Coronavirusi është tani një sëmundje infektive globale, që po ndikon në jetën dhe ekonominë e njerëzve si dhe vendeve të prekura.
Ku dhe Shqipëria nuk bën përjashtim.
Ndaj kudo, më shpejt apo më ngadalë, qeveritë po nxjerrin aktet e marrjes së masave të nevojshme e të domosdoshme, që duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit.
Dhe ku parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, gjatë gjithë periudhës së ekzistencës të sëmundjes infektive masive, kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme, të përcaktuara me ligj.
Gjë të cilën, shpejt, seriozisht dhe ligjërisht po e bën edhe Qeveria shqiptare.
Edhe opozita, duket në parim, të mbetet “Bona Fide” (në besim të mirë) me veprimet e Qeverisë.
Por, “në emër të popullit”, pjesë të opozitës rrugore, kanë marrë në dorë copëzat kushtetuese të interesit politik, që i tundin dhe i ofrojnë si zgjidhje “ndryshe” të situatës.
PD-ja kërkon vendosjen e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, ndërsa LSI-ja kërkon vendosjen e “ gjendjes së jashtëzakonshme“.
Po cilat janë arsyet reale, të të dyja qëndrimeve të ndryshme opozitare ?
PD-ja “në emër të popullit “, nuk e do “gjendjen e jashtëzakonshme”, pasi sipas Kushtetutës (pjesë të pikave 5 dhe 6, neni 170), në këtë gjendje nuk ka as zgjedhje të përgjithshme dhe as vendore në afate të afërta.
LSI-ja “në emër të popullit “ e do “gjendjen e jashtëzakonshme”, pasi sipas Kushtetutës (pjesë e pikës 6, neni 170), në këtë gjendje “nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës”.
Sigurisht, Qeveria në këtë situatë të rëndë pandemie, ku qytetarëve po iu rrezikohet seriozisht jeta, do të ishte me “komode” me “gjendjen e jashtëzakonshme”.
Por Qeveria, pa harruar dhe nënvlerësuar aspak situatën pandemike, është e detyruar të vazhdojë rrugën e nisur të reformave (një nga të cilat është reforma zgjedhore) drejt integrimit, pasi ajo e ka të qartë se, sipas Kushtetutës (pika 5, neni 170), “Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme”.
Leave a Reply