Me shumë përunjësi dhe respekt, do t’i këshilloja ish-Presidentit të Republikës, z. Nishani, mënyrën se si një ish-ministër ekonomie, deklasifikon të dhëna sensitive, pa e vrarë mendjen as për ligje e as për pasoja negative që ky veprim mund të sjellë, por duke iu bindur vetëm zërit të ndërgjegjes së vetë, që është ligji më i lartë i shkruar brenda nesh. Yanis Varoufakis, profesor për shumë vite i ekonomisë në universitete të Britanisë, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara, para se të bëhej ministër, dhe kryenegociator i Greqisë me trojkën ndërkombëtare për çështjen e borxhit publik, e mbaroi shumë shpejt karrierën e tij, si i padëshiruar nga analet më të larta politike europiane, për shkak të karakterit të tij të fortë dhe përpjekjeve të tij për të mbrojtur interesat ekonomikë të popullit grek.
Pas shkarkimit të tij me urgjencë, si pasojë e presionit ndërkombëtar, ai shkroi një libër të jashtëzakonshëm, zbulues të fortë të elementëve autoritaristë dhe antidemokratikë, që gjenden bash në zemër të Europës, duke deklasifikuar kështu me dhjetëra takime, që duhet të ishin konfidenciale dhe sekrete. Libri me titull Adults in the room. My battle with Europe’s deep establishment, do të tronditë për shumë kohë opinionin botëror, për guximin që pati një zyrtar i lartë, për t’i besuar opinionit ato që ai dinte, se bizneset dhe pazaret reale të politikës europiane, bëhen pas dyerve të mbyllura, aty ku të gjithë mendojnë se informacioni mbetet i fshehtë. Autori me famë botërore, sot profesor ekonomie në Universitetin e Athinës, deklaron pa frikë, se libri i tij është një thirrje zgjimi për popujt europianë, për të ruajtur demokracinë e rrezikuar, para se të jetë tepër vonë.
Opinioni publik është i njohur me një kërkesë të ish-Presidentit Nishani, për të deklasifikuar përmbajtjen sensitive të një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku nga shërbimet ligjzbatuese janë dhënë raportime mbi situatën e kultivimit të drogës në Shqipëri, dhe me sa lihet të kuptohet, edhe mbi përfshirjen e eksponentëve të lartë të politikës shqiptare në narkotrafikun ndërkombëtar.
Sigurisht, çudi do të përbënte edhe fakti që deputetë të opozitës, përfshirë edhe bashkëshorten e Presidentit, që është bashkëkryetare e opozicionit politik, do t’i dërgonin me shkrim të njëjtën kërkesë z. Meta, i cili me keqardhje i njoftoi se nuk mund të deklasifikonte informacion sekret që mund të vinte në rrezik sigurinë kombëtare dhe se këtë nuk ia lejonte madje as ligji. Ndoshta jo të gjithë deputetët e opozitës pritën përgjigjen zyrtare të Presidentit për të mësuar se do t’u rrëzohej plotësimi i dëshirës së tyre.
Presidenti, me përpikëri fisnike, përmendi shkarazi, po jo pa një insinuatë të hollë, se dijeni për këto afera kishin edhe shërbimet partnere, të cilat nuk mund të tradhtoheshin, si për të thënë, që na kanë në dorë edhe të huajt, me gjërat që dinë për ne, andaj kujdes se po afrohen ditë zbulimesh të mëdha, që do të tronditin themelet e pushtetit. Ose nëse nuk flas dot unë, kjo, edhe për të respektuar lojën e pritshme të ndërkombëtarëve për katarsis apo vetting në të gjitha nivelet e pushtetit në Shqipëri.
Thënë këto, çështja mund të konsiderohej e mbyllur nga ana ligjore, dhe lëvizja politike e radhës e konsumuar. Përfituesi kryesor, Presidenti dhe opozita, së bashku me ish-Presidentin që e hapi lojën e ngacmimit të kuriozitetit popullor, arritën të kalonin në publik, se ka shumë gjëra që dihen, por që këta e kanë të pamundur t’i thonë, se nuk i lejoka ligji, por shërbimet e huaja, edhe mund të lejojnë herë pas here ndonjë rrjedhje në opinion, siç e kanë bërë me ndonjë vend fqinj, nëse do të donin të vinin në pozitë të vështirë qeverisjen, apo më keq, nëse do të donin ta rrëzonin atë. Por ajo që ka mbetur pa u thënë është përfshirja apo më mirë vetëpërfshirja morale e ish-Presidentit Nishani, i cili, nuk mund të dalë nga kjo histori që hapi vetë, me pohimin se unë nuk mund të them vetë çfarë kam thënë me gojën time, e çfarë kam dëgjuar me veshët e mi, por këtë mund ta bëjë një drejtori e vogël deklasifikimi brenda Presidencës.
Kjo është tërësisht e pavërtetë sipas mendimit tonë, bazuar edhe në precedenca të ngjashme ndërkombëtare, ku ish-presidentët apo ish-kryeministrat, pas një kohe të caktuar, madje gjithmonë e më shpesh, direkt pasi lënë detyrën, lënë si trashëgimi historike, dëshminë e tyre publike me shkrim, duke shkruar vetë ata, ose me ndihmën e shkrimtarëve profesionistë, por që të cilëve ua japin personalisht, lëndën e parë të çdo gjëje të parë e të dëgjuar, të takimeve, vështirësive apo edhe kulisave e prapaskenave politike. Sigurisht, nga ato gjëra që mund të thuhen dhe që nuk komprometojnë sigurinë fizike të askujt, apo sigurinë kombëtare të një shteti sovran.
Presidenti i fundit, Nishani, me deklaratën publike që ka informacion, apo është në dijeni të përfshirjes në trafikun e drogës të personave që sot mund të jenë në poste të larta të ekzekutivit apo gjetkë, e përfshiu veten në një përgjegjësi të jashtëzakonshme morale, e cila e tejkalon për nga interesi publik, apo mbrojtja e të drejtës dhe jetës së qytetarëve, kreu i të cilëve ai ka qenë për një mandat, përgjegjësinë ligjore për të heshtur. Në të gjithë botën e qytetëruar perëndimore, dilema mes përgjegjësisë së publikimit të gjërave që dikush di dhe të cilat rrezikojnë direkt demokracinë dhe rendin kushtetues, apo jetën dhe mirëqenien e shtetasve, anon në favor të të folurit me trimëri, kurajë dhe guxim, edhe nëse kjo gjë mund të të implikonte ligjërisht. Ka njerëz që pikërisht se kanë folur, sot gjenden në ekzil apo të izoluar nëpër ambasada.
Kjo ka ndodhur sot e përgjithmonë, dhe tani ish-Presidenti Nishani, që na tha hapur e me vetëdije të plotë, se ka dijeni të të dhënave të frikshme të përfshirjes së shtetarëve të lartë në krime të rënda kundër shoqërisë shqiptare, duhet ta çojë kryerjen e detyrës së tij morale, deri në fund, sipas lartësisë dhe rangut që kjo shoqëri deri më dje i ka besuar. Dy janë gjërat që ai mund të bëjë, bazuar edhe në modelet më të mira të homologëve të tij në botën perëndimore, ku demokracia ka shenjtërinë e një feje. Ose të shkruajë një libër me kujtime, ku të thotë ato që ndërgjegjja e tij morale dhe ligjore ia lejojnë t’i thotë. Dhe për ta bërë këtë, nuk ka nevojën për lejen e askujt, e as për vendimin e asnjë drejtorie deklasifikimi. Ose e dyta, të shkojë në prokurori, si qytetar i përgjegjshëm, dhe të dëshmojë, nën sekret hetimor dhe me garanci të mospublikimit të asnjë të dhëne që komprometon sigurinë kombëtare, çdo gjë që di, mbi çdokënd të çdo niveli, e të çdo kahu politik apo apolitik.
Vetëm kështu, Presidenti Nishani, do t’i shkonte deri në fund, dhe me trimërinë e një presidenti, historisë që nisi publikisht, kur kërkoi nga studio e një televizioni, deklasifikimin e atyre gjërave që ai dinte, por që nuk mund t’i thoshte. Le të thotë diçka, aq sa mundet, sepse në këtë pikë, heshtja është më e fajshme.
Leave a Reply