Shpresoj të ketë ngjasim mes Kosovës dhe Gjermanisë: baza e ngjasimit, koalicioni schwartz-rot (e zeza me të kuqen), i së djathtës me të majtën, në Gjermani. Atje është Merkel e CDU/CSU, e djathta, në koalicion me Olaf Scholz i SPD, e majta. Merkel ka shumicën në koalicion.
Në Gjermani ka ecur shumë mirë, sepse Merkel ka arrirur të jetë Kancelarja e shumicës së gjermanëve.
Uroj të ecë mirë dhe koalicioni që shpresohet se do të krijohet në Kosovë, mes së majtës, LVV-së së Albin Kurtit, dhe së djathtës, LDK-së së Vjosa Osmanit.
Nuk kam asnjë merak me Vjosën, e shkolluar në Amerikë, qartë e deklaruar për ekonominë e tregut, si e gjithë BE dhe ShBA… Por ajo nuk do të jetë dot kryeministrja, për më pak se 1 pikë përqindjeje të votave….
Kam merak, e shumë bile, me Albinin. Uroj të ndryshojë 180 gradë në disa qëndrimen që kam dëgjuar nga ai, e që më kanë kujtuar herë “Revolucionin kulturor kinez” te rreth vitit 1967, të Mao Ce Dunit, e herë “Mekanizmin e Ri Ekonomik shqiptar” të rreth vitit 1986 të Ramiz Alisë.
Konkretisht:
Disa deklarata kundër personaliteve shqiptare apo kosovare etj., të Albinit, më kanë kujtuar Gardistët e Kuqë të Revolucionit Kulturor Kinez, që desh rrënuan tërësisht Kinën në vitet 1967-68 …, që e shpëtoi veç kalimi në ekonominë e tregut të lirë…, jo vetëm si ekonomi!
Apo etatizmi i Albinit, që konstatova në shpalosjen e programit elektoral, pjesa për ekonominë… Më kujtoi atë të Ramiz Alisë, me mekanizmin e ri ekonomik, që ishte ai që solli bllokimin total e përfundimtar të ekonomisë në Shqipëri, me “80%-shat” e me mos sigurimin dot as të tallonit (racionimi i ushqimeve), një dështim i plotë. Albini premtonte, para pakë ditësh, se do të ringjallë ndërmarrjet e falimentuara jugosllave, që mos t’i privatizojnë mafja: tamam komunizëm antikapitalist.
Nejse, tani kryesorja është se Albini më duket i ndershëm, e ndershmëria e tij uroj të prevalojë ndaj indoktrinimit të tij, e të ndryshojë sa më shpejt në të mirë të Kosovës, pra duke respektuar e dëgjuar edhe mendimet e kundërta me të, të së paku 3/4 të kosovarëve që nuk votuan për të!
Leave a Reply