• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
BATON HAXHIU/ Shqiptari i ndershëm
Home
Blog

BATON HAXHIU/ Shqiptari i ndershëm

April 20th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Albin Kurti mund ta zëvendësojë atë personazhin e tregimit popullor që kafshon dorën e atij që e ushqen dhe i lëpin këpucët e atij që e përbuz dhe e godet. Ndjesë, por është shumë e vërtetë.

Nga Baton Haxhiu

Për rreth një dekadë e gjysmë, Albin Kurti i ka shitur mend jo vetëm krejt Kosovës, por edhe një pjese të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare, se si duhet të sillemi karshi Serbisë dhe si duhet rregulluar marrëdhëniet ndër-shtetërore në rajon.

Pavarësisht se gjatë gjithë kohës ka folur gjëra që s’kanë aspak lidhje me realitetin, tipari i pandryshueshëm i tij ka qenë moralizimi i vazhdueshëm dhe patriotizmi puritan.

Së voni, përkundër faktit se është rritur politikisht duke folur për bashkimin kombëtar, jo vetëm që e braktisi këtë ide në heshtje dhe tinëzisht, por edhe iu vërsul egërsisht Kryeministrit Edi Rama, me rastin e vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, në Tiranë, pas tërmetit që e goditi Shqipërinë.

Në komunikatën zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, ndër të tjera, theksi ra te fakti se Rama ia paska mundësuar një krimineli lufte të duket si bamirës. Madje, me një gjuhë të shfrenuar dhe aftësi për të gënjyer pa karar, që tashmë është karakteristikë dalluese e anëtarësisë së VV-së, ata shkuan aq larg sa Edi Ramën e quajtën “Shqiptar i mirë për Serbinë”.

Të gjithë ata që kanë përjetuar zhvillimet politike në fundin e viteve ‘80 dhe fillimin e viteve ’90, e kujtojnë se shprehja “Shqiptar i mirë për Serbinë” u është referuar kolaboracionistëve të regjimit. Me këtë frymë, e pa asnjë fije turpi, Vetëvendosje sulmoi jo vetëm Edi Ramën e Qeverinë e Shqipërisë, por edhe këdo që ka menduar ndryshe prej tyre.

Megjithatë, duket se ka mjaftuar sprova e shkaktuar nga Covid-19 jo veç për të zbuluar pafytyrësinë e Albin Kurtit, por edhe për ta shpërfaqur sheshazi paaftësinë e tij për t’i udhëhequr qoftë edhe proceset më të thjeshta me Serbinë.

Pranimi i 1000 testeve për coronavirus nga Serbia nuk është fare ndihmë e Vucicit për Kosovën. Në të vërtetë, është dhurata personale e Albin Kurtit për Serbinë në përgjithësi, e për Aleksandar Vucicin në veçanti. Presidenti i Serbisë, as në përfytyrimet e tij më optimiste, nuk ka mundur ta marrë me mend se Kosova do t’i pranonte ato teste. Mirëpo, ja që Kurti, pasi është shndërruar në zvarranik politik para Miroslav Lajcak – që ka luftuar kundër Kosovës, dhe në një ujk luftarak kundër Richard Grenell – që përfaqëson shtetin pa të cilin Kosova s’do të ishte në hartën e botës, është kujdesur mjaftueshëm t’ia bëjë këtë nder Vucicit. Shprehur me gjuhën e tij, ai i ndihmoi një krimineli të luftës të duket si bamirës.

Për më shumë, Serbia ia dha Kosovës këto teste pikërisht në kohën kur po kujtohej deportimi i dhunshëm i shqiptarëve, holokausti i kryer nga Serbia, fakt që nuk u pasqyra në asnjë medium ndërkombëtar, e fort pak edhe nga politikanët vendas. Pra, në vend se në këtë përvjetor të flitej për krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti u angazhua për t’ia bërë një PR të shkëlqyer Vucicit, duke i ndihmuar ta shesë një fytyrë humanitare në mediat me renome të botës. Një PR që në fakt Vucic nuk do ta kishte arritur me miliona euro shpenzime, e jo me 1000 teste që për një Qeveri s’kushtojnë as një grusht para.

Gjithsesi, situata është shumë më e rëndë se kaq. Jo pse vjen nga një njeri që s’ka lënë be pa bërë se me Serbinë gjërat i ka të prera, e s’ka lënë gjë të zezë pa i thënë çdo shqiptari që mendon ndryshe, duke u shtirur si shqiptari i vetëm i ndershëm në univers. Ai, për vite të tera, ka folur për logjikën shoviniste e prirjen imperiale të Serbisë, duke ligjëruar se si ajo synon si oktapod t’i lidhë shtetet në rajon përmes serbëve që jetojnë aty.

Me pranimin e 1000 testeve, Kurti ka rënë pikërisht në kurthin tjetër të Vucicit, për ta paraqitur Kosovën si një vend pa kapacitete të mjaftueshme për ta menaxhuar situatën e shkaktuar nga Covid-19.

Milo Gjukanovic për këtë arsye, me dinjitet i tha Serbisë: Jo, falemnderit!

Albin Kurti, jo vetëm që ra në kurthin e Serbisë, por edhe ia lejoi mjekët në komunat veriore të Kosovës, pa këmbim për mjekë shqiptarë në Preshevë, dhe pasi Serbia e poshtëroi Kurtin – duke ia zbatuar masat e saj në një pjesë të territorit të Kosovës.

Pra, Albin Kurti mund ta zëvendësojë fare thjesht atë personazhin e tregimit popullor që kafshon dorën e atij që e ushqen dhe i lëpin këpucët e atij që e përbuz dhe e godet. Ndjesë, por është shumë e vërtetë.

Kurti i pranoi ato teste jo si mbështetje ndër-shtetërore, por si qarkullim i brendshëm pa masa reciprociteti. Kjo përbën një problem politik, ku qartazi tregon se ai ka kapitulluar edhe në mbrojtje të parimeve të tij, me të cilat e solli Kosovën në prag të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në. Në këtë kuptim, s’ka asgjë humanitare nga ana e Serbisë. Thjesht, ka amatorizëm politik të Kurtit dhe nënshtrim të tij ndaj Serbisë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTAN HOXHA/ Basha s’del as në fashën e pensionistëve! Mos ka ndodhur ndonjë gjë andej nga bulevardi, mor amani
Previous article MERO BAZE/ 1000 testet serbe për Kosovën, zbulojnë ligësinë politike të Kurtit për Tiranën

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k