Situata më e fundit në të cilën po kalon Partia Demokratike, as më shumë dhe as më pak, ka të qartësuar vetëm faktin se kjo parti ka gjasa të mbesë thjesht pa të ardhme, thjesht “partia e Berishës”, dhe vetë Sali Berisha si “lider historik” i saj.
Duket se historia e PD, ka nisur dhe do të bitiset me Berishën, një lider historik, që do ti përkasë natyrisht jo vetëm të shkuarës, por edhe të sotmes.
Ndoshta mbi aktivitetin e tij politik, do të shkruhen edhe libra, por për të shkuarën dhe të tashmen e tij, natyrisht do të flasin edhe historianët.
Në konceptin filozofik, “lideri historik” i përket së shkuarës dhe jo të ardhmes, por ajo që po ndodh me PD sot, mbetet unikale për një parti politike, pasi edhe pse Berisha edhe pse ka mbi 5 vjet që është tërhequr, ai sërish është në krye të (PD) protestës opozitare, protagonisti bisedave telefonike dhe mediatike ku flitet dhe trajtohen problemet politike të kësaj partie.
Berisha si “lider historik” jep leksione jo vetëm nga e shkuara e PD, por menaxhon edhe të tashmen e saj, ndërkohë që Lulzim Basha as nuk ka gjasa të projektojë të ardhmen e tij politike brënda asaj partie.
Partia Demokratike ka patur disa herë fitore elektorale vetëm kur kryetari i saj ishte Sali Berisha, atëherë kur ai (që dirigjon të tashmen e saj edhe sot) ishte personi i vetëm që drejtonte atë parti. Edhe në Partinë Demokratike të sotme, me kryetar Lulin, ky është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm pasi atij i mungojnë shumë elementë.
Duke i ditur këto mangësi, Sali Berisha është edhe sot, lider historik dhe lider de facto i PD-së, duke qenë njëherësh përfaqësuesi i të shkuarës dhe të ardhmes në atë parti.
Lulzim Basha nuk mundi dhe nuk do të mundë kurrë të jetë kryetar i partisë, dhe njeriu që menaxhon të tashmen e PD, për pasojë ai nuk ka në dorë as të ardhmen e saj.
Kjo pasi, Lulzim Basha mbetet “kryetari” që ka humbur (veç të tjerave) zgjedhjet , duke përmbushur njëherësh kushtin statutor, për tu zëvendësuar (në fakt dorëhequr) me një lider tjetër me zgjedhje të lira .
Deri tani rolin e tij e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër, Sali Berisha. Heshtja e Berishës, gjithmonë ka folur më shumë se çdo gjë tjetër, për ç’ka po ndodh aktualisht në PD ?
Humbja në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, hartimi i listave, dhe zgjedhja pa asnjë rival e Lulzim Bashës, e detyruan Sali Berishën të kuptojë se, mungesa e frymës opozitare, e aftësive politike dhe organizative, ishin shkaku i gjithçkaje që po degradonte atë parti.
Sali Berisha natyrisht e kuptoi se Lulzim Basha veproi sipas interesit të tij, duke lënë mënjanë kauzën e opozitës.
Si lider historik , megjithëse vonë, ai ka folur përciptas për humbjen e 25 qershorit 2017, dhe për farsën e zgjedhjeve për kreun e PD, por gjithsesi ai ka mbetur vetëm tek fjalët, duke e lënë partinë e tij të zhytet edhe më thellë në krizën e madhe.
Në fakt, shumë pak politikanë shqiptarë janë tërhequr “me nder” nga skena politike, duke shijuar deri në fund statusin e “liderit historik”.
Megjithatë me uljet dhe ngritjet e veta, karriera politike e Berishës mbetet sërish e vlerësuar nga shumica e demokratëve, sidomos kur ai u dorëhoq pasi humbi zgjedhjet në 2013. Dorëheqja është në fakt një akt dinjiteti, dhe këtë Sali Berisha e kuptoi mirë në fund. Të njëjtë gjë duhej ta kishte bërë edhe Lulzim Basha, dhe padyshim do të quhej “lider” edhe sot e kësaj dite nga shumica e demokratëve.
Të përpiqesh të bëhesh “lider më i mirë se Berisha” në PD, duhet patjetër të ballafaqohesh me kontributet e tua, me veprën tënde, dhe të mbetesh lider, do të thotë të bësh diçka më mirë se paraardhësi yt.
Dallimi mes liderit historik të PD, dhe kreut aktual të kësaj partie, është si dita dhe nata. Vetë Sali Berisha, imituesit e tij politikë i përçmon, dhe padyshim kjo është ndër arsyet, që ai kohët e fundit po bojkoton edhe mbledhjet e grupit parlamentar të drejtuara nga Lulzim Basha.
E ndërsa vitet kalojnë, duket se fati politik i Lulzim Bashës dihet, dhe sërish ka mbetur në dorën e “liderit historik”, pavarsisht se ky i fundit deklaroi në një media se “nuk marr përsipër të rehabilitoj asnjë figurë politike në PD”.
Natyrisht sot në Partinë Demokratike si mbështetësit, dhe të zhgënjyerit, e kanë të qartë vendin e Lulzim Bashës në atë parti, ku SHBA dhe BE sulmohen sa herë që preken interesat e lidershipit, apo kur së fundi “dara” e ligjit është ngushtuar shumë.
Me zotin Basha kryetar, PD bëhet herë “pro” dhe herë “kundër” SHBA, herë e sulmon dhe herë e mbron ambasadorin Donald Lu, duke mos ndarë për asnjë minutë dhe sulmet ndaj ambasadores Romana Vlahutin.
Kjo ka bërë që vija politike e PD e përcaktuar nga Lulzim Basha, të jetë e devijueshme, e paqëndrueshme, qesharake dhe aspak serioze për një parti opozitare që pretendon që në të ardhmen të jetë në pushtet.
E ndërsa Berisha e ka një vend në PD, duket se vendi i Bashës nuk do të gjendet gjëkundi atje pasi ai të jetë larguar nga drejtimi i saj, por thjesht do të kujtohet si humbës dhe asgjë tjetër, kurse sejmenët e tij, si kursantë kalimtarë në atë parti.
Leave a Reply