Situata në të cilën ndodhet sot kreu i Partisë Demokratike, duket se nuk lë shteg për diskutime të shumta, rreth gjetjes së alternativave të cilat do ta shpëtonin Lulin nga qerrfulli në cilën ai ka futur jo vetëm partinë, por edhe vehten si politikan.
Dështimet e shumta të cilat e kanë ndjekur Lulzim Bashën, qysh nga dita e parë e “emërimit” deri sot, e kanë bërë të pamundur edhe ndihmën që vetë Sali Berisha si lideri historik i PD, mund të mendohet se do t’ja jepte përmes ndikimit të tij.
Muajt e fundit, kanë qenë të shumtë ata eksponentët të PD (dhe jo vetëm ata të mazhorancës) që kanë kritikuar lidershipin e Lulzim Bashës, për mënyrën më të padrejtë politike me të cilën ai po drejton opozitën dhe veçanarisht PD në sallë dhe jashtë sallës së Parlamentit.
Një reagim të tillë ka patur vazhdimisht në intervistat dhe komentet publike (pavarsisht se në çdo moment i rezervuar në komente dhe kritika kundër Bashës) ka qenë njeriu që e afroi, e krijoi, suportoi dhe katapultoi atë politikisht, “babai i tij politik” zoti Berisha.
Duket se edhe durimi i tij, duke parë katastrofën dhe dështimet me të cilat po përballet Partia Demokratike, kanë bërë që ai të flasë, përsa i përket jo vetëm linjës opozitare të drejtuar nga Basha, e cila nuk ka ide, program, dhe elitë politike me drejtim opozitar, por edhe sepse sot më shumë se kurrë kjo parti po shkon drejt shpërbërjes strukturale dhe fizike.
Kritikat e tij ndaj Lulzimit, lideri historik i së djathtës zoti Berisha, i ka përforcuar ditët e fundit, kur ka lënë të kuptohet se “nuk do të kundërshtonte një zëvendësim të kryetarit aktual, dhe se kam qenë dhe jam gjithmonë me bazën e partisë”, apo kur deklaroi se “këshilltarët e Bashës janë një zero me xhufkë, shkaktarët kryesorë të gabimeve të tij”.
Më tepër se kaq zoti Berisha nuk kishte si ti fliste një njeriu, tek i cili 5 vite më parë, kishte varur shpresat e reformimit dhe modernizimit të PD.
Duket se zoti Berisha, ja ka hequr përfundimisht mbrojtjen politike njeriut të tij, dikur i preferuari në PD, të cilin e kritikon dhe pothuajse demaskon për listat e deputetëve humbës dhe të papaftë të 25 qershorit, për largimin e elitës historike dhe intelektuale të partisë, për mungesën e organizimit të strukturave nga qendra deri në bazë, për protesta të dobëta, dhe për një ardhmëri të pasigurtë të kësaj force politike, e cila nuk ka gjasa të vijë në pushtet në situatën në të cilën ndodhet.
Por zoti Basha nuk e kuptoi ose bëri sikur nuk e kuptoi zotin Berisha kur ai deklaroi se “ nëse do ta kërkonte baza, unë jam me bazën”, gjë e cila e shytu atë të dështonte në dy protestat e fundit, në bllokimin e punimeve të Parlamentit, në bllokimin e Vettingu-t, apo në miratimin e dy strukturave tepër të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit siç ishin KLGJ dhe KLP.
Gjatë gjithë historisë 27 vjeçare të Partisë Demokratike, ka pasur debate gjithmonë, ka patur edhe largime siç ka patur edhe afrime, dhe nuk ka mbetur gjë pa publikuar, por një nga historitë më të trishtueshme për ata qindra e mijëra demokratë ndoshta të pakënaqur nga kjo qeveri, mbetet zhgënjimi nga drejtimi dhe imponimi antistatutor i Lulzim Bashës.
Përfundimisht zoti Berisha nuk ka asnjë mundësi ta ndihmojë zotin Basha. Dhe kjo për shumë arsye objektive.
Pasi humbi betejën me “çadrën”, zgjedhjet e 25 qershorit, dhe 22 korrikun, e nisi “rrebelimin” amatoresk të deputetëve të tij nga shkarkimi i Tikut, dhe e vazhdoi me emërimin e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, e cila është zgjedhur në mënyrën më ligjore, fakt ky i konfirmuar jo vetëm nga ekspertët juridik shqiptarë, por edhe ata ndërkombëtarë, amerikanë e europianë.
Duke e patur Tikun si “ogiçin e tij”, Lulzimi mendonte tja zgjaste mandatin atij, për të mbyllur sa të ishte e mundur problemet me strukturat dhe organet hetimore, duke u bashkuar në këtë “aksion politik” me Monikën, e cila sot më tepër se kurrë po përjeton me tërbim arrestimin e bashkëpunëtorëve të saj nga Arta Marku.
Tashmë përfundimisht Monika dhe Lulzimi, nuk e kanë nën “thundër” Prokurorin e Përgjithshëm, duke mos rreshtur së kërkuari që Arta Marku të largohet, për të ardhur një tjetër do të zgjidhej me votat e tyre. Ndërkohë edhe amendamentet e paraqitura në Kuvend lidhur me kontestimet e dyshes Monika-Luli, mbeten sa të paqarta juridikisht, aq edhe tentativa të dështuara të tyre për të vonuar arrestimet e bujshme politike, që janë pergatitur nga Arta Marku dhe janë në fazën e zbatimit të tyre nga policia.
Në rrjedhën e gafave politike dhe dështimeve, PD ka bërë të qartë se ka bllokuar procesin e konstituimit të KLGJ dhe KLP, vetëm e vetëm të largonte Arta Markun, duke treguar pamaturi politike dhe paaftësi logjike.
I gjendur mes humbjesh dhe mungesës së ideve për të kapërcyer situatën politike në të cilën ndodhet, Lulzim Bashës i mbetet vetëm një rrugë, ti përgjërohet zotit Berisha ta ndihmojë.
Por për të ndodhur kjo, Doktorit do ti duhet të kryejë një rrugëtim të gjatë, në rehabilitimin e emrit dhe fugurës së Lulit, që nis nga baza të cilës ai ka deklaruar se “do ti qëndrojë besnike”, dhe përfundon tek rikthimi i të larguarve në SHQUP.
Nga ana tjetër zoti Berisha që pretendon më mirë të mbetet “lideri historik i PD, se sa të humbasë kredibilitetin e tij” deklaroi dy ditë më parë se “unë nuk mbroj asnjeri në PD”, gjë e cila ka mbyllur përfundimisht çdo shpresë dhe hamendësi të zotit Basha të bëhet lider i asaj partie.
Leave a Reply