Kamerat e parregulluara me kontrata nëpër mjediset e brendshme të ndërtesave të banimit rrezikojnë jetën dhe pronën qytetare
——————————————–
Në vëmendje të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj
të Avokates të shtetit znj. Alma Hicka,
të shoqatave të drejtave të njeriut,
të gjithë qytetarëve të interesuar,
të kompanive të administrimit të ndërtesave të banimit.
——————————————–
Kam shkruajtur për kamera të instaluara në ndërtesën e banimit.
Përse e shtroj këtë problem me shumë forcë?
E para, sepse ndihem i dhunuar në liritë e mia personale, dhe të drejat e liritë qytetare nuk m’i ka dhënë njeri dhuratë, por janë fryt i demokratizimit për të cilin i gjithë kombi ka vuajtur, kanë vuajtur mijra të persekutuar, si edhe ka të bëjë me dinjitetin e personit që merret nëpër këmbë. Në çfarë Evrope duam të integrohemi kur trajtojmë qytetarët si skllevër?
E dyta sepse jam pedagog dhe profesor edhe i sociologjisë së teknologjive të medias dhe informacionit, por edhe i hapësirave urbane. Nuk mundem që në leksionet e mia t’i edukoj studentët e mi, disa qindra çdo vit, me vlera të tjera, dhe në qytet të pranoj të jetoj me vlera të kundërta.
Eshtë njësoj sikur një profesor mjek t’u mësojë studentëve për mjeksi si operohet një apendicit dhe pastaj të pranojë te ambulanca e lagjes të mjekojë apendicitin duke i hequr bajamet pacientit.
Ky është krahasimi. Harrojeni, atë nuk e bëj kurrë!
Ku është rreziku i kameras në mjediset e brendshme?
Sigurisht që në një farë mënyre, duke bërë të vizualizueshme atë hapësirë, një farë mbrojtje nga vjedhësit dhe keqbërësit e realizon. Por, problemi është të shihen edhe anët negative shumë të forta.
Ato mjedise, brenda portës së jashtme janë mjedise private në pronësi të përbashkët. Pra, është një zonë konfidencialiteti dhe privatësie. Askush nuk ka të drejtë të ma cënojë dhe vëzhgojë pa autorizimin tim personal. Përse? Sepse kështu përndryshe unë pranoj të jem i survejuar kur dal dhe ku kthehem në shtëpi. Me cilët shoqërohem. Kush më vjen për vizita familjare në raste festash a ngjarjesh të tjera. Cilët janë miqtë dhe shokët e mi. Kur shkoj për të bërë pazaret, me cfarë vishem, kur ndodhem ose kur nuk ndodhem në shtëpi, etj
Edhe këto të dhëna mund t’i përdori hajduti, dhe keqbërësi sa herë dhe si të dojë. Madje keqbërësit mund edhe të bërtasin në media se ne ruajmë me kamera mjediset, pikërisht për t’u dhënë mundësi kriminelëve të veprojnë duke pasur gjithçka tonën të filmuar.
Mundet edhe shitësit e kamerave të bëjnë parà duke na treguar se në cdo qoshe të shtëpive tona duhen kamera.
Pra më rrezikon jetën, pasurinë dhe sigurinë individuale.
Eshtë e rrezikshme për të gjithë banorët.
Ndërkaq një vjedhës mund të veprojë në errësirë, me një mbulesë në kokë kur kalon para kamerës, etj. Aq më shumë kundër keqbërësve kamera mund të vihet te dera e jashtme dhe jo brenda hapërsirave private të përbashkëta.
Pse nuk kam unë besim te kompania që administron pallatin?
Sigurisht që nuk kam arsye të mos kem hëpërhë. Madje shoh se deritani, muajt e parë nuk janë keq. Janë lyer muret, pastruesja bën punën e saj, etj. I kënaqur jam. Por, me kamerat është kaluar kufiri
Këtu stop!
Kompania është jashtë dyshimit tim dhe ka respektin tim, por unë e di sesi mund të vidhen të dhënat informatike nga keqbërës të ndryshëm edhe në kurriz të kompanisë. Hyhet në servër, vendoset një virus në kompjutera, bëhet lidhje e shkurtër te kamera, etj. dhe kompania mund të mos dijë gjë fare se çfarë ka ndodhur. Ja ky është problemi.
Po pse nuk e di unë që ndofta këshilli i pallatit e ka dhënë pëlqimin për kameran?
Jam i sigurtë që e ka dhënë, por nuk ka të drejtë ta bëjë këtë sikur edhe vetëm një banor të mos jetë dakord për këtë.
Pse? Sepse është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore që nuk mund të diskutohet dhe nuk mund të menaxhohet kolektivisht. Nuk mund të vendosin të tjerët për mua. Ja, kaq e thjeshtë është. Këshilli ka të drejtë të vendosi edhe për mua ta zemë për bojën e mureve, ose për oraret e pastrueses, etj, që nuk janë të drejta poilitike, por në asnjë rast, në asnjë mënyrë për të drejtat e mia qytetare.
Unë kam të drejtë të ruaj konfidencialitetin e të dhënave të jetës sime private. Përndryshe do e çoj çështjen në Strasburg. Pa dyshim që po!
Ftoj të gjithë qytetarët që duan ta bëjmë këtë nëse problemi nuk rregullohet nga autoritetet shqiptare.
Por, në çfarë kushtet mund ta pranoja një kamera?
E para, që unë duhet të jap aprovimin me shkrim për vendosjen e kameras.
E dyta, dua garanci që kompania të jetë e licensuar për këtë ligjërisht.
E treta dua kontratë të personalizuar ku të më tregohen kushtet e administrimit të kameras. .
E katërta, dua të di si mblidhen, si transmetohen dhe stokohen filmimet e bëra.
E pesta, sa kohë ruhen dhe ku ruhen, dhe kush i vizualizon? Kush ka të drejtë t’i shohi?
E gjashta, që të kem të drejtë që ato t’i shoh edhe unë dhe të kontrolloj sigurinë e tyre sipas dëshirës sime, etj.
E shtata të kërkoj gjyqësisht të drejtën time nëse kushtet që garantojnë konfidencialitetin e jetës sime private nuk respektohen.
Kamera po, por me këto kushte. Përndryshe ünë do të veproj fort dhe pa u ndaluar duke kërkuar mobilizim qytetar. Do ta heq kameran në mënyrë të njënashme në kushtet e mbrojtjes së detyruar të pronës;
Asnjë lek nuk jap që kështu të paguaj unë vetë survejimin tim dhe të të gjithë banorëve të pallatit tim. Që jeta ime personale të rrezikojë të bëhet film për cdo darkë e dikujt.
Kush e shtron ceshtjen se kështu unë nuk u mbyll rrugën keqbërëse është thjesht një i poshtër në mos qoftë i metë nga trutë.
Ne kemi të drejta edhe për t’u siguruar në jetën dhe pronën tonë, me kamera apo pa kamera, por kemi edhe të drejtë të na respektohen të drejtat tona për konfidencialitet të jetëve personale.
Nuk janë aspak në kundërshtim me njera tjetrën.
Prandaj mos bëni krahasime idiote me Europën sepse kamera mund të ketë edhe atje, por nuk është problemi te teknologjia por te kuadri juridik i respektimit të të drejtave qytetare.
Përndryshe ruhemi nga ndonjë hajdut i vogël dhe nga ana tjetër rrezikojmë të biem viktima e hajdutëve dhe kriminelëve të mëdhenj. Zgjohuni banorë!
Pres veprimin e atyre që duhet ta zgjidhin këtë problem sepse e kanë për detyrë. Në të kundërt, do t’i kërkoj të drejtat e mia pa u ndalur.
Janë minimumi i të drejtave, thjesht të hash një copë byrek në dorë duke zbritur shkallët e ndërtesës pa të filmuar e rregjistruar Big Brother-i.
Leave a Reply