Fatjon Baze/
Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka bërë sot një kërkesë për bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme për një nga palgët më të rënda që ka futbolli shqiptar; trukimet e ndeshjeve.
Duka që është i ulur në pozicionin e njeriut që akuzohet për korrupsion, përpiqet që të kamuflohet duke i kërkuar “ndihmë” Drejtësisë.
Për çfarë po kërkon ndihmë Z. Duka? Mendon se duke bërë rolin e “të penduarit” të Drejtësisë që askush nuk ja beson, do mundohet t’ia hedhi paq?
Sot “de facto”, Armando Duka është një president që ka probleme me drejtësinë dhe është jo legjitim në krye të institucionit të futbollit shqiptar pasi ka arritur që të fitojë një pal zgjedhje që ishin skandaloze dhe me votues fantazmë, dhe për këtë fakt Gjykata e Tiranës nuk e ka miratuar Asamblenë Zgjedhore të datës 7 shkurt.
Armando Duka është sot një njeri që përpara se të kërkojë nidhmën e Prokurores duhet të jetë vet përpara drejtësisë për tu përgjigjur për të gjithë shkeljet e tij që ka bërë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sot miqtë e tij dhe klubi kampion i Shqipërisë ka marrë një ndëshkim të pazakontë nga Institucioni i UEFA-s për numrin e lartë të ndeshjeve që ka kryer në futbollin shqiptar dhe në Kupat e Europës. Dhe ai vetë është po aq përgjegjës pasi përveçse është një aksioner i atij klubi, ka mbyllur sytë përpara këtyre ngjarjeve të turpshme.
Kjo ka bërë që UEFA ta marrë vetë në dorë situatën duke i dhënë një ndëshkim si askush tjetër klub në Europë dhe një arsye është dhe mbrojtja që i ka bërë vetë FSHF-ja.
Armando Duka dhe FSHF-ja e tij bën çdo gjë për të mos bashkëpunuar me kreun e njësisë disiplinore dhe integritetit në UEFA, Emilio Garcia, i cili vetë ka deklaruar se pas udhëtimeve të shpeshta në Shqipëri arritën që të kuptonin se pasi “harxhuam shumë kohë dhe para, ishte me të vërtetë e vështirë për të bashkëpunuar me autoritetet vendase”, duke përfshirë këtu dhe Prokurorinë.
Nëse Armando Duka kërkon vërtet bashkëpunimin me Arta Markun, kjo e fundit ka në dorë që të ndjekë një shembull që vendet fqinje kanë bërë para pak muajsh.
Davor Shuker u shkarkua nga posti i Federatës Kroate të Futbollit për shkak se Inspektoriati i Sportit në këtë shtet zbuloi se gjatë votimeve kanë votuar disa persona të cilët nuk duhej të kishin marrë pjesë në votim duke i cilësuar këto zgjedhje të pavlefshme. Ndërsa, në shtetin Grek u arrestuan 58 persona për pjesmarrje të tyre në skandalin e manipulimit të ndeshjeve, “Koriopolis”, që plasi në vitin 2011 ku në listën e të arrestuarve ishin edhe ish presidenti i Asteras Tripoli dhe ai i Olimpiakos Volou, Akiles Beos, i cili ka qenë edhe kryetar bashkie në Volos dhe është dënuar me katër vite burg.
Znj. Marku le të marrë këto dy shembuj dhe të bëj një krahasim me vendin tonë dhe do ta shikoj se situata është akoma dhe më e rëndë.
Arta Marku duhet ta dijë se përpara se mund të ulet do ketë përballë një president jo legjitim dhe që përveçse e ka kthyer institucionin e futbollit shqiptar në një pronë private, ka ndërtuar dhe një sistem akoma dhe më të korruptuar sa i përket zgjedhjeve, duke u zgjedhur në krye të atij institucioni sa herë të dojë. Dhe ndërkohë që në Kroaci homologu i Armando Dukës është shkarkuar për shkak se kanë marrë pjesë në votim persona që nuk duhet të votonin dhe u zbulua pas zgjedhjeve, tek ne ka një rast të paprecedent sa i përket zgjedhjeve të 7 shkurtit ku Duka u rizgjodh për herë të pestë.
Në atë proces morën pjesë për të votuar 12 shoqata fantazmë të cilat janë krijuar nga Armando Duka duke vendosur në krye të tyre emra që janë vartës dhe paguhen prej tij, për t’i krijuar atij një super siguri në çdo katër vjet për tu zgjedhur qetësisht në krye të Federatës së Futbollit. Dhe këto shkelje ka bërë që Gjykata e Tiranës të mos e njof Dukën si president së bashku me Komitetin Ekzekutiv.
Pra, kemi të bëjmë me një kërkesë ku “hajduti” thërret kapeni “hajdutin”.
Prandaj, Arta Marku nuk e ka shumë të vështirë punën për të zbuluar problemin e futbollit shqiptar, e ka përpara syve, është ai që hiqet sikur kërkon “pastrimin” e futbollit!
Leave a Reply