Krejt papritmas, pas paralajmërimeve “serioze” të opozitës për zvarritje, hedhje në Lanë e në fund, plumb ballit për shefin e qeverisë; pas protestave që u bënë dhe do të bëhen, dhunës e përplasjeve, e deklaratave pa asnjë ekuivok të të dërguarëve të Europës në Shqipëri, se vendi ka një qeveri legjitime dhe zgjedhjet kanë qenë të pranuara dhe të çertifikuara, dorëzimit të mandateve, që mori emrin “djegie”, kur asgjë nuk u dogj dhe e vetmja djegie mbetet në gojën e opozitës, erdhi edhe një deklaratë e presidentit të Parlamentit Europian, sipas të cilit, Shqipëria qenka në një gjendje të luftës civile, megjithëse këtë luftë ai e vuri në thojza.
Edhe ky paralajmërim kishte munguar, por sa e vërtetë është kjo gjendje?
Në fakt, për herë të parë, si në një kor të përbashkët, askush nga institucionet serioze euro-atlantike nuk e përkrahu dorëzimin pa kushte të opozitës në jetën parlamentare dhe shpalljen e saj si rrugë të së ardhmes, përplasjen, dhunën, duke ia veshur gjithçka popullit, sikur kemi të bëjmë me një turmë e cila nuk e di se çfarë bëhet, nuk e di kush komandon dhe përse komandon, ashtu si nuk e di vazhdimin e protestës së saj.
Diplomacia ndërkombëtare, që nga të deleguarit e saj në Shqipëri, ambasadorë apo përfaqësues, dhe deri tek deputetët e saj shumë ngjyrësh, dënuan jo vetëm dorëzimin e mandatave, si një akt pa precedent dhe më shumë se sa shpresë, akt dëshpërimi, por edhe dhunën që është ushtruar, e komanduar nga një qendër politike brenda Shqupit politik pëdëist, e për më tepër duke paralajmëruar që kjo do të jetë edhe më tej e patolerueshme.
Bota diplomatike, e shprehur qartë përse është kundër akteve të tilla, qofshin politike apo rrugore, dha një mesazh të mprehtë politik, që jo vetëm nuk u prit në heshtje, por ndezi një arsenal të habitshëm kundër njerëzve të kësaj bote, duke synuar edhe përlyerjen e tyre morale, etike dhe duke vënë një shenjë barazimi mes korrupsionit të sotëm qeveritar dhe të deleguarve të parlamentit Europian. Kaq e pështirë u bë kjo gjendje euforie tri fazore, sa që të dukej sikur gjithçka kishte dalë nga arsenali i vjetër punist, kur megjithë denoncimet e perëndimit, shqiptarët dukeshin sikur edhe në gojë të ujkut hidhnin valle.
Çfarë valle po luan tani opozita? A ka gjëra të përbashkëta mes opozitës shqiptare dhe asaj që paralajmëroi kreu i Parlamentit Europian, vërshimin e politikës ruse, arabe apo turke, si shenjë të ndezjes së rajonit, sidomos në dy anët e kufirit shqiptar? Cila është e vërteta e deklarimeve politike të perëndimit dhe lidhjeve të botës së nëndheshme të politikës ruse me opozitën e tashme? A kanë një sikron protestat në shtetin serb me ato që po ndodhin e do të ndodhin në Shqipëri? Përse kjo opozitë, sa herë që humb pushtetin, kërkon destabilitetin dhe nuk e ka për gjë të jetë kundërvënësja më e madhe e ideve dhe vizioneve perëndimore?
Së pari, shteti shqiptar nuk është në momentin e përplasjeve të mëdha që do e çonin vendin në një luftë civile, qoftë përmes thojzave, qoftë pa to.
Për të shpënë vendin në luftë civile kemi pasur në të shkuarën dy shembuj të ndjeshëm, prej të cilëve, dy herë, qeveria e së majtës nuk ka zënë mend.
Tentimi për të shpënë vendin në një luftë civile në marsin e vitit 1997, tentim i cili nuk ishte fantomë, por përpjekje reale dhe një emër konkret, nuk u ndëshkua asnjëherë. Listat e të armatosurve militantë pëdëistë, përmes një urdhri presidencial, janë ende në dosjet e shtetit dhe megjithatë, askush, jo vetëm kreu i përpjekjes, por edhe banditë politikë, nuk morën dënimin që duhej të merrnin. Marsi i vitit 1997 është dëshmia se në cilën verbëri mund të të çojë shërbimi politik ndaj një fuqie të tretë, çka merr formë më të hapur një vit e gjysmë më vonë, në 14 shtatorin e vitit 1998.
Kësaj here ishte menduar më gjerë se viti 1997 dhe marsi i këtij viti. Ishte skenuar që lufta civile të përfshinte edhe viset shqiptare që ishin në luftë, ndaj edhe u bë marrëveshja e fshehtë mes Bukoshit dhe Berishës, ndaj një eksponent i dorës së parë të shërbimit të sigurimit serb në Kosovë, Mehmet Loci, mori detyrën e organizimit të këtij shërbimi në vetë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe, përmes hallkave të ndërlidhura me faktorin pushtetar serb u synua përplasja mes shtetit shqiptar dhe bandave, shumë nga të cilët ishin veriorë, dhe nga ana tjetër, përplasja mes UÇK-së dhe FARK, një strukturë e armatosur, që rrinte e vegjentonte në Tiranë e në afërsi të saj, pjesë të së cilës moron pjesë në grushtin e shtetit 1998, dhe të cilët aq mendjelehtësisht i toleronte qeveria e së majtës.
Kësaj here megjithë paralajmërimet e zymta të opozitës së vetpërjashtuar nga koncepti politik, nuk janë kaq të gjera dhe kaq hapur të rrezikshme. Opozita, pa asnjë ide, përqafoi një ide ultra majtiste por edhe naziskine, për të pushtuar një seli qeveritare, për të bërë shtetin të papërdorshëm, sikur me pushtimin e saj vetë shteti nuk do të ekzistonte.
Pushtimi i selisë qeveritare, apo më pas, i parlamentit shqiptar, dy objektiva ende të rendit të ditës, nuk do të thotë se në Shqipëri filloi lufta civile apo se vetë shteti u rrëzua.
Edhe në vitin 1998 u morën disa institucione, u pushtuan, u bënë thirrje nga media e vetme televizive, RTSH, u deklarua nga një monarkist se “republikën e fituam”, u bënë gati medaljet, por në fund u zbythën dhe përfunduan në bodrumin e selisë së dikurshme të pëdëistëve.
Mendimi ndërkombëtar për shuarjen e këtij zjarri dhe shtrirjen e stabilitetit në jetën politike e shoqërore, megjithëse duket tani për tani, si një zë në shkretëtirë, është lexuar në fakt, fare mirë nga krerët e opozitës. Ata mund të deklarojnë se “parlamentarët europianë erdhën të marrin çokat e fundit”, mund të “dëshmojnë” se kanë në mendje disa citate presidenciale amerikane, mund të paraqesin menefregizëm dhe arrogancë, por në vete e dinë se farsa e tyre mund t’i çojë drejt një pazari të ri me Edi Ramën, por jo drejt luftës civile.
Ata, që edhe të vrasin sepse ua ke parë shtrembër gardhin qeveritar kur ishin kryeministër e ministër i brendshëm, e dinë se vrasja të ndjek dhe sado të largohesh, një ditë do të kthehesh përsëri tek vendi i krimit, çka ndodh me çdo vrasës.
Vendi i krimit është pikërisht sheshi përballë kryeministrisë. Aty ku, me 21 janar ndodhën katër vrasje dhe ku Zoti shpëtoi edhe dhjetëra të tjerë. Atje ku gjakftohtësia e vrasësit u bashkua me dëshirën për të mbajtur pushtetin me plumba ballit.
Nëse dikush në selinë shqupase pëdëiste, apo pak qindra metra më tej, mendojnë se në kujtesën europiane kjo është harruar, shumë shpejt do e kuptojë se ajo po bëhet gjithnjë e më shumë aktuale.
Fajet e qeverisjes së Edi Ramës, të cilat perëndimi i njeh më mirë edhe se vetë opozita dhe besueshmëria ndaj të cilit ka rënie, nuk kanë të bëjnë me luftën civile, çka kaq fort e shpërdoron edhe në fjalorin e saj një opozitë e çakorduar nga idetë dhe që, për fat të keq, mendjet që mund ta sillnin në vete, i ka larguar dhe tani i ka shpallur edhe një herë, armiq, tradhtarë dhe të pamoralshëm.
Nëse koha e pendesës nuk ka ardhur ende, ajo si duket do të vijë në të njëjtën kohë me atë të ndëshkimit.
Leave a Reply