• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ARDIAN NDRECA/ Lufta e pashpresë kundër SHBA-së
Home
Blog

ARDIAN NDRECA/ Lufta e pashpresë kundër SHBA-së

February 27th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Me datën 26 shkurt parlamenti votoi strukturat e KLGJ-së dhe KPL-së. Përjashta Berisha, Kryemadhi dhe Basha tentonin të bllokonin punimet e nji parlamenti që e kanë braktisë, tue qenë se përtej akronimeve të bezdisshme, këto struktura, së bashku me SPAK, BKH dhe gjykatën speciale përbajnë nji rrezik real dhe iminent për ta.

Përsëritet e njejta skenë, ata që ishin bashkë me 21 janar 2011 sot janë prap bashkë. Mbroheshin atëherë për aferat korruptive, të njejtën gja bajnë edhe sot.

Nominalisht janë nji parti e djathtë dhe nji e majtë e majtë (dy herë), ndërsa realisht përfaqsojnë nji interes të vetëm transversal që përshkon adhuruesit e haptë të Enverit me kinse urryesit e tij – nji herë e nji kohë shokë varkash. Shkaku i mirëfilltë që organizoi edhe protestën e fundit, të improvizueme me ngut, asht interesi jetik me shmangë drejtësinë.

Gjithçka ishte nji dështim total në të gjitha pikëpamjet. Për shembull lideri rumun i akuzuem për korrupsion Liviu Dragnea mbërrinte me nxjerrë në shesh deri në 100 mijë mbështetës kundër prokurores së hekurt Laura Codruta Kovesi, e cila vuni nën hetim 14 ministra dhe 39 zv/ministra. Por, dihet se rumunët që hodhën në burg Adrian Nastase dhe kroatët që dënuen Ivo Sanader, na kanë parapri gjithmonë në hapat historikë.

Me fjalë të ndyta dhe me retorikë banale nuk asht rrëzue kurrë asnji qeveri, sidomos në Ballkan, kurse gazi lotsjellës mjaftoi me zbutë efektet e kangëve patriotikë në gojën e atyne që Shqipnisë janë mundue me ia shitë edhe detin.

E megjithatë efekti i 4000 plumbave që u gjuejtën me 21 janar 2011 ishte shumë ma i randë sesa ai i gazit lotsjellës, këtë e tregon fakti se katër vetë s’u kthyen kurrë ma në shtëpijat e veta – falë atij bllokut të famshëm ku shifrat ishin elokuenca e vetme e nji politike dështake, falë atij kulshedrit plak që e urren Shqipninë dhe atij ish ministrit kukull që për mirënjohje ndaj familjes rrin përjetsisht në gjunjë.

Ata katër që u shkapetën pa jetë në bulevard s’patën kohë as me derdhë lot, dhe palaçot me pagesë dolën në darkë tue folë për çadra pistoletë dhe hipoteza absurde ndërsa trupat ftoheshin në morg.

Në vendet demokratike nuk gjuen kush plumba luftarakë kundër protestuesve, kurse

gazin lotsjellës mund ta provojsh nga Parisi në Tokio, në qoftë se pulsionet barbare të çojnë me shkatrrue gjanë e përbashkët dhe me dhunue institucionet.

Opozita sot akuzon Edi Ramën për vilën e Surrelit, deri këtu krejt në rregull, edhe pse së pari do të duhej dënue arkitekti për shëmtinë që i ka pjellë mendja. Drejtësia vlen për Ramën dhe për këdo tjetër.

Por Edi Ramën apo tjetërkënd nuk mund ta hetojë kurrsesi drejtësia e Tikut, emblemë e gjallë e korrupsionit sistemik, por ajo drejtësi që SHBA-ja përpiqet me ngjallë tek ne me ndihmën e saj konkrete e edhe me kërcënime të drejtpërdrejta, madje edhe publike.

Salitë dhe Monikat po të ishin koherentë do të gëzoheshin, pse reforma e vërtetë në drejtësi, garanti i së cilës janë SHBA, do ta kapte edhe vetë Ramën dhe ata që kanë përfitue në dy legjislaturat e fundit prej tij.

Por kjo mundësi nuk i josh aspak, nji gja e tillë nuk u hyn në sy, pse reforma rrezikon së pari ata që kanë hedhë në erë 26 persona në Gërdec, që kanë avullue 230 milion dollarë gjatë ndërtimit të Rrugës së Kombit, që kanë zhdukë 87 milion dollarë të dhanuna si garanci shitjet për Albpetrolin, që me 21 janar 2011 kanë vra 4 protestues me duer ndër xhepa. Vila e Surrelit asht nji kënaqësi e papërfillshme përpara ndërshkimit sado të pjesshëm të krimeve monstruoze që kanë krye, përfshi vrasjen dhe zhdukjet e personave.

Ata që sulmojnë sot selinë e kryeministrisë dhe parlamentin nuk duen asgja tjetër veçse bllokimin e çdo reforme në drejtësi si edhe garanci personale që ata vetë nuk do të preken asnjiherë.

Por Rama nji garanci të tillë s’e ka as për vete, dhe s’mund t’ia japë askujt. Ndërsa Shtetet e Bashkueme të Amerikës nuk i kanë dhanë garanci Sadamit dhe Gedafit, jo po i japin disa zuzarëve që kanë përfitue prej nji mase të shastisun dhe të pa kultivueme me ideale civile.

Që reforma në drejtësi asht diçka serioze që jep shpresë, e manifeston halli i madh që lexohet tridimensionalisht në fytyrën e rrënueme të Berishës, i cili del me protestue në kufijtë e forcave që i lejon mosha, e tregon dhuna që frymzon ai me ortakët e tij, të cilët përpiqen me alternue buzëqeshjet e sforcueme me nji retorikë bajate që ta çon stomakun peshë ma keq se gazi lotsjellës.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ANALIZA/ Telashet e opozitës me votën 2009-2013: si u mund Berisha-kryeministër vetëm me votë!
Previous article ARTUR AJAZI/ Gërdecarë dhe ofiqarë, të gjithë duan pushtetin

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k