Nga Artur Ajazi
Puna e kryetarit të Partisë Demokratike, e partisë së mbetur pa deputetët e saj dhe së shpejti edhe pa aleatët e saj, ka ardhur si loja me “më do, s’më do”, do të futem në zgjedhje, nuk do të futem në zgjedhje.
Një parti politike, e mbushur me skandale, dështime, rrjedhje, e mbushur me zbrazëti dhe paaftësi njerëzore dhe intelektuale, ka kurajon tu mohojë anëtarëve dhe militantëve të saj, edhe vajtjen në zgjedhje.
Ky është kulmi. Pasi u ka mohuar të drejtën e mohimit të së keqes brënda partisë, të drejtën e fjalës së lirë dhe kundërshtimit të lirë, pasi u ka mohuar zgjedhësve të saj të drejtën për tu përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë, tashmë kërkon ti mohojë edhe të drejtën kushtetuese për të votuar.
Partia Demokratike e Lulzim Bashës, ka kohë që nuk dëgjon zërin e bazës, zërin dhe mendimin ndryshe të atyre që e duan atë parti dhe që u flakën nga ai, ka kohë që nuk dëgjon zërin e të “përjashtuarve”, ka kohë që nuk përfill zërin e ndërkombëtarëve, verdiktin e europianëve dhe amerikanëve, duke u kthyer me dashje në parti marksiste, ku fjala dhe vepra e “të madhit”, ka qenë dhe mbetet ligj.
E ndodhur në një rrugë pa krye, pa asnjë rrugëdalje politike dhe pozitivitete për shqiptarët, Partia e Bashës, sot rrezikon më shumjë se kurrë të shkrihet, dhe të kthehet në OJF. Sindromi i “çadrës së lirisë” dhe “Republika e Re” kanë qenë qysh në majin e 2017 dhe mbeten akoma edhe sot, e vetmja “stradegji” e një partie që nuk kërkon pushtet me votën e shunmicës, e një partie dhe e një kryetari që mendon dhe trillon veçse histori me “zhurmues dhe përgjues”.
Lulzim Basha ka kohë që përkëdhelet, qysh nga koha kur Sali Berisha e mori dhe e bëri pjesë të KOP-it, e duke vazhduar pastaj me postet ministrore, postin e kryetarit të bashkisë Tiranë, e duke e mbyllur si kryetar i një partie humbësish. Lulzimi ka kohë që i përkëdhelet Doktorit, politikës, që i përkëdhelet anëtarësisë tij, ka kohë që i përkëdhelet edhe ndërkombëtarëve, duke luajtur me “kryeopozitarin” e pazëvëndësueshëm.
Dhe në fakt e ka arritur deri sot qëllimin e tij, duke shpikur “çadrën e lirisë” dhe duke arritur një marrëveshje ku mori goxha ministri, duke premtuar “pushtet dhe poste për militantët” dhe në fakt i mbajti ata nja 90 ditë brënda saj dhe pastaj i harroi, duke kërkuar dhe vendosur kushte, me dhe pa bazë ligjore për deputetët e tij milionerë, dhe së fundi duke “deklaruar” se “opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale pa ikur Rama, pa u formuar qeveria teknike” etj, etj, dogma të tilla.
Lulzimi ka nisur të përkëdhelet, edhe kur shkel ligjin, edhe kur ndjekësit e tij “paqësorë” thyejnë xhamat dhe dyert e institucioneve, edhe kur ndjekësit e tij plagosin policët me gurë dhe flakadanë, edhe kur në SHQUP troket ndonjë ambasador i huaj apo ndonjë grup eurodeputetësh dhe i kërkojnë atij “të ndalë dhunën, të futet në Parlament dhe të punojë për vendin e tij”.
Dhe për të gjitha këto, Lulzimit i duket sikur “është i pazëvëndësueshëm si opozitar”, i duket sikur pa PD-në e tij “Shqipëria do të mbetet mbrapa”, duke harruar se partinë e katandisi në shoqatë, ku edhe ata që kishin dikur teserat e saj, po i dorëzojnë prej tij.
Politika nuk e pranon, dhe nuk e toleron “përkëdhelinë” e askujt, as të kryetarit të partisë, dhe të askujt që pretendon të fitojë dhe shpëtojë në kurrizin e saj.
Atë çfarë zoti Basha po bën me PD dhe të ardhmen e saj, duhet të alarmojë anëtarësinë dhe militantët e saj, për të gjetur kurajon dhe vendosmërinë ti thonë “JO” akrobacive të një njeriu, që ka 15 vjet që përkëdhelet në politikë, duke luajtur me fatet e një partie të kthyer në pronë private.
Demokratët do të marrin pjesë në zgjedhje, sepse është një e drejtë kushtetuese, është ose nuk është dakort zoti Basha, është ose nuk është edhe dakort kumbari i tij, për ti dhënë shansin PD të mbijetojë, ndryshe do të gabojnë rëndë dhe historia nuk do t’jua falë.
Leave a Reply