• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
ARTUR AJAZI/ “Meraku” i Lulit, deti dhe droga
Home
Blog

ARTUR AJAZI/ “Meraku” i Lulit, deti dhe droga

March 2nd, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Opozita që Lulzim Basha po bën në emër të Partisë Demokratike, lidhet vazhdimisht me çdo ngjarje që ka të bëjë jo me dështimet, por me sukseset e qeverisë Rama. Kjo mbetet diçka e veçantë dhe e habitshme për një parti opozitare, por ja që kjo ndodh me partinë që drejton zoti Basha. Së fundi, pasi u ndal gjërë e gjatë në turneun e tij me ndihmën ekonomike dhe u “qau hallin” atyre që kishin ikur nga listat, Luli është ndalur tek deti “i falur” dhe droga e kapur në portin e Durrësit.

Meraku i Lulit deri para disa ditësh, ishte kur do t’i tërheqë vjehrri lekët e pallatit, dhe kjo është dukur më mirë tek tabelat e protestuesve më 27 janar 2018. Së fundi , pasi u ndal gjërë e gjatë në turneun e tij me ndihmën ekonomike dhe u “qau hallin” atyre që kishin ikur nga listat, Luli është ndalur tek deti dhe droga e kapur në portin e Durrësit. Prej 10 ditësh Luli u detyrua të merret “seriozisht” me marrëveshjen e detit me Greqinë, dhe nuk mungoi të vërë në lëvizje edhe ish-presidentin Nishani, apo së fundi dhe presidentin aktual Meta, të cilin e ftoi të vinte në Parlament për sqarimet teknike.

Por merakun e fundit Luli e ka me drogën e kapur (kokainën) në portin e Durrësit, si pasojë e një pune profesionale të Policisë Shtetit në bashkëpunim me strukturat policore ndërkombëtare. Madje për këtë sukses të veçantë të policisë shqiptare, në kapjen e një sasie kaq të madhe kokaine, qeveria ka marrë përgëzime nga ndërkombëtarët , por si gjithmonë jo nga opozita e Lulit. Vetëm 2 orë pasi Policia e Shtetit deklaroi dhe njoftoi zyrtarisht se “në portin e Durrësit pas një pune intensive u kapën 630 kg kokainë dhe arrestuar disa persona”, Lulzim Basha, pa u njohur mirë me faktet dhe detajet teknike operacionale, nxitoi të deklaronte se “droga ishte e qeverisë, suksesi ishte i PD”. Kreu i opozitës edhe dje doli para kamerave dhe mburri partinë e tij, e cila sipas Lulit “kishte paralajmëruar edhe më parë Kuvendin për drogën e kapur dhe krimin”. Deklaratë më të papjekur politikisht dhe teknikisht nuk kam dëgjuar ndonjëherë nga një kryetar partie opozitare. Madje këtë deklaratë kurrë nuk do ta kishte bërë as Berisha në vitin më të vështirë të tij në 1997.

Sipas Lulit “kapja e drogës ishte rezultat i lidhjeve të trafikantëve me qeverinë, dhe droga vetë është e qeverisë”. Për të qeshur dhe për të uluritur, nga mënyra se si arrin një kryetar opozite të bëhet kaq gaztor në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Droga e kapur zoti Basha, ishte pjesë e linjës së trafikut ndërkombëtar, dhe njëherësh një sukses i veçantë i Policisë Shtetit, e cila më në fund ka arritur të këpusë një hallkë të rëndësishme të rrjetit kriminal. Por një gjë nuk kuptoj, pse gjithmonë kapesh pas fijes së barit, dhe jo pas kavos së çelikut , pasi në fund të fundit, ky sukses është i policisë së vendit tënd ? Ndoshta këshillohesh keq nga salianjët, ose gabon me dashje për të sjellë “risi” në misionin e pamundur të opozitarit, mjafton të kujtojmë kërkesën drejtuar Prokurorisë për “të bërë transparencën për drogën e kapur”.

Asnjëherë nuk e kisha dëgjuar më parë Lulin, që një kërkesë të tillë, t’ja bënte Adriatik Llallës kur policia kapte drogë, armë dhe arrestonte emra të njohur të botës së krimit. Kurrë nuk kërkove “transparencë” nga Tiku, por veç e mbroje , madje edhe kur atij i mbaroi mandati ligjor i Kryeprokurorit. Partia Demokratike prej 9 muajsh, merret vetëm me sukseset e qeverisë, të cilat këshilltarët e Lulzim Bashës i përkthejnë si “dështime” të saj. Kjo është opozita e një vendi që pretendon të integrohet në BE, vallë kjo është opozita e një vendi që kurrë nuk pranon sukseset e policisë ndaj rrjeteve kriminale, duke nxirë gjithçka të bardhë. Opozita e një vendi demokratik, është nderi ose turpi i klasës politike.

Nuk mund të bësh opozitën, duke mbledhur rreth vehtes çiliminj të llastuar nga rrjetet sociale, dhe duke u dhënë në dorë atyre fatin e një partie të madhe siç është Partia Demokratike. Jo çdo ëndërr që shikon natën mund të bëhet realitet zoti Basha, dhe jo çdo sukses i qeverisë mund të jetë edhe suksesi PD. E ardhmja e vendit, kërkon sot bashkëpunim institucional pozitë-opozitë dhe përgjegjshmëri politike. Në çdo vend demokratik, opozita është pasuri kombëtare dhe jo strehë për pazare, por duket se kjo kurrë nuk do të kuptohet nga PD e zotit Basha, sa kohë që salianjët janë caktuar të tundin “këmborën” e prishur për të trembur qeverinë, dhe akuzuar ndërkombëtarët.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SKËNDER MINXHOZI/ E megjithatë Meta nuk e ka zgjidhur problemin real që ka me “Detin”
Previous article PËLLUMB KULLA/ Për një mbështetje të fuqishme Teodor Vasos!

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k