Vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017, Lulzim Basha kreu i PD ka hedhur “kushtrimin” për “revoltë popullore për përmbysjen e qeverisë Rama”, dhe për “krijimin e një qeverie antikorrupsion”. Duke dashur të pergatisë terrenin për protestat e janarit 2018, Lulzim Basha duket se po kërkon “rizgjimin dhe ribashkimin” e Partisë Demokratike, diçka e pamundur për kushtet dhe situatën ku gjendet sot ajo forcë politike. Kushtrimi i Lulit, është një tjetër argument që e bën të pabesueshëm opozitën aktuale, ose më qartë PD që ai po drejton.
Por Lulzim Basha dhe PD, kanë gjithë të drejtën të protestojnë, për çfarë të duan, duke nisur nga uji që vërshon në fushat dhe banesat e veriut dhe jugut të vendit, për korrupsionin e rrugëve dhe tenderat e tyre duke nisur nga rruga e Kombit ku u zhdukën miliona euro, ai mund të protestojë edhe për gabimet e gjynahet e qeverisë së sotme, e cila nuk ka ndëshkuar akoma korrupsionin dhe skandalet që gjeti në 2013, mund të protestojë edhe për mungesën e verifikimit dhe masave rradikale nga institucionet ligjore për pasuritë e drejtuesve të PD, shumica e të cilëve i kanë të pajustifikuara, dhe pastaj ti ftojë demokratët për të “rrëzuar qeverinë Rama”.
Edi Rama erdhi në pushtet në 2013, pasi kishte besimin se vetëm ai, mund të bënte reformat rradikale që do ta çonin vendin drejt hapjes së negociatave me BE. Rama erdhi në pushtet dhe vazhdon të jetë në pushtet, nga besimi i shumicës së shqiptarëve, ndërkohë që Basha ka marrë goditje të njëpasnjëshme elektorale dhe partiake. Atëhere përse i duhet Lulit kushtrimi dhe protesta ? Lulzim Basha po bën gjithçka mundet, që të gjithë mediat dhe portalet mediatike on-line që kanë vite që merren me problematikat qytetare, ti afrojë përmes “kushtrimeve” falce. Kushtrimi i Lulit, duket më tepër si “atentati i rradhës” ndaj të djathtës për të mashtruar demokratët dhe ndërkombëtarët se “në Shqipëri ka opozitë të fortë që përkrahet nga shumica e popullit”.
Kushtrimi i Lulit, mbetet keqpërdorja e tij sidomos ndaj bazës së Partisë Demokratike, mbetet tallja më e madhe ndaj tyre, pasi ai e di fare mirë se, partia ndodhet në krizën e saj më të thellë të besimit, drejtimit, përqëndrimit, me struktura të shpërbëra nga qendra deri në bazë. Partia Demokratike duket se do të përballet gjatë me një luftë të ashpër brenda vetes, ndërkohë që betejen e vërtetë duhet ta kishte me qeverisjen , me shumicën, etj. Nga ana tjetër Berisha nuk mund ta “mbajë” më mbi supe Lulzim Bashën, në rrugën pa krye nga ku ai e ka futur PD. Vendimet e deritanishme të Bashës nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse kanë prodhuar një Parti Demokratike të brishtë, të dobët, pa një program të qartë opozitar dhe drejtues.
Me “kushtrimin” e tij Basha synon ndoshta të krijojë idenë e revolucionit, por harron se “revolucioni i dhunshëm i ha bijtë e tij”. Në rastin Basha fillimisht kemi fenomenin “revolucion i çadrës”, nga ku ai nisi “të hante etërit e partisë”, duke mos i qasur fare në listën e kandidatëve për deputet, ata që e themeluan dhe kontribuan në forcimin dhe rigrupimin e saj qysh pas shpërbërjes së partisë në 1997. Një tjetër argument antiopozitë e “kushtrimit” të Lulit është edhe “puthja” e tij me Monikën e Ilirit, me partinë e bizneseve, që pasi turpëruan parlamentin me luftën opozitare me gjysma çizmesh, duket se e kanë lënë fushën e betejës të turpëruar.
Pavarsisht se Monika kërcënon hapur se “Rama nuk ka parë asgjë akoma”, opozita e LSI, është dhe do të mbetet një ëndërr me sy hapur që po e turpëron atë parti, që ishte mësuar të ikte si “kovë pusi” tek ai që merrte pushtetin. Monika e di fare mirë se nuk ka “këllqe” të bëjë opozitë kur ka Ramën përballë, ashtu siç e di fare mirë se Luli ka hedhur “kushtrimin” e tij për të larguar vëmëndjen nga akti i dytë i marrëveshjes së 17 majit 2017.
Duke lështuar kushtrimin dhe duke menduar se do të përsërisë protestën e “flakadanëve” edhe në janarin e 2018, ndoshta Lulzimi ka harruar se baza e partisë nuk janë ish-drejtorët e qeverisjes 8 vjeçare, por janë ata mijëra vota të munguara, që kërkojnë veç llogaridhënies për humbjen e thellë dhe largimin e figurave emblematike, edhe zgjedhjet e reja për kryetar PD.
Leave a Reply