Le ta ndalim botën për një çast e ti ngrijmë sendet sikurse janë në fjalët e KM Edi Rama.
Ti marim për të mirëqena tê gjitha.
Të pranojmë pa bërë asnjë kundërshti çdo fjalë që ai përdor me zë, figurë, gjeste e shkrim për të përshkruar Opozitën.
Të pranojmë se kemi Opozitën më të mjerë e më të ligë në botë.
Të pranojmë se kemi Opozitën më qesharake e më kujisëse në botë.
Të pranojmë se kemi Opozitën më anti-negociata me BE, më anti-perëndimore, më të paaftë në botë.
Të gjitha këto, nuk na japin përgjigje për shkaqet pse Opozita vazhdon te mbetet Opozitë e pse nuk ia del dot ta mundë a rrëzojë Edi Ramën një orë e më parë.
Por asnjë prej këtyre pohimeve, nuk na jep përgjigje pse Edi Rama është ky që është.
Asnjë prej këtyre pohimeve nuk na jep përgjigje pse Edi Rama nuk qeveris por qesëndis këdo që i bën komente në facebook.
Asnjë prej këtyre pohimeve nuk na jep përgjigje pse Edi Rama sheh si motor fitoreje vetëm administrimin e së keqes me fjalime epike në TV, Kuvend e Foltore dhe me zdrugim kapilar mbi qytetarët, jashtë kamerave e syve nëpërmjet Oligarkëve dhe Krimit.
Nuk gjejmë përgjigje tek këto pohime mbi Opozitën as për krimin që pushtoi Kuvendin, Partitë e Institucionet gjatë viteve të Qesëndisjes së Edi Ramës.
As për kanabisizimin e vendit.
As për kinezët, familjarët e Erdoganit e rusët që ulur këmbëkryq e kanë pushtuar çdo sektor strategjik ose jo të ekonomisë sonë.
As për orientimet a vendimet e gabuara gjeostrategjike, nuk gjejmë dot përgjigje.
As për hallakatjet kinsepatriotike me fjalime psikedelike në Kosovë, e as për vetëmburrjet boshe e mendjezbrazëta se ishte ky që ua dha platformën dhe i bëri me gjuhë shqipe shqiptarët e Maqedonisë.
As për Ministrat dhe Zyrtarët e zhytur në korrupsion e fëlligështi mbytëse, nuk na japin përgjigje këto pohime.
As për paaftësinë e Edi Ramës për të kuptuar se aftësia e tij për të folur zhdërvjellët dhe ngeshmêria e tij për tu marë me facebook e stil, nuk e bëjnë Shqipërinë pikturë moderniste të cilën nuk e kuptojmë dot ne katunarët e parafinuar.
Me pak fjalë, sikur Opozita e këtij vendi të ishte gjithçka thotë Edi Rama, ne nuk do të kishim asnjë problem.
Por ja që as Opozita nuk është ashtu si thotë KM Rama, e as Shqiperia assesi.
Kësisoj, nëse ka një problem madhor me te cilin duhet ti bëjë hesapet mirë kjo shoqeri, ky problem e ka emrin Edi Rama.
Zgjimi i Madh është zgjidhja e madhe në këtë vend.
Zgjimi i Madh është dalja nga gjumi i thellë letargjik, apatia qytetare dhe ngritja krye për ti zgjidhur të gjitha problemet një nga një.
Reforma në Drejtësi ka rëndësi madhore sepse është gongu i Perëndimit për të na zgjuar e fuqizuar neve qytetarëve shqiptarë.
Megjithatë detyrat tona demokratike e qytetare duhet ti kryejmë vetë, sepse nëse qëndrojmë të përgjumur, asnjë dënim ekzemplar me burg i kujtdo, nuk na bën imunë nga riprodhimi i së keqes.
Të nesërmen e mbrojmë vetëm me Zgjimin e Madh.
Kush është me Zgjimin e Madh është me shqiptarët dhe me Perëndimin.
Kush na do “katunarë të keqkuptuar” pikturash mediokre moderniste, nuk ka asnjë lidhje me Perëndimin.
Leave a Reply