Artan Xh.Duka
Protesta e studentëve është e drejtë, bile e vonuar, siç është e vonuar edhe protesta e shumë shtresave të tjera sociale që prej dekadash vuajnë pasojat e tranzicionit më absurd drejt demokracisë funksionale. Të mësuar këto kohë me protesta “popullore” që kurdisen rëndom nga politika sipas një seriali grotesk, karakteri i protestës studentore deri më tani dallon si nata me ditën në origjinalitetin e qytetarinë e saj.
Sfida e protestës mbetet t’a ruajë këtë profil dhe ndërkohë, krahas problematikave studentore dhe arsimit në përgjithësi, ajo duhet të bëhet zëdhënëse edhe për problemet e tjera po aq të mprehta në vënd nga përshpejtimi i reformës në drejtësi, presioni për parlament funksional për detyrat e shtëpisë në integrimin drejt BE, presioni për qarkullim të drejtuesve politikë në këtë vënd, dramat e varfërisë dhe standartet në rritje ekonomike për të gjithë, qëndrimi dinjitoz ndaj problematikave me fqinjët në rajon, një ligj zgjedhor meritokratik, liria e medias etj probleme që çlirojnë më tej simpati e mbështetje për të gjeneruar një lëvizje që do të mbahet mënd gjatë.
Kauza qytetare përballë sebepit politik
Mbi të gjitha, studentët nuk duhet të lejojnë që protesta e tyre të kapet, ndotet dhe më pas shpërdorohet nga politika, sidomos nga syresh të diskretituar brënda spektrit opozitar që të terrorizuar nga reforma në drejtësi dhe të paaftë të rigjenerohen dhe të ofrojnë shpresë për votuesin, bëjnë sehir ku ka turma që të turren e t’u ngjiten pas.
Do të ishte bumerang për kauzën e sotme studentore dhe shpresën për më shumë nëse do të ndodhë si dikur në vitet 90 kur thirrja studentore për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa u fashit, vetë protagonistët ikën sa andej këndej dhe ëndërra europiane u telendis duke u marrë peng në dekada nga po ajo frymë dhe takëm politikanësh që i vjen rrotull protestës sot. Hovi, dinamizmi dhe energjia rinore jo gjithmonë ia del përballë djallëzisë politike ndaj dhe studentët e sotëm nëse duan të japin shëmbull qytetarie duke çuar deri në fund kauzën e lënë përgjysëm të studentëve të 90, duhet të përballen me dinjitet jo vetëm me pushtetin por dhe rrezikun e kompromentimit prej llumit politik që ende vegjeton në krahun opozitar.
Në kontekstin kaotik politik shqiptar, vija ndarëse mes “aleatëve” apo “kundërshtarëve” të kësaj proteste mund të bëhet aq e turbullt sa të vërë në pikpyetje dhe vetë fatin e protestës në fjalë duke rrezikuar si kauzën e ditës ashtu dhe shpresën se ajo mund të shndërrohet në tharm të një lëvizjeje progresive mbarëqytetare për pastrim të politikës e kurorëzim të shtetit ligjor.
Sepse, ndërsa nga njëra anë kemi riskun e kompromentimit të kësaj lëvizje nga opozita e vjetër që sheh vetëm “tymin” e saj përballë makthit nga reforma në drejtësi, nga ana tjetër kemi një qeveri që ka dhënë prova se nuk ka ndroje të ndërmarrë reforma si kudo në perëndim, se nuk garanton karrike pushteti për askënd, se nuk e përjashton por e inkurajon dialogun me palët dhe që kryesohet nga dikush që është historikisht familjar me rebelizmin e radikalizmin rinor.
“Leksion” qytetarie studentor
Mbi të gjitha, studentët duhet të demostrojnë standartin e shumëpritur të protestës qytetare. Ajo duhet të jetë e hapur për këdo, pavarësisht përkatësisë partiake, sa kohë pranojnë një kauzë që është mbi partitë dhe nuk ndotin me axhendat partiake këtë lëvizje të mirëfilltë qytetare. Radikalizmi që ndodhi në Francë nuk ka pse të jetë as model e as standart. Ndoshta për perëndimin ajo që ndodhi në Francë është thjesht demokraci, por nëse ndodh tek ne, përveç dramave e dëmeve financiare e materiale për një shtet modest si i yni, mund të lakohet nga perëndimi si anarki e destabilitet me faturë direkte në integrimin drejt BE ku të humbur jemi të gjithë. Më shumë se fillimi i një proteste, sfida qëndron tek mbyllja e saj.
Protesta duhet të shpalosë dinjitet dhe qytetari duke shmangur çdo provokim që përçon anarki, dhunë e tension si shpesh herë në të shkuarën. Janë të tepërta edhe djegjet e flamurëve partiak si simbole demokratike, ndotja e ndërtesave qeveritare që fundja janë pasuri publike dhe jo personale të njërit apo tjetrit, arbitrariteti ndaj medias etj. Mesazhi i qëndresës, përkushtimit dhe stoiçizmit në kërkesat ndaj qeverisë nuk forcohet por kompromentohet nga çdo akt arrogance apo eksesi dhe kjo mbetet sfidë reale për këtë protestë.
Kërkesat reale ndërkohë duhet të nënkuptojnë dhe jo përjashtojnë dialogun. Nëse ke argumentin me vete, ulesh i qetë në tavolinë. Tarifat duhet të dialogohen gjithnjë nisur nga premisa se ato janë domosdoshmëri, sikurse në gjithë perëndimin ku studentët marrin edhe kredi bankare (që sipas rastit shlyhet vetëm kur ke një rrogë mbi një nivel të caktuar) për të siguruar një diplomë me të cilën ata synojnë të bëjnë një karrierë më pas dhe garantojnë mirëqënie për familjen e tyre. Universitetet publike dhe kontributi e përkushtimi i tyre për të formuar specialistët e së ardhmes, kanë nevojë për mbështetje financiare për të përmbushur pritshmëritë në rritje dhe arsimimi falas nuk mund të shtrihet në nivelin universitar që krijon avantazh shtesë për punësim e karriere për këdo që e ndjek atë.
Ultimatumi nuk mban era demokraci dhe lëvizjet në buxhet nuk mund të imponohen nga rruga. Ndryshe, të çohen edhe pensionistët, mjekët, të persekutuarit, veteranët, ish-ushtarakët, të pastrehët, pronarët etj pafund. Kërkesat paraqiten, dialogohen dhe nëse qeveria nuk i përmbush kërkesat realiste, ajo merr përsipër faturën elektorale më pas. Protesta nuk mund të zëvëndësojë votën sepse sot vota ajo nuk uzurpohet më si dikur duke provokuar më pas protesta ekstreme si mjeti i fundit në demokraci teksa vetë pushteti gjyqësor ishte nën kontrollin politik.
Përtej një tarife studentore, meraku i studentëve duhet të jetë përmbyllja e reformës në drejtësi si hap vendimtar drejt një shteti normal demokratik dhe integrimit në BE. Sepse edhe nëse qeveria nuk e redukton tarifën në nivele të arsyeshme, studenti e familja e tij ka jo vetëm votën në dorë më pas por dhe gjykatësin korrekt në krah që i vë fre abuzimit qeveritar. Interesi i studentit dhe demokracia në përgjithësi nuk ka nevojë për lider të fortë, mirëkuptues e të gatshëm për kompromis por për institucione të forta, votë të lirë dhe ligj të barabartë për të gjithë.
Protesta studentore nuk ka pse të ruhet si djalli nga temjani prej politikës, përkundrazi ajo duhet të përçojë politikë sepse gjithshka është politikë. Ndryshe, ajo do të mbahet mënd thjesht si një protestë rutinë “o mete për vete”, që mori çfarë mori duke përplasur fort këmbët në shesh, duke mos dëshmuar ndjeshmëri ndaj problematikave të thella në këtë vënd zgjidhja e të cilave është në të mirën e të gjithëve, ata përfshirë.
Protesta qytetare vetëm e forcon demokracinë në vënd dhe nëse mbetet e tillë, i shërben edhe interesit kombëtar, integrimit në BE, raporteve me fqinjët, sfidave të ditës në Kosovë, së fundi krijimi i Ushtrisë atje etj. Dialogu është gjithashtu shprehje e qytetarisë dhe sot studentët kanë shansin t’i japin një “leksion” qytetarie në “auditorin-shesh” mbarë shoqërisë që mban sytë nga ta.
Leave a Reply