Është e papërballueshme dëshira e Sali Berishës për të ditur mbi jetën e tjetrit. Një kureshtje patalogjike e ka shtyrë gjithnjë atë drejt përgjimit, në gërmimin e jetës së njeriut që ka përballë, qoftë mik i një kohe apo kundërshtar, duke e menduar gjithnjë se mikun në krahun e tij një ditë ndoshta mund ta ketë ballas, ndërsa kundërshtarin për ta hedhur tej, në një hapësirë të boshtë, duke ditur gjithnjë e më shumë jetën e tij.
Ndoshta kjo është një reminishencë nga koha e shkuar, kur, në vetëdijen e tij ishte adhurimi për sigurimin e shtetit dhe kur përndezja e dëshirës për të ditur sa më shumë nga të fshehtat e një jete do të ishin si një normë e dytë partie ku militonte besnikërisht.
Dëshira e tij e fshehtë gradualisht u bë e papërballueshme, aq më tepër se para vitit 1990, edhe nëse do të kishte dashur e në fakt donte, ishte e pamundur të realizohej. Edhe pse i besuar, ai nuk do të mund të ishte syri në vrimën e çelësit për të ditur për jetën e një tjetri, por, vetë fakti i këtij besimi dhe pamundësie e bënte atë edhe më delirant, më pasionant se askush tjetër, duke pritur kohën kur gjithçka do të mund të shpërthente.
Koha e tij presidenciale është edhe koha e parë e futjes së përgjimit në skenën politike pluraliste. Një dëshirë e hershme për të ditur gjithçka, si kureshtje e shtyrë në kohë dhe e zgjuar keqas, do e bënte atë që, ende pa ngritur strukturat e shtetit pluralist, të mendonte dhe të ngrinte një strukturë të dytë, thellësisht paralele me Shërbimin Informativ, dhe, si do dëshmonte vetë më pas, të ngrinte një perandori dosjesh politike, sipas shembullit ku kishte ëndërruar të ishte, Sigurimi i dikurshëm i Shtetit.
Megjithatë njeriu që do të drejtonte Shërbimin zyrtar Informativ do të ishte syri, vesha dhe goja që pëshpëriste e tij, Gazidede, ai përsëri nuk do e kishte të mjaftueshme dhe do krijonte pikërisht një strukturë të tillë, që, edhe kur të mos ishte në pushtet, të mund të përgjonte, gërmonte, të dinte dhe, nëse nuk do të kishte asnjë të dhënë, të sajonte përgjimin e jetës së të tjerëve.
Dhe këtë e shpallte zëshëm kudo, që nga salla e parlamentit, kujtoni rastin e Gërdecit, kur vihej në rrezik zbulimi i masakrës së djalit të tij, duke etiketuar prokurorët e çështjes deri sa i dëboi nga prokuroria, dhe deri në dhomat e gjumit. Shpërthimet e tij haluçinante do të ishin të një përmase jashtë njerëzore, duke u përendur kundërshtarëve të tij si ku kishin qenë nënat, motrat, gratë e tyre, çfarë kishin bërë; duke sjellë fragmente të dosjeve të krijuara, duke përsëritur përgjime të bisedave telefonike, darkat që kishin ngrënë, ku i kishin ngrënë, me cilët kishin qenë në udhëtim, në një ndeshje futbolli, çfarë kishin ngrënë dhe kur kishin fjetur gjithnjë me pasionin e tij të njohur, shpërthyes dhe çoroditës.
Në pak kohë, përmes njerëzve të tij të besuar, si Shaban Memia apo Agron Kuliçaj, ai do të krijonte detashmentin e tij përgjues, futjen e gërmimit si metodë të jetës politike, mbledhjen e dëshmive edhe nga njerëzit e rrugës, që mund të ishin edhe trafikantë dhe mbrojtjen e tyre. Ndërtimi i këtyre strukturave përgjuese, dëshmuese, ndjekëse, denoncuese, është e njëjtë me atë që, pas vitit 1989, ngriti në Kosovë e jo vetëm aty një tjetër ish president ballkanas, Millosheviçi dhe që e ktheu shtetin e tij në një vend përgjimi, të vënë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, ku drejtonte me dorë të hekurt dora e mikut të familjes Berisha, i famkeqit Fazlliç. Jo rastësisht ky i fundit do të ishte edhe miku i ngushtë e Argitë Berisha dhe Lulzim Bashës, kur këto ishin syri dhe veshi i UNMIK-ut në Kosovë.
Ajo që Berisha ka krijuar tani, mediokritetin “Qytetari digjital”, pasioni të për të cilën ia kalon edhe pasionit të Enver Hoxhës për letrat nga populli, është vazhdë e dëshirës pasionante për të ditur, përgjuar, vëzhguar, mbledhur informacion, megjithëse struktura e ngritur prej tij, me njerëzit e tij në institucione kryesore të kësaj natyre, në Shërbimin Informativ, në Prokurori, në Polici, vazhdon të jetë aktive. Mjafton të sjellim ndër mend pamjet e dërguara drejt Berishës nga një prokuror vendlindës, më parë se t’i kishte prokuroria apo vetë sistemi i drejtësisë, për të qenë të bindur se kjo strukturë vegjeton ende. Pikërisht shkulja e saj e bën atë edhe më pasionant, më të rrezikshëm dhe më delirant.
Është e habitshme se si një njeri i lexuar, i ditur, jetuar mes librave, ka këtë dëshirë pasionante gërmimi. Ndoshta ëndrra diktatoriale kalon përmes përgjimit për ata që e mendojnë shtetin si domenin e tyre dhe ku ndjehen të pushtetshëm.
Pse e solla këtë shembull?
Dëshira pasionante e njeriut të parë të opozitës është përcjellë besnikërisht tek pasuesit e tij. Është bërë mënyra e vetme e bërjes politikë, rruga më e shpejtë drejt pushtetit, dialogu i tyre me median dhe përbetimi se , përmes kësaj rruge, ata do të përmbysin një qeveri dhe do të ngrenë qeverinë e tyre.
Megjithëse në krahasim me lojërat e mëdha të Berishës ata duken si mjeranë, shqetësimi më i tepërt është pikërisht tek vazhdimi i një rruge të fëlliqur, jashtë politikës dhe tejet larg një vizioni politik, i cili mund të ngjallë shpresë se, përmes tyre, gjërat mund të ndryshojnë.
Nëse Berisha kishte krijuar strukturën e tij, thellësisht besnike, të cilën edhe e shpërblente besnikërisht, këta djemurinat dhe çupëlinat e opozitës së sotme janë bërë vetë përgjues, gërmues, sajues; ata kanë ngritur brenda zyrave të tyre aparatet e përgjimit, të regjistrimit, të incizimit të bisedave, të ndryshimit, të montazhit, të shpërndarjes, duke mbetur e gjitha kjo në një dorë mediokre politike dhe në një tabor ish policësh,që, për hir të kthimit në strukturë, janë të gatshëm të shantazhojnë, të përgjojnë, të regjistrojnë dhe të ndryshojnë sipas shijes vulgare të shefit të tashëm, Basha dhe tre njerëzve pranë tij, Alibeaj, Salianji dhe Bardhi. Partia e tyre ka rënë. Shërbimi i ri i Sigurimit është ngritur. Ndoshta edhe tek Basha ka një ndjenjë të dyfishtë reminishence në dy kohë; nga koha e parë kur një njeri i afërt, ndër më të afërtit, ishte sekretare e zëvendësministrit të Brendshëm, dhe, koha e dytë, kur ai vetë ndiqte përgjimet që i bëheshin ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalldia e ndjenjës së është në dijeni të jetës së tjetrit do të ketë qenë aq e fortë, sa që do e kthente në një pasion budalla.
N[ë fakt, gjatë jetës së tij politike, asnjëherë, Berisha nuk merrej me Babale apo me çupka që kishin fatin e keq të ëndërronin dhe të pranonin dhunimin për hir të një jete tjetër. Berisha merrej me nivele më të larta: ai përgjonte ministrin Klosi se çfarë bën në Poloni, dhe nëse nuk kishte bërë gjë e krijonte duke ditur se kishte qenë aty, përgjonte deputetin Balla dhe kur nuk e gjente i turrej nënës, motrës të afërmve të tij, gjurmonte vëllain e shefit të qeverisë, i sillnin përgjimet e prokurorisë së shtetit.
Tani puna është ndryshe, niveli ka rënë, mendësia ka mbetur. Basha sjell në skenë Babalen, të cilin është i detyruar ta mbrojë edhe Berisha, sepse i përndizet ndjenja e vjetër e përgjimit. Babale, një krijesë e mjerë e shqupasve të rinj, është jo vetëm denigrim i politikës, por edhe i skenës së tërë politike. Struktura e vjetër e Shërbimit Informativ, pjesë e dikurshme e skenës berishiste, përmes urdhrit të shefit të ri politik shqupas, futet në lojë, duke gjetur një debil gazetar. Pastaj loja vazhdon me ish policë të shquar për rrahje dhe dëbim me dhunë nga zyrat e bashkisë së punonjësve të ligjshme, u ndiqen atyre gaztorët e rinj të pallatit si Salianji, bëhen regjistrime të reja, struktura e vjetër bie dhe synon të ngrihet një strukturë e re. Nëse nuk është më Shaban Memia, është aty Agron Kuliçaj; nëse ka rënë një pjesë e madhe e “syrit” berishist në prokurori, atëherë duhet dërmuar zonja Marku; nëse ka ikur Llalla dhe njerëzit e tij duhen deleguar të tjerë, që të bëjnë një kryengritje institucionale duke kundërshtuar një urdhër të ligjshëm dhe të përgjohet dhe regjistrohet çdo fjalë e kryeprokurores, ashtu si lehtësisht mund të ketë ndodhur dhe këtë e di ndoshta më mirë se të gjithë Salianji që, pse jo, ka pajisur me një orë përgjuese njërin nga prokurorët…etj etj.
Pasioni përgjues dhe ngritja e politikës mbi këtë perversitet politik e njerëzor, sado i ngjashëm me Sigurimin e Shtetit, nuk e zhduk të gjithë neverinë për këtë kauzë pasionante të njerëzve që edhe mendojnë se pushteti kalon përmes vrimës së çelësit.
Babale nuk është asgjë tjetër: një vrimë që deshën të hapnin me një trapan të fëlliqur dhe që, duke u mbetur në dorë, krijoi serialet e rinj të kalbësisë politike.
Leave a Reply