75 vjet më parë, në fillimin e një gushti përvëlues të 1943-shit, në lëndinat e fshatit Mukje, diku në kufirin midis Tiranës dhe Krujës, u firmos një marrëveshje midis dy grupimeve më të rëndësishme shqiptare të cilat deri atëherë kishin tentuar ta neutralizonin njëra-tjetrën vetëm politikisht.
Kjo marrëveshje e cila pati një jetë shumë të shkurtër u hodh poshtë menjëherë nga Nacional Çlirimtarja e dominuar nga komunistet dhe për pasojë mbledhja, që historia e njohu si Konferenca e Mukjes, i rreshtoi palët politike hapur kundër njëra-tjetrës deri në një konflikt të armatosur. Konflikt ky i cili përfundoi me ardhjen në pushtet të komunistëve dhe dëbimin nga Shqipëria të të gjithë elementëve nacionalistë që në Konferencën e Mukjes kishin qenë në anën e kundërt të tavolinës.
Vitet e fundit janë bërë thirrje në shtypin e përditshëm nga një sërë historianësh për një rishikimin të kësaj Konference dhe si “një sfidë për historianët”, të cilët njëzëri e kanë konsideruar Konferencën e Mukjes një ngjarje të madhe historike dhe dështimin e saj me pasoja të rënda për historinë e mëvonshme shqiptare…
Por, a është me të vërtetë i drejtë ky konkluzion?
Sipas disa historianëve që kanë shkruar mbi të, Mukja është cilësuar si “Parlamenti i parë pluralist”. Apo një rast i humbur në historinë shqiptare. Por a e meriton këtë emër me të vërtetë kjo Konferencë? Organizimi i Mukjes dhe rezultatet e saj, tashmë janë të njohura nga historia dhe të gjithë ata që janë të interesuar mbi këtë çështje. Gjithsesi, çfarë mungon, mendoj unë, është informacioni që studiuesit e kësaj ngjarjeje kanë mbi prapaskenat që sollën këtë takim midis palëve të Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.
Deri më sot, studiuesit që janë marrë me këtë temë kanë dhënë versione të ndryshme për iniciatorët e këtij takimi. Gjithsesi ende nuk është shumë e qartë se kush e inicioi këtë takim dhe çfarë konkretisht kërkohej në të vërtetë nga ky takim. A ishte me të vërtetë një përpjekje e sinqertë e dy forcave kryesore ideologjike për t’u bashkuar në të mirë të fateve të Shqipërisë? Apo, pas këtij takimi qëndronin forca të tjera, të cilat kërkonin ndikime politike në Shqipërinë e pas Luftës?
Nga dokumente, të dala nga arkivi i Shërbimit Sekret Britanik të Luftës SOE, mund të sjellim disa detaje të reja mbi Konferencën e Mukjes nga ku mund të kuptojmë se ky takim nuk është ishte një përpjekje e sinqertë e palëve kundërshtare për fatet e Shqipërisë së pasluftës.
Dokumenti, i cili mban firmën e Misionit Britanik, më 1 Nëntor 1944, i nënvizuar si “Tepër sekret” me titull “MEMORANDUM MBI PROPOZIMIN PËR EVAKUIMIN E MAJORIT ABAZ KUPI”, ndër të tjera shkruan qartë se kjo Konferencë është iniciuar dhe përgatitur nga Shërbimet Sekrete Britanike me ndihmën e disa prej bashkëpunëtorëve të tyre të rekrutuar që në Beograd, në verën e 1940-s. Duhet theksuar se këta bashkëpunëtorë në këtë periudhë kishin mundur të ishin në udhëheqjen e lëvizjes Nacional-Çlirimtare po ashtu edhe të rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar dhe të Lëvizjes së Legalitetit.
Nga kujtimet e disa oficerevë britanikë që shërbyen në Shqipëri në kohën e luftës të cilët e kanë prekur pak takimin e Mukjes, përmendet shkarazi se me këtë takim janë marrë Abaz Kupi, Ifsan Toptani në bashkëpunim edhe me Mustafa Gjinishin. Deri me sot, siç u përmend më lart nga studiuesit e kësaj teme, nuk ka emra konkretë për inicimin e këtij takimi dhe dokumenti që sjellim në këtë shkrim mund të na japë një ide pak më të qartë se kush ishte iniciues i kësaj marrëveshjeje.
Në një numër shkrimesh të botuara si pjesë e një studimi të arkivave britanike të luftës, është hedhur drite mbi ngjarjet që i paraprinë shpërthimit të lëvizjes anti-italiane në Shqipëri. Mund të themi me siguri se pjesë e kësaj lëvizje ka qenë edhe mbështetja e Shërbimit Sekret Britanik si pjesë e një plani strategjik për Ballkanin, të ideuar nga qendra e Shërbimeve Sekrete në Londër Seksioni D dhe e vënë në zbatim nga Zyrat e MI (R)) (shërbimi i fshehtë ushtarak) në Beograd.
Me gjithë shkrimet dhe studimet e deri tanishme historiografia shqiptare e pas vitit 1992 nuk ka mundur të shpjegojë se përse në vitin 1941, papritmas në Shqipëri, filloi dukshëm lëvizja anti-italiane. Historiografia komuniste, e ideologjizuar në maksimum, pretendonte se lëvizja anti-italiane në Shqipëri ishte zhvilluar si rezultat i urrejtjes popullore ndaj fashizmit dhe kulmoi me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Është e pamohueshme se në Shqipërinë e kohës kishte një lëvizje komuniste e cila e shpërndarë e përçarë dhe shumë e pa organizuar nuk ishte e aftë të krijonte një opozite serioze anti-fashiste. Megjithatë edhe pse kishte dy vite që Shqipëria ishte e pushtuar, deri në 1941 nuk kishte një lëvizje të mirëfillte komuniste anti-fashiste. Çuditërisht organizimi anti-italian filloi papritmas në momentin kur Italia po bëhej gati për ofensivën e saj në Greqi.
Nga dokumentet britanike tashmë të deklasifikuara mund të kuptojmë më qartë se lëvizja anti-italiane në Shqipëri në këtë periudhe ishte pjesë e një plani për të destabilizuar prapavijën italiane gjatë ofensivës së saj në Greqi. Për këtë arsye britaniket ideuan, përgatitën dhe financuan lëvizjen anti-italiane në Shqipëri, me dijeninë e plotë të Shërbimit Jugosllav, i cili sugjeronte edhe emrat për këtë lëvizje. Në këtë kohe disa oficerë të MI6 vizituan Greqinë për të mbledhur të dhëna rreth emigrantëve shqiptare atje dhe personat që mund të përdoreshin në infiltrime për të krijuar depo me material shpërthyese si dhe mbledhjen e informatave ushtarake përgjatë kufirit në momentin që Italia do të sulmonte Greqinë.
Janina u bë një qendër e këtyre veprimtarive të oficerëve britanikë, ndërkohë që një plan veprimi ju dërgua Kryekomandantit të Armatës së Lindjes së Mesme i cili u miratua. Personalitete të rëndësishme të Foreign Office dhe Shërbimit të Fshehtë të sapo krijuar SOE, miratuan operacionet e fshehta në Shqipëri por me shënimin në dokumentin përkatës se “duhej shume kujdes për të mos krijuar dyshime tek italianet të cilët mund ta përdornin si pretekst për sulm ndaj Greqisë. (shënim nga Hugh Dalton i SOE).
***
Ndërkohë ajo që pritej ndodhi dhe në 28 tetor 1940 Italia sulmoi Greqinë. Prioriteti i britanikëve ishte ndihma ndaj Greqisë por Seksioni D në Beograd i përshkallëzoi përgatitjet e infiltrimeve të njerëzve të saj në Shqipëri. Ministria e jashtme kërkoi mendimin e Qeverisë Greke e cila nëpërmjet Gjeneralit Metaksa u përgjigj se “nuk ishin të interesuar për një Kryengritje nga Shqipëria dhe forcimin e aspiratave të shqiptarëve”.
Duket se situata në terren me Luftën në Greqi shtyu Shërbimin Britanik të tentonte një ndërhyrje në Shqipëri nga veriu, me ndihmën e Gani Kryeziut, Kupi dhe Gjinishit, por marrja e Beogradit nga Gjermanët i la grupet shqiptare pa një prapavije nga ku mund të merrnin ndihma dhe për këtë arsye Gjinishi, Kupi, Peza dhe pasuesit e tyre u shpërndanë në Shqipëri duke krijuar bërthama rezistence të cilat në mënyrë sporadike filluan të merrnin udhëzime dhe para nga Seksioni D britanike në Stamboll.
Ishin këto bërthama të cilat krijuan Çetat e para të rezistencës anti-italiane të cilat më vonë u përdorën nga komunistët për të shtrirë influencën e tyre.
Këto prapaskena ishin ngushtësisht të lidhura më vonë me ngjarje të rëndësishme qe sollen si finalizim edhe takimin e Mukjes.
Prandaj edhe dokumenti i 1 Nëntor 1944, “MEMORANDUM MBI PROPOZIMIN PËR EVAKUIMIN E MAJORIT ABAZ KUPI” i cili thekson se një ndër shërbimet e Kupit ishte edhe organizimi i konferencës së Mukjes, mund të merret si një dëshmi e rëndësishme për të kuptuar më shumë mbi influencën e aktorëve të huaj në këtë takim të rëndësishëm.
Konferenca u administrua dhe u mbajt në ambientet e Ifsan Toptanit, një bashkëpunëtor i Shërbimeve Britanike, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Ifsan Toptani, sigurisht ka raportuar mbi të gjitha bisedimet që janë bërë gjatë kësaj Konference, duke vënë në dijeni britanikët mbi ecurinë e punimeve. Ifsan Toptani, një pinjoll i familjes së famshme krutane, i njohur për lidhjet e shumta që kishte në Shqipërinë e asaj kohe mbante marrëdhënie shumë të mira, si me Nacionalistët, ashtu edhe me anëtarët e Frontit Nacional Çlirimtar. Megjithatë, ai ka qenë shumë afër misioneve britanike dhe fakti që më vonë punonte në Zyrën e S.I.S në Athinë tregon qartë afërsinë e tij me Shërbimet Britanike dhe përfshirjen e tij në rrëzimin e qeverisë komuniste të pasluftës në Shqipëri.
Nga burimet arkivore të Shërbimit Britanik, por edhe të disa dokumenteve të kapura gjermanëve pas Luftës, të cilat flasin mbi Shqipërinë, del qartë se në vitin 1943, britanikët dhe gjermanët kishin një ide të saktë se ekzistonin dy grupime të rëndësishme në Shqipëri. Një grupim; i cili luftonte ushtrinë italo–gjermane dhe një grupim; i cili kishte zgjedhur neutralitetin deri në bashkëpunim të hapur me gjermanët në fundin e 1944-ës.
Duke parë faktin se pranë forcave partizane kishte një numër të madh misionesh britanike dhe më vonë amerikane, kuptohet qartë se britanikët i kishin zgjedhur aleatët e tyre. Sigurisht që prania e ideologjisë komuniste në radhët partizane shqetësonte disa prej ideologëve të Shërbimit Britanik, shqetësim ky, i cili ishte i njëjtë si për Greqinë ashtu edhe për Jugosllavinë.
***
Britanikët në vitin 1943 tentuan që t’i afronin këto grupime si ne Greqi ELAS dhe EDES si ne Jugosllavi, Tito dhe Mihailloviçit. Duke parashikuar se ardhja në pushtet e komunistëve do ta bënte ndikimin e tyre në Ballkan mjaft të papërfillshëm, prapa organizimit të këtyre Konferencave janë direktivat e Shërbimit Anglez, i cili kërkonte të krijohej një komitet drejtues i përbashkët, i cili në të ardhmen do të merrte fatet e vendit në dorë…
Pra, Konferenca e Mukjes duhet parë në kontekstin e saj historik dhe jo si një ngjarje e shkëputur shqiptare. Sigurisht që, në këtë Konferencë u hodhën edhe teza dhe ide nacionaliste, të cilat, fatkeqësisht, nuk kishin koherencë dhe dilnin jashtë realitetit të asaj periudhe. Kërkesat për Kosovën ishin teza, të cilat në kancelaritë europiane nuk do t’i merrnin seriozisht e aq më tepër kur fatet e vendeve të pasluftës do të vendoseshin nga Të Mëdhenjtë e dalë nga kjo Luftë. Duhet të jemi të qartë se, Konferenca e Mukjes nuk do të kishte asnjë rol në zhvillimet e pasluftës si në Kosovë, si në Çamëri, një konkluzion që u vërtetua me vendimet e dala nga Marrëveshja e Jaltës apo edhe ajo midis Çurçillit dhe Stalinit në Moskë, në dimrin e 1944-ës.
***
Pra, nëse do të kemi parasysh prapaskenat e zhvillimit të kësaj konference, mendoj se Enver Hoxha i hodhi poshtë vendimet e dala prej saj për faktin e thjeshtë se ai kuptoi që një Komitet Drejtues i Luftës, me elementë jashtë lëvizjes Nacional Çlirimtare, nën ndikimin anglez, do ta nxirrte atë nga kontrolli i tij dhe kësisoj do t’i mbyllte dyert e pushtetit, të cilin ai tashmë kishte filluar ta shikonte në horizont.
Gjithashtu, ka shumë mundësi që Enver Hoxha nëpërmjet jugosllavëve të dinte se disa prej pjesëmarrësve në këtë Konferencë ishin bashkëpunëtorë të Shërbimeve angleze dhe, kësisoj, reagimi i tij ishte shumë i fortë për të shfuqizuar të gjitha ato vendime që u morën pa miratimin e tij. Reagimi i ashpër ndaj shokëve të armëve ishte si për t’iu hequr atyre çdo iluzion mbi rolin e tij drejtues në lëvizjen Nacional-Çlirimtare, ashtu edhe për të rivendosur kontrollin e humbur nga kjo mbledhje, e cila më së shumti kërcënonte personalisht atë, por edhe lëvizjen komuniste për të ardhur në pushtet.
Leave a Reply