Nga Artur Ajazi
Partia Demokratike e sotme, pra kjo parti e Lulzim Bashës dhe një grushti milionerësh të mbetur qysh nga ish-qeverisja e saj atje, nuk di, dhe jo se nuk ka dëshirë të bëjë fushatë elektorale. Gjithë shpura e sotme, dhe ajo e mbetur qysh nga koha e Doktorit atje, sahatin e kanë të prishur, të mbetur qysh nga 2005 apo 2009, dhe fushata e sotme me kushte dhe kërkesa krejt të tjera, mbetet mision i pamundur. Përballë kësaj situate, dhe kushteve të reja të cilat i dikton koha dhe angazhimi euroatlantik i vendit, fushata elektorale shihet jo si përballje turmash, jo si përballje force dhe muskujsh mes forcave politike, por si një garë programesh, idesh, emrash, potencialesh intelektuale në rritje, dhe jo në zbritje.
Fatkeqsisht faktet dhe gjendja aktuale në të cilën është përfshirë opozita e vjetër (e cila e humbi gjithë shansin e vetëm që i dha Rama) treguan se kjo PD, treguan se ky kryetar i saj, ka mbetur në mentalitet dhe prakticitet në kohën e Doktorit. Lulzimi mendon dhe vepron si Doktori, por jo fiks si ai, lexon dhe drejton si Doktori por jo fiks si ai, akuzon dhe denoncon si Doktori, por jo fiks si ai, bën politikë , afron miq, dhe bën armiq si Doktori, por jo fiks si ai, kërkon të bëjë edhe fushatë elektorale si Doktori dikur, por jo fiks si ai. Të gjitha “rrugët të çojnë tek Doktori”, por jo fiks tek ai Lulzim. Dhe kjo për një arsye të vetme, pasi Lulzim Basha këto 6 muaj ka humbur shumë nga rrugëndjekja e gabuar, ka humbur mendimin, idetë, veprimin, ka humbur sensin, ka humbur miqtë dhe ka shtuar armiqtë në PD, ka afruar të paaftët dhe mediokrrit duke mos prodhuar në asnjë moment politikë, dhe duke humbur shumë kredibilitet.
Sot më shumë se kurrë, PD e Lulzim Bashës, Bardhit, Flamurit, Enkeledit, Ervinit, e atyre që i kanë mbushur mëndjen kryetarit se “me paramilitarë do të prishim zgjedhjet”, gjendet në orët e fundit të mbijetesës politike. Mungesa e aftësive, mungesa e frymës dhe besimit në popull, aksionet përçarëse dhe kaotike të një opozite të çoroditur, nuk mund të kenë shansin të prodhojnë një fushatë dinjitoze elektorale, për një forcë politike e cila ka humbur të gjitha piktakimet me institucionet ligjore dhe kushtetuese, përfshi këtu edhe faktorin ndërkombëtar. Duke mbajtur shpresë tek Doktori, Lulzimi mendonte se edhe pasi të digjte mandatet, sërish do të ishte në gjendje të ngrinte “në këmbë” demokratët e zhgënjyer 3 herë nga humbjet e tij.
Duke shpresuar tek “magjia” e Doktorit, se edhe pas djegies së mandateve, do të gjendej një mënyrë e re, e cila do të çonte në fitoren e PD, Lulzimi mendonte se flakadanët, kapsollat dhe molotovët, ishin e ardhmja e fushatës së tij. Në PD e sotme, askush nuk di, dhe askush nuk kërkon të bëjë fushatë normale elektorale, pasi 90 per qind e atyre që mbushin sot zyrat e SHQUP-it, kanë qenë dhe janë dakort vetëm me një gjë, revolucionin e dhunshëm për marrjen e pushtetit. Ora e PD ka mbetur në 1997, 1998, 2001, dhe 2011, dhe nuk ka burrë dhe Doktor, ta lëvizë në sens tjetër. Edhe Lulzim Basha sikur të dojë, nuk i kthen dot mbarë akrepat e orës së mbetur të SHQUP-it, të cilat gjithmonë paralajmërojnë stuhi, dhunë, shkatërrim.
Ngjarjet e ditëve të fundit kryesisht në veriun e vendit, treguan se PD mbetet besnike e teorisë së vjetëruar të rrëmujës, anarshisë, bujës, duke kërkuar dhe zbatuar skenare ogurzeza, të cilat si personazhe kryesorë kanë paramilitarët e mashtruar dhe të paguar, nga ata që nuk e dinë akoma ndoshta se Shqipëria jeton në Europë, dhe se drejtësia do ta thotë shumë shpejt fjalën e saj, për cilindo që deri sot është fshehur jo vetëm pas Doktorit, por edhe pas mandatit të përcëlluar.
Leave a Reply