Jo se qeveria është qelibar. Përkundrazi. Por rrotacionin e ndëshkimin nuk e bën rruga. Nuk është 97-a; as nuk krahasohet me të. Ka institucione dhe votë dhe “burri shtetit” vlen për qeveritarin e opozitarin bashkë.
“Qorri” që nuk do sy!
Nëse qeveria, sipas opozitës, e ka mbushur kupën, o burra sa më shpejt reformën në drejtësi! Ku më e interesuara si rregull duhet të jetë opozita por ja që kjo e paska një hall se çuditërisht po e anatemon dhe saboton e para atë. Dje me miratimin e kuadrit ligjor, sot me zbatimin e saj.
Nëse qeveria shkel e shpërfill të drejtat demokratike, o burra sa më shpejt integrimin në BE! Ku më e interesuara si rregull duhet të jetë opozita por ja që kjo paska një hall se çuditërisht po e tensionon klimën politike duke rrezikuar shtyrjen e hapjes së negociatave dhe lërë Sërbinë të hyjë para nesh në BE.
Paradoksalisht sot kemi një qeveri që po i hap me zell “gropën” vetes duke u ekspozuar ndaj një sistemi të pavaruar drejtësie dhe standarteve imponuese e një monitorimi në rritje prej BE dhe një opozitë që refuzon “armët” që jep ligji dhe BE për të përshpejtuar apo garantuar rrotacionin politik në vend!
Protesta e janarit nuk i sjell dobi Shqipërisë nëse i kundërvihet reformës në drejtësi dhe penalizon hapjen e negociatave me BE. Pa drejtësi dhe larg BE, qeveria do abuzojë më shumë, opozita do të mbetet njësoj e dëshpëruar dhe rrotacioni do të mbetet tensionues.
Të vetmit fitues nga turbullirat, sabotimi i drejtësisë dhe integrimit në BE, janë qarqet antishqiptare në rajon. Me Sërbinë në BE para nesh (me këtë rast Kosova do të pranohet nga sërbët sepse Kosova nuk do jetë bashkë me të atje) fatura e integrimit do të rritet më tej dhe pa drejtësi, shteti shqiptar do të mbetet inferior ndaj gjeopolitikave dhe investimeve strategjike në rajon.
Zerim gjërave me botën! Po mes nesh?
Atëhere ku i çon mushka ku janë ngjeshur PD e LSI bashkë? Nëse interesi i vëndi kërkon mirëkuptim politik për këto dy çështje, atëhere kjo protestë pa kauzë (asgjë gjatë qeverisjes së PS nuk mund të krahasohet me bëmat e PD në pushtet) e pa moral (lidershipi i PD nuk mund bëjë sikur lindi dje), rrezikon t’i kundërvihet direkt interesit kombëtar. Esadizmi nuk ka brirë!
Alibitë e protestave nuk pinë më ujë. Vetëm për hallin e popullit nuk i digjet barku PD e LSI. Se po t’u digjej, e shtynin atë një ditë pas hapjes së negociatave me BE. E bëri dikur PS pas Gërdecit me NATO-n në prag. Sot e kanë rradhën “burrat e shtetit” dhe “yjet në ngjitje”. Ndonse nuk kanë asnjë arsye si Gërdeci dikur.
Për më tepër, ndryshe nga PD dje që monopolizoi e kapitalizoi politikisht futjen në NATO, PS po shprehet e gatshme të ndajnë së bashku si klasë politike meritën për hapjen e negociatave me BE. PD, e lakuar si opozitë që po nëpërkëmb integrimin në BE, me ftesën e Ramës ka shansin të provojë gjithë kritikët gabim. Në këtë kontekst, ftesa e Ramës duhet të jetë më konkrete rreth bashkëpunimit parlamentar dhe strukturave ad-hoc për këtë qëllim.
Sa i takon reformës në drejtësi, opozita ka rastin të dëshmojë se nuk i ndruhet asaj sepse nga mënyra sesi i është kundërvënë dhe e ka trajtuar deri tani, veç shton dyshimet rreth së kaluarës së saj në pushtet. Për më tepër do i jepte fund dhe absurdit politik teksa nga njëra anë deri dje pretendonte se të huajt po ndërhynin duke cënuar sovranitetin dhe parimet kushtetuese dhe nga ana tjetër sot akuzojnë Ramën për kapje të saj! Mos ia rritni kaq shumë vlerat Ramës sa të aludohet se dhe perëndimi bën lojën e tij!
Një protestë dinjitoze në përkrahje të BE dhe ligjit në vënd është gjithnjë shëndet për demokracinë. Dhe që të mos e ndajë fjalën nga vepra, opozita bën mirë të shtrëngojë, qoftë dhe me pahir sipas saj, dorën e bashkëpunimit për hapjen e negociatave me BE dhe reformën në drejtësi. Tek e fundit, janë ca gjëra e rregulla loje që i leverdisin të gjithëve, në pushtet apo jo.
Ndërkohë që po negociojmë me Greqinë për “tabura”, është e paimagjinueshme të krijojmë “vija” të kuqe mes nesh. Opozita dhe qeveria bëjnë mirë të lëshojnë pe për hir të mbarë shqiptarëve. E kanë detyrim. E para për të spostuar në kohë pretendimet vënd e pavënd të saj ndaj qeverisë dhe shpallur vullnetin për respektimin e institucioneve dhe qeveria vetë duke ofruar vullnet për ndryshime një ditë pas hapjes së negociatave.
Qeveria si më i “madhi”, duhet të bëjë gjithshka ia vlen për të sfumuar çdo tentativë absurde që i kundërvihet reformës në drejtësi dhe hapjes së negociatave me BE. Nuk bëhet fjala për “hapi rrugë budallait” se herën tjetër ia gjen vëndin dhe atij. Por ndërsa bashkëqeverisja është anomali demokratike (sfidon votën dhe kompromenton opozitën që ulet në tavolinë me qeverinë e “krimit”), lëvizjet në qeveri nuk kanë përse të jenë tabu. Boll të ruhet kursi i reformave sepse merita merret dhe në ikje. PS nuk u sos për emra.
Sot “topi” është tek opozita dhe ajo nuk mund të bëjë më shejtan-budallanë. Ndryshe, ku e kanë hallin? Nëse nuk bëjnë duvanë e tjetërkujt por e kanë hallin tek vetja, tashmë është vonë se “shejtani” drejtësi ka dalë nga shishja dhe që u ka hyrë data e morëm vesh por të paktën të mos trazojnë miletin kot. Sado të zgjatet agonia, veç shpresë nuk është. Të paktën do mbahen mënd se bënë gjënë e duhur në fund.
Leave a Reply