Ka qenë janari i vitit të kaluar kur Berat Buzhala ia nisi misionit të tij madhor për ta mbrojtur Nikolla Gruevskin. Asnjë merak nuk e kishte Berati se Gruevskin nuk e donin as SHBA e as BE. Madje ai po shkruante e kërkonte ngado nëpër gazeta, portale e TV, që Ali Ahmeti të bashkohej me çdo kusht me Gruevskin në Koalicion kundër SHBA dhe BE.
Kam bërë edhe një shkrim në janarin e kaluar për Berat Buzhalën ku replikoja me të, për këtë mision të mbrapshtë, të pakuptimtë dhe të gabuar e kundër interesit të shqiptarëve, SHBA dhe BE. Sot në këtë janar të 2018, po ulem sërish të shkruaj pasi misioni i ri i Beratit po me duket po aq paradoksal sa ai i janarit të shkuar. Berati po na thotë se Ramush Haradinaj qenkërka kthyer në prishës të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA.
Berati që donte Gruevskin, anipse nuk e donin SHBA, sot ka zbuluar se vetë është me SHBA dhe Ramushi është problemi. Më vjen keq, por edhe kësaj rradhe Berati gabohet rëndë. Tek Ramushi, SHBA ka një aleat të palëkundur dhe të çmuar e madje edhe me rol të pazëvendësueshëm. Demarkacioni dhe Gjykata Speciale nuk janë as fillimi e as fundi i partneritetit të Ramushit me SHBA. Projekti që ka SHBA me dhe për Kosovën e shqiptarët, ka të tjerë aktorë dhe faktorë politikë në Kosovë e madje edhe në Shqipëri po deshe, që i kundërvihen e përpiqen ta lëndojnë. E megjithatë Kosova dhe Shqipëria, nuk kanë udhë e shteg tjetër veç të mirëpresin e mirëbesojnë pa asnjë ngurrim Projektin Amerikan. Sepse gjithësesi, Projekti Amerikan do të zbatohet.
Ramush Haradinaj është Partner i Projektit Amerikan. Qortimet private a publike, vonesat proçeduriale për vizën për SHBA, nuk e lëvizin dot këtë bosht bashkëpunimi afatgjatë që Kryeministri i Kosovës e ka me SHBA. Ramushi do ta marë vizën dhe në fillim të shkurtit do të shkojë në SHBA për të marë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve. Nuk ka asnjë shqetësim e as cënim për Ramushin, nga e gjithë kjo histori dhe debat publik mbi rëndësinë e besnikërisë së politikanëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri ndaj SHBA. Ramushi në këtë rast është jo shqetësimi por mesazhi për gjithë të tjerët.
Kur Partneri më i qartë dhe më i fortë i Projektit Amerikan në Kosovë e ndër shqiptarët, qortohet e madje edhe ndëshkohet publikisht nga SHBA dhe BE, imagjinoni pak se çdo të ndodhë me të tjerët. Mos gjuani me gurë Ramushin, pot lexoni mesazhin që po jepet nëpërmjet tij, për të tjerët. Ditë të zeza ndëshkimi po vijnë për të gjithë kusarët e hajnat, batakçinjtë dhe të inkriminuarit që kanë sunduar mbi shqiptarët e në Balkanin Perëndimor në këto 2 dekadat e fundit. Maestrali po vjen. Projekti i SHBA po dhe do zbatohet i plotë. Të jeni të sigurtë se Ramushi është dhe do të vazhdojë të jetë Partneri thelbësor i Projektit Amerikan në Kosovë e ndër shqiptarët. Rambo nuk është vetëm luftëbërës. Rambo është edhe paqeruajtës.
Leave a Reply