• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

July 19th, 2026
  • HOME
ARDIAN VEHBIU/ Dy duar për një… SHQIPONJË
Home
Blog

ARDIAN VEHBIU/ Dy duar për një… SHQIPONJË

June 23rd, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nga Ardian Vehbiu

Për gjestin e shqiponjës nga Xhaka dhe Shaqiri në ndeshjen mbrëmë kundër Serbisë dhe polemikat pasuese:

Shqiponja është shenjë tribale, që i referohet përkatësisë etnike. Dy lojtarët gëzuan EDHE si shqiptarë që janë.

Me sa di unë, nuk është shenjë që i referohet dhunës; nën të nuk janë bërë gjëkundi as vrasje as masakra.

Atë gjest e kanë bërë dhe vazhdojnë ta përfushin gjithfarë figurash të pashijshme, batakçinj, hipokritë, parazitë, shfrytëzues – por le të mos e identifikojmë akoma me kombëtarizmin kitsch të anti-serbëve të kolltukut.

Le të mos e braktisim në DUART e tyre.

Nga ana tjetër, nuk mund t’u kërkosh as Shaqirit dhe as veçanërisht Xhakës të harrojnë se nga vijnë dhe cilët janë. Ndjenjat e përkatësisë etnike nuk lihen siç lihet duhani.

Historitë e tyre personale etnike dhe familjare janë ndikuar – për keq dhe hidhtas – edhe nga politikat nacionaliste të Serbisë (lexoni).

Ne, që i pamë duke bërë shenjën, i pamë në televizion. Nuk ishim ATJE. Mbase edhe nuk e ndiem sa duhet atmosferën e neveritshme që kishin krijuar, në stadium, disa tifozë të Serbisë.

(Këtë e përmendi edhe Lichtsteiner, kapiteni i ekipit zviceran. Ky e ka mirë parasysh se, për qëndrime të tilla në Itali kundër lojtarëve me ngjyrë – nga Koulibaly te Niang dhe Matuidi, klubeve u janë vënë gjoba të rënda.)

Të vërehet edhe se gjesti i fundit i Shaqirit, që hoqi fanelën dhe u tregoi muskujt tifozëve, nuk ishte gjest vanitoz alla Cristiano Ronaldo, por citim i një gjesti të ngjashëm të Balotelli-t: statujë e revoltës anti-raciste.

Nëse na thonë se gjeste të tilla janë provokuese dhe duhen shmangur në një kompeticion sportiv, mua më vjen në mend që PROVOKACIJA, edhe në kontekste të tilla, zakonisht ka filluar nga ana tjetër.

Ka një kulturë të tifozerisë dhe të futbollit serb, që themelohet mbi dhunën, fyerjen, racizmin dhe provokimin. E pamë para disa vjetësh, se çfarë ndodhi në Beograd, kur tanëve u thyen karriget në kokë.

Futbolli nuk mbahet dot steril nga politika; përkundrazi, mund të na kujtojë se çfarë ka që nuk shkon në politikë, mes të tjerash, edhe RACIZMI anti-shqiptar i tifozerive serbe.

Le që, si çdo sport tjetër kompetitiv, edhe futbolli është dhunë e ritualizuar, që shpesh rimerr – në trajta të pranueshme – rivalitete që përndryshe do të ishin ndezur dhe shuar në fusha jo stadiumesh, por betejash.

Është gjithnjë më mirë që shqiptarët të ndeshen me serbët në futboll.

Dhe më në fund, si dikush që nuk impresionohet fort nga gjestet etnike teatrale, po e them se, po të kisha qenë mbrëmë në fushë dhe të kisha shënuar gol, do ta kisha bërë edhe unë shqiponjën.

Bravo Zvicra, për fitoren

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Riciklimi i mbetjeve dhe interesat tona kombëtare dhe individuale
Previous article ENVER BYTYÇI/ Refugjatët – skenarë udhëkryqi e destabilizimi

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Blog Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

May 22nd, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k