E vërteta na çliron të gjithëve.
Ky është parimi që besoj se mund e do të na nxjerrë gjithësecilin prej nesh nga skutat e mosfoljes apo mosveprimit.
Bëjmë mirë ti themi e veprojmë të vërtetat që gjejmë e kërkojmë, e nga ana tjetër do të jetë edhe më mirë nëse jemi të vetëdijshëm e të ndershëm duke mos pretenduar se të vërtetat tona janë absolute e të pacënueshme.
Duke i kërkuar dlirësisht të vërtetat e duke i thënë e vepruar ato haptazi e me kurajo, ne ndihmojmë vetet, të tjerët dhe botën që të kalohet nga terri në dritë.
Të flasësh e veprosh për të vërtetat bën as më shumë e as më pak por punon për dritën brenda teje, reth teje e në botë.
Që të mos zgjatem, po vij tek argumentet bazë.
1. Revolucioni i shtatorit
Zoran Zaevi ia doli në Maqedoni sepse ai shkallmoi elitën e korruptuar brenda LSDM më së pari, e kur e bëri këtë nuk përzgjodhi klientelë dhe të bindur e kaqola por pruri djem dhe vajza nga brezi i ri që ishin e janë ndër më të talentuarit e më të spikaturit e brezit të tyre. Mbi të gjitha rruga e tij e ngritjes u ngjiz duke ndërtuar një raport të ngushtë e substancial me Perëndimin. Kjo ishte arsyeja pse atij iu besuan të gjitha “bombat e përgjimeve” që e gërryen derisa e rrëzuan rregjimin banditesk, nacionalist e plaçkitës të Gruevskit. Replikimi i skenarit Zaev në Tiranë nuk mund të ndodhë sepse asnjë nga gjërat që ka bërë Zaevi, nuk ka ndodhur në Opozitën e Tiranës.
2. Opozita fiton jo kur planifikon zhvillimet popullore por kur i kupton ato. Kjo do të thotë se Opozita nuk i sheh qytetaret në shërbim të Opozitës, por vendoset vetë në shërbim të qytetarëve. Strategjitë e tensionimit dhe turbullimit me plan, shtrydhin në maksimum energjitë e popullit të militantëve të partive opozitare, por nuk mbërrijnë dot e nuk krijojnë fare rezonancë me qytetarët. Prej “revolucionarizimit” me strategji e plan, ngrihen shpresa e pritshmëri radikale që ushqejnë vetëm etje militantësh që duan shpërblesën në fund të punës së kryer, e nuk ceken asfare pjesa tjerër e qytetarëve që mund të jenë jo vetëm opozitarë por edhe fuqimisht të zemëruar me Qeverinë Rama.
Kam përshtypjen se pjesa e qytetarëve opozitarë dhe të zemëruar me Rilindjen kap një shumicë përtej dërrmueses.
Por pse nuk reflektohet në vota dhe në protesta apo në mbështetje për Opozitën Politike kjo shumicë dërrmuese qytetarësh antiRilindje?
Sepse qytetarët nuk duan më thjesht dikë që ti udhëheqë. Qytetarët duan dikë që ta besojnë.
Udhëheqës kanë parë plot dhe të gjithë i kanë zhgënjyer e gënjyer pacipësisht.
Kërkohen shërbëtorë publikë që vendosin veten në gatishmëri të qytetarëve e që e fitojnë besimin jo vetëm prej fjalëve, fjalimeve e programeve, por prej akteve, jetës së tyre si shembullzim dhe parimeve e vizioneve të dukshme dhe kuptueshme.
Përndryshe, nëse Opozita vetë e planifikon, vetë e përgatit, shtjellon e zhvillon strategjinë e “Revolucionit”, vetë shpallet e gatshme për të udhëhequr popullin në “Revolucion”, ose ka bërë llogaritë e ka më shumë militantë e para se pala tjetër në qeveri, ose rrezikon të dalë në “Revolucion” vetëm me militantët për militantët, dmth pa qytetarët.
Në rastin e parë, fitorja e Opozitës vetëm me numra militantësh e parash më shumë se pala e Qeverisë, e bën fitoren Ekskluzive vetëm për Shtabin Organizator të “Revolucionit”.
Asnjë e mirë nuk u vjen as qytetarëve, as demokracisë, as lirisë e as vendit.
Thjesht do këmbejmë Shtabe që na udhëheqin nga fitorja në fitorje e në fund bëjnë plaçkë për vete.
Matja dhe përballja e numrave të militantëve dhe parave mes palëve mund të sjellë edhe barazim, pra ujdi për ndarje pushteti.
Psh, Lulzim Basha deklaroi në Konferencën e tij për Shtyp se nuk ka as pakt, as bashkëqeverisje, as reforma me Edi Ramën pa patur një zgjidhje…
Tautologji e përkorë për të shprehur se nuk ka pakt po nuk pati pakt derisa të ketë pakt..
Në rastin e dytë, kur “Revolucioni” shpërthen pa qytetarët, nëse vjen humbja e rradhës, vjen edhe një e keqe më e madhe. Rrudhet numri i militantëve dhe shtohet numri i analistëve dhe këshilltarëve të Kryetarëve të Partive Udhëheqëse të Opozitës të cilët na përsërisin papushim se fajin e ka populli, fajin e kanë qytetarët.
3. Jemi shumë ne njerëzit e gatshëm për ti shërbyer aksionit dhe veprimit opozitar.
Por Shtabi i Revolucionit nuk na sheh e nuk na do.
Shtabi i Revolucionit Opozitar kur mendon për ne të tjerët, mendon sesi të ndërtojë strategji shuarjeje, menaxhimi risku, lodhjeje, asgjësimi, pengimi, shpërfilljeje, moskonsiderimi, përqeshjeje, bllokimi, izolimi apo poshtërimi ndaj nesh.
Është kaq idiotike, e poshtër dhe e ligë kjo strategji dhe kjo kulturë mendimi e veprimi tek Shtabi i Revolucionit Opozitar, saqë po zbraz çdo enë durimi tek secili prej nesh që jemi të gatshëm të marim përsipër çdo sakrificë e vështirësi në përballjen dhe betejën opozitare kundër Rilindjes dhe Qeverisë Rama.
Shtabi i Revolucionit Opozitar nuk i sheh ose nuk i do fare pranë vetes me qindra e ndoshta me mijëra shpirtra të lirë, mendje të urta e të ditura, karaktere me dinjitet dhe integritet që janë të gatshëm për çdo sakrificë e përballje.
Ne që kemi mëkatin e të menduarit, ne që nuk jemi të bindur, ne që e kemi të çmuar dhe të panegociueshëm integritetin tonë, konsiderohemi si mish i huaj, si të padëshiruar nga Shtabi i Revolucionit Opozitar.
Dhe në fund të gjithë ne humbasim.
Opozita nuk fiton dot pa ne. Ne që jemi Opozitarë me zgjedhje e vullnet të lirë mbetemi të paintegruar politikisht dhe pa asnjë mundësi e instrument përfshirjeje në veprimin dhe përfaqësimin Opozitar.
Udhëheqësit e Shtabit të Revolucionit Opozitar, flasin shumë për bashkimin, madje për bashkim përtej politik.
Veç kur sheh e analizon se çfarë kanë këta parasysh me bashkimin, kupton se këta duan të bashkojnë klientela, ose intelektualë dhe akademikë që duhet të kenë punuar patjetër dikur me Nexhmije Hoxhën tek Instituti i Studimeve Marksiste – Leniniste apo me të singjashëm që vijnë nga Universitete apo organizata të ndërtuara për tu bërë CV kuadrovikëve të rinj, limfave të reja të partive.
Të vetëbërët, njerëzit me vlera reale, nuk konsiderohen fare e më keq akoma, kategorizohen si rreziqe që duhen administruar me joshje boshe ose me diktaturën e urisë duke u kërcënuar mbijetesën.
Opozita po bën garë me nervat dhe durimin e njerëzve të saj më të mirë.
Duket si një strategji e platformë idiote dhe vetëhamëse, sepse askurrë nuk ka për të fituar asnjë betejë Opozita, po nuk u hap sinqerisht e dlirësisht për njerëzit e ditur, me vlera dhe me integritet.
Takoj aq shumë njerëz, intelektualë, akademikë, avokatë, mjekë, arkitektë, pedagogë, studiues, etj, etj, të shkolluar në Shqipëri ose jashtë me mundime e sakrifica të pamata personale dhe të familjeve të tyre, njerëz që e kane vendosur ta bëjnë jetën e tyre të drejtë dhe me integritet, njerëz që nuk duan të përdoren por që janë të gatshëm plotësisht ta japin pa asnjë hezitim kontributin e tyre të çmuar për opozitarizmin dhe vendin tonë.
Por këta janë askund, askund në ato Stratagjemat e Shtabit të Revolucionit Opozitar.
Askush nuk i fton, askush nuk i do, askush nuk mendon atje lart në Shtabin e Revolucionit Opozitar, sesi tu jepet hapësirë dhe përfaqësim me dinjitet këtyre njerëzve të zotë, të talentuar dhe të vetëbërë.
Aty lart në Shtabin e Revolucionit Opozitar shohin vetëm për kaqola që lexojnë me bindje deklaratat që ua shkruajnë nga Zyrat e Shtypit, ose për pagatorë apo shërbëtorë a ekspertë e intelektualë që u shërbejnë sponsorëve të karrierave të tyre.
Mbyllja e ciklit nëse vazhdohet kështu është e pashmangshme.
Ne Opozitarët që nuk na do e as na konsideron e as na pyet e as na thërret askush, do fillojmë të marrim vendimet tona e dalëngadalë, do heqim dorë edhe nga vetë mendimi politik e jo më angazhimi politik.
Nëse ndodh kështu ne do të humbasim sigurisht.
Por edhe Opozita pa ne nuk e besoj se do tua dalë të fitojë ndonjëherë.
Kjo lloj qasjeje nuk mund të funksionojë vetëm në dy raste:
1. Kur Opozita e sheh opozitarizmin si llogari financiare e përderisa nuk do që ta ndryshojë gjendjen e realitetin ndoshta deri tani i kanë dalë mirë llogaritë.
2. Kur Opozita nuk ka aspiratë të fitojë, por të bashkëqeverisë.
Një Opozitë që çdo vjeshtë e sa herë ka Revolucion me Çadër apo pa Çadër, ka si synim bashkëqeverisjen nuk ka nevojë fare për asnjë nga ne. Këtu nuk na mbetet veçse ti urojmë Opozitës suksese në Revolucionin për Bashkëqeverisje…
Unë jam ndër ata që nuk i besoj Revolucionet…
Une besoj Evolucionin e përditshëm.
Kur Opozita ka nevojë për njerëzit e mirë e kur i thërret ata, e kur u jep zë e përfaqësim atëherë Revolucioni ka ndodhur vetvetishëm sepse kësisoj do të kemi një Opozitë që aspiron Fitoren.
Leave a Reply