Nga Artan Xh. Duka
Politika tek ne gjithnjë i ka dhënë protestës emër të keq dhe, me pak përjashtime, protesta qytetare është bërë për mall! Mbase kjo për një sërë faktorësh historikë, social apo zakonor, nga mungesa e traditës e mefshtësia e trashëguar prej së djeshmes, individualizmi e egoizmi nxitur nga tranzicioni kaotik, raporti i përmbysur mes besnikërisë ndaj parimeve e vetvetes dhe dedikimit ndaj liderit apo të “fortit”, sedra e fjalës së dhënë pavarësisht zhgënjimeve etj. Fakt është që në sheshe qytetaria është katandisur dekor dhe rëndom ata në tribuna inkurajojnë dhe gjejnë rehat vetëm tek militantizmi në delir.
“Numërim mbrapsht” shprese apo ankthi në vënd!
Rasti më i fundit i kësaj anomalie janë protestat e PD e LSI. Që kur shpallet data e protestës së rradhës, në vënd të një “numërimi mbrapsht” entuziazmi e optimizmi në shoqëri në pritje të lajmit të rradhës për një shkundje për mirë në demokraci kemi një zallamahi ankthi e makthi për degradimin e pritshëm të rradhës që zbeh besimin e shpresën për më mirë në këtë vënd.
Protesta qytetare e mirëfilltë nuk thirret nga lart si me sustë por “fermentohet” vetvetiu. Ajo nuk bëhet me grafikë sipas konjukturave të politikës së ditës, nuk ia mbyll derën partive por dhe nuk i lejon ato të bëjnë promotorin në shesh. Ajo nuk ka “orar” e nuk pezullohet për festa e fundjavë, nuk cënon pronën e sigurinë fizike të askujt e nuk degradon në falanga vandalizmi, nuk ndan në “ne” dhe “ata” e nuk shpalos oratori ordinere, nuk pengon rutinën e përditshme të qytetarit e nuk shëmton imazhin publik duke i bërë karshillëk partnerëve perëndimorë etj. Përkundrazi, jep shëmbullin si duhen respektuar rregullat dhe ligjet në shpalosjen e kauzës duke ofruar shpresë edhe tek qytetari më indiferent se ia vlen të protestosh në këtë vënd.
Lëvizja më e fundit studentore, sado e papërsosur dhe e ndikuar nga konteksti i protestave tradicionale në vënd, sado u tentua të degradohej në “origjinë” nga politika e ditës dhe ekstremizmi i militantëve partiak, sërisht ishte një përpjekje për të çliruar realisht protestën nga nami i keq që i ka dhënë politika deri tani. Duke kontribuar kësisoj jo vetëm në rritjen e standartit e emancipimin demokratik të qytetarit në shesh apo jashtë tij por dhe duke vënë në sprovë edhe protestën e sotme të opozitës në vënd.
“Guri” i fundit në demokraci!
Aq sa e rëndësishme për normalitetin demokratik, protesta qytetare duhet të mbetet guri i fundit sa kohë sistemi ofron mundësi reale për ezaurimin e problemeve brënda tij (gjykata të drejta, media e lirë, përfaqësim real në kuvënd, sistem votimi efikas etj).
E shpërdoruar deri në ekstrem nga politika (vandalizmi turmave, grevat e urisë etj), protesta shndërrohet në bumerang për vetë qytetarin në shesh sepse klima e tensionit nuk i shërben askujt ndaj dhe shërbimi më i mirë që qytetari mund t’i bëjë vetvetes e statusit të protestës është të refuzojë identifikimin si turmë apo dekor për të në një ngjarje që provokon anarki me pasoja për të gjithë. Se ndodh në Francë e Greqi e tjetërkund në perëndim nuk është arsye por alibi. Ajo që nuk është normë por përjashtim në perëndim nuk ka pse shndërrohet standart tek ne.
Bashkë me vitet ‘90 thamë se lamë pas edhe djegjet e gomave, hedhjet e gurëve etj dalldisje që ndotin qytetarinë e protestës, pështjellojnë e tensionojnë kohezionin social, ndajnë artificialisht vëndin në ngjyra partiake dhe vrasin shpresën për këdo (mjerisht ndodhën e po ndodhin sërisht dhe politika ka gjithmonë “gisht” në to).
“Steka” e protestës rritet vetëm kur ajo që dominon në to është tubimi paqësor, mesazhi i fortë dhe i gjetur vizualisht, fryma e ftesës dhe e bashkimit për interesa mbipartiakë, humori, sarkazma dhe qesëndisja politike ndaj politikës abuzive, denoncimi me fakte i abuzimit etj. Dhe nëse cënohet prona dhe rendi, përçmimin, distancimin e denoncimin e parë dhunuesi duhet ta marrë nga pjesmarrësit dhe tribuna e protestës ndryshe janë po aq bashkëfajtorë sa dhe ai.
E mira e do që të mos shkojë puna deri tek mllefi qytetar në shesh e pasojat më pas. Sistemi duhet të ofrojë “valvula” që shmangin presionin qytetar në shesh – gjykata efikase dhe zbatim ligji njëlloj për të gjithë, kuvënd, qeveri dhe politikë e përgjegjshme dhe në funksion të votuesit, sistem zgjedhor që garanton besnikëri reale ndaj votuesit (nevoja për sistem mazhoritar ndonse mund të justifikohet se deri tani “spanjolli” ishte në shërbim të kryerjes së reformave në vënd), media jokonformiste dhe hapësirë për platformat e zëdhëniet qytetare e grupeve të interesit në to, mundësi reale për referendume kombëtare e lokale, peticione efektive që nuk shpërfillen arbitrarisht (në Britaninë e Madhe nëse firmat e peticionit janë mbi 10 mijë çështja diskutohet në qeveri dhe mbi 100 mijë diskutohet në parlamentin britanik) etj. Shumë më lirë, shumë më efektive dhe aspak traumatike sikurse një vërshim në shesh dhe këtu edhe mazhoranca ka kusuret e saj.
Kur një individ apo grup shoqëror që mbron të drejtat e tij nga arroganca apo abuzimi politik ka besim se do të mund ta bëjë publik dhe zgjidhë problemin përmes “kanaleve” ligjore, mediatike apo politike, nuk ka pse e gjen veten në shesh. Atëhere protesta qytetare bëhet vërtet gjë e rrallë por tashmë jo se e merr peng politika apo shoqëria është pasive por se sistemi fuksionon. Dhe kur ndodh se mblidhen në shesh, mblidhet arsyeja dhe jo anarkia e pasioni verbër që krijon “idhuj” politik sikundër në ‘90 që marrin gjatë peng shpresat e mbarë shoqërisë.
Protesta sot është sprovë si për opozitën për më shumë qytetari në shesh ashtu dhe për mazhorancën për më shumë “profilaksi” sistemi në respektimin e të drejtave qytetare pa qënë nevoja të dalin në shesh. Protesta në shesh si “roja” e fundit e demokracisë është jetike për “nervin” demokratik të qytetarit ndaj abuzimit qeveritar. E mira e do që sistemi të funksionojë dhe sheshet të mos mbushen me protestues por turistë por, po aq sa ia vlen të mbushet sheshi në emër të demokracisë kur qeveria rrëmben “gurin” e “arrën” për të mbrojtur abuzimin e pushtetit, po aq ia vlen më mirë të jetë ai bosh se sa me qytetarin thjesht dekor dhe “shejtanin” partiak në tribunë që trumbeton abuzimin e së shkuarës si shpresë e zhvillim!
Leave a Reply