejë të keqen, se sa të sjellë një fillesë shprese. Një shtab shqupas që po e ndjell të keqen maksimalisht, po fillon të numërojë votat dhe të vdekurit, sikur ata vetë, kur ikën nga qeverisja, lanë pas vetes një sistem shëndetësor model, sikur vetë ata nuk ishin baballarët e koncensioneve marramendëse dhe të lidhur me oligarkë të fuqishëm; sikur nuk shitën e nuk falën vlera kombëtare. Mjet me përralla të dyanshme,kur troket një orë e vështirë! Lëreni për pak kohë, aq sa duhet, rolin tuaj si politikanë, ku nuk ua kemi ndjerë hajrin, lëreni të qetë njerëzit të përballojnë këtë hall të ardhur e jo të selitur brenda vendit, dëshmoni për një çast vlera njerëzore dhe lëreni politikën për një ditë tjetër. Njerëzit nuk ua kanë për borxh deklaratat pompoze, zhurmën mediatike, larjen e duarve dhe buzëqeshjen tinzare!
Askush nuk e përligj despotizmin e shefit të qeverisë, por nuk është i durueshëm as despotizmi cinik i opozitës. Kjo lojë “luftrash”, kur vendi po e ndjen luftën realisht, po sjell panik të vazhdueshëm, por nuk është votë për askënd. Është mjerimi i politikës që përfiton nga një pandemi, për të cilën duket se ka edhe të gëzuar.
Pandemi në kohën e politikës! Shthurja quhet besnikëri, cinizmi quhet mençuri, përbaltja quhet e vërtetë, deklaratat bëhen me tone pompoze si të ndjellin një luftë, kur shumica e tyre janë të përmjerrë. Ata bëjnë llogaritë e së nesërmes, kur njerëzit kanë hallin e së sotmes.
Të sëmurët do të shtohen, kjo është e ditur tashmë. Po shtohen kudo, edhe në vendet e zhvilluara, ku ekonomia është e shkëlqyer, ku sistemi shëndetësor është i privilegjuar, ku strukturat shtetërore janë të ngritura drejt përsosjes. Të gjithë e dinë këtë. E di edhe zoti Berisha, që 30 vite më parë premtoi solemnisht se do të ishte në politikë vetëm katër vite dhe pastaj do të kthehej në zanatin e tij. I hajthëm, nervoz, i lëvizshëm, pasionant, i paduruar për të marrë pushtetin, shpërthyes ai, më mirë se gjithë të tjerët e njeh strukturën e një shteti ku ka qenë pjesë e të gjitha hallkave, që nga monizmi, ku ishte pjesë e rotacionit politik e deri tek i tashmi, ku në 13 vite ka qenë i plotfuqishëm. Zelli i tij për të përhapur e mbajtur të keqen, edhe jashtë vetes, pra asaj që di, është shembëllimi i politikës së tashme.
Kush futet një herë në politikë, ai harron se kush ishte, harron se një ditë do i duhet të kthehet në zanatin e tij. Vesh pardesynë e politikës dhe hedh tutje mantelin e mjekut.
Çjerrjet nervoze të shefit të qeverisë, të cilit nuk dihet nëse i ka rënë mbi shpatulla një halli madh apo një shans i ri qeverisje kanë përballë pompozitetin e opozitës, e cila, pasi të dërmon me shifrat dhe ankesat që sjell, të bën thirrje për të mos rënë në panik. Një ish ministër i djeshëm, opozitar i sotëm, sjell një dëshmi se, maskat e sjella nga Kanadaja, dhe jo për habi, me firmën e “opozitarit” të thekur Vasili, ish ministër i shëndetësisë, janë të përdorshme në këto raste, duke përjashtuar sallat operacionale, dëmi është bërë, paniku është mbjellur, pritet vetëm pasoja e tij.
Është e vërtetë se qeveria rilindase është e vonuar, si ndodhi thuaj me të gjitha qeveritë. Kjo nuk e justifikon atë, por nuk e vendos as në turrën e druve, si kërkon me ngulm opozita e tashme. Ende në hapat e para të një beteje që mund të jetë e gjatë, ata nisin kryqëzimin e Ministres së Shëndetësisë, dhe jo vetëm penalisht, por edhe përmes thirrjeve halucionante të ish shefit të partisë. Ndërsa kjo Zonjë është çdo ditë aty ku duhet të jetë, mjekët opozitarë e kanë më të lehtë të venë në studio televizive, të mallkojnë, të hedhin poshtë çdo sakrificë mjekësh, të japin mend, edhe kur nuk kanë, të ndjellin gjëmën, të përqeshin me cinizëm, të mashtrojnë dhe të kenë një ndjenjë të habitshme nga e keqja.
Coronavirusi është i pranishëm dhe është në fillimet e shtrirjes së tij. Në një shtet të zhvilluar si Gjermania mendohet se do të prekë rreth 70 për qind të popullsisë dhe mund të ndodhë kështu, por paniku nuk ndjehet,megjithëse në studiot është i pranishëm. Jo si përplasje, por si mundësi reduktimi. Jo si dhunë mbi qytetarët, por si lehtësim. Jo për ndjellje të se keqes, por mundjen e saj bashkërisht.
Shqipëria për disa ditë mund të kthehet në një shtet fantazmë, por secili mund ta lehtësojë këtë. Sot , për fat të keq, opozita mendon se po vjen koha e saj, ndërsa qeveria shtyn akrepat e orës në drejtimin qeveritar. E kujt i intereson kjo tani?
Në shumë familje do të ketë halle shumë të mëdha që kanë të bëjnë me sigurimin e ushqimeve, të medikamenteve, të ujit të pijshëm, strehimit, pasi në një banesë me pesë a gjashtë antarë nuk mund të akomodohen të gjithë njëherësh, do të ketë pasiguri e ankth, mungesa të ndjeshme…ende nuk ka asnjë plan të detajuar qeveritar për zgjedhjen e tyre, ose, në rastin më të mirë, nuk dihen.
Politika është në llogoret e saj. I kanë ndërtuar prej 30 viteve dhe nuk luajnë nga aty.
E mjerueshme dhe të duket se është e pavërtetë. Është koha për të thënë mjaft. Koha për të hequr pardesytë e bardhë të politikës dhe për të rimarrë mantelët e bardhë të mjekëve.
Por, kur vetë mjekët e dikurshëm ndjellin vdekjen dhe pacientët bëjnë thirrje për karantinë, atëherë çfarë duhet bërë?
Ky është mundimi i këtij vendi.
Djajtë kanë dalë nga shishet dhe po përmbysin!
Në kohën kur bejnë thirje për të vënë maskat, politika, edhe një herë, heq maskën e saj
Leave a Reply