• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ARBEN BLLACI/ Nuk po shkarkohen, po shpronësohen
Home
Blog

ARBEN BLLACI/ Nuk po shkarkohen, po shpronësohen

March 24th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Salla, gjithë dekori sh këlqen hidhur. Fytyrat e gjyqtarëve të Komisionit të Rivlerësimit Profesional stoike, solemne, indiferente si të derdhura në çelik. Heshtje, përqendrim, ankth si për shpallje mandate. Dhe mandata shpallet shkurt… – Subjekti i rivlerësimit Fatos Lulo, shkarkohet nga detyra e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese! (Vini re, Ku..shte..tuese!). Dhe nuk mund të gjesh, sikur edhe këmbës t’i biesh, një mospërputhje kaq absolute të kuptimit të një fjale, me ushtrimin e saj të vërtetë.

Detyrë?!

Po ç’detyrë zeza! Realisht zotëria nuk u shkarkua nga asnjë detyrë. Ai, ata para tij dhe ata e ato pas tij do të shpro… në… sohen. Sepse e keqja ka shkuar aq thellë, metastazat janë aq të ndiliksura, pasojat aq të tmerrshme, sa arsye dhe vend ku të gatuhen mund të kenë vetëm sarajet bizantine – prona të trashëgueshme, siç janë kthyer jo pak zyra të pushteteve kyç të këtij shteti. Kurrsesi – detyrë – në asnjë trajtë të ushtrimit të saj, qoftë edhe jo aq ndershmërisht.

Para dhjetë vitesh ndoshta, atëherë kur nga zyra e KLD-së, në cilësinë e nënkryetarit, z. Kreshnik Spahiu shpalli aksionin e madh për drejtësi (që nuk mundi a nuk deshi, as ta niste) duke qenë mosbesuese si shumica e shtetasve të këtij shteti, iu referova EULEKS-it që Bashkimi Europian instaloi në Kosovë si mundësi e vetme e një embrioni të shëndetshëm drejtësie të drejtë. Kuturisa atëherë që larg e larg e me mjaft marifet, (se mos predikoja cenim të sovranitetit që kemi aq për zemër sa herë e shohim by… ngushte) të pandehja një mundësi të tillë edhe për drejtësinë në Shqipëri. Shenjat që këtu askush nuk e kishte mendjen te drejtësia për së mbari, po vetëm te kjo që kishin hallakatur me vetëdije, qenë të qarta. Vulën ua vuri degdisja e tre brezave të atëhershëm magjistratësh nëpër gjykatat më të skajshme e më të parëndësishme të Shqipërisë, duke u vënë lehtësisht shkelmin thasëve me para, që SHBA-ja dhe Bashkimi Europian kishin hedhur për kultivimin e një brezi të ri ushtruesish të drejtësisë.

Po lavdi zotit, të zotëve iu dhimbsën lekët e popujve të tyre dhe mrekullia ndodhi. Si nga qielli bekim e rrufe bashkë, zbriti Vetingu. Komisioni i Pavarur e Kualifikimit sot shpalli mandatën e Fatos Lulos.

Mandata të tilla do të jenë të shpeshta me ç’duket, por ndryshe nga të zakonshmet, të pikëllimtat, këto që priten parashikohen të jenë festive.

“Fatos Lulo e mori bazmatanë!”. Në dElir shqiptarët, miq e armiq, krushq e krushka! Zilia e tyre dhe davaja: “ngopja, o zot jarebi, se boll na shiti të trasha tundu e shkundu” zuri, se “hoxha” rastisi i zoti e nuk iu tha: “Unë nuskën për minjtë ua bëra, po se mbani edhe një maç në shtëpi, nuk bëni keq”. “Hoxha” i përtej Atlantikut hoqi “çallmën” dhe iu përvesh punës. Asaj pune, nga e cila mund “ta hanë” edhe fatosë dhe fatose të tjera, po mos pandehni se shpëtuam. Jo! Sepse ata nuk u kapën me maska duke grabitur, as duke u marrë me kokainë, as duke vjedhur banka. JO! Ata i furrosën bankat tona dhe bankat e huaja me lekët që iu dhamë ne. I korruptuam ne, unë, ti, ai tjetri… Sepse ne jemi një shoqëri otomane e thellë, e topitur, me shpirt të vrarë proteste, e kalçifikuar si mumie edhe për një shekull tjetër, që pa bakshish e “kafe”, nuk marrim dot frymë. Një shoqëri në hall ku në mungesë të shtetit, ose pranisë së tij monstruoze, zgjidhje jemi mësuar tradicionalisht të kemi “paranë e bardhë për ditë të zezë”. Ndoshta pa dashjen tonë jemi shndërruar gradualisht në një organizëm infektues, korruptues që nuk do pushojë së nxjerri fatosë e fatose të tjera, gjithnjë e vazhdimisht. Jemi një popull që i duhemi nënshtruar Vetingut të gjithë, me kuç e me maç.

Sepse:

“Skllevër bij skllevërish, s’e meritoni, Se liri s’doni!”.

Janë vargje radiskopikë të Fan Nolit të madh, pavarësisht se ambasadori i bekuar Donald Lu, në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë zgjodhi të recitojë “Gjuha jonë”, të Naim Frashërit. Po vetëm bufërit e pulave nuk e kuptojnë se fjalën e pati për shqipen që flet vetë, jo për dërdëllitjet tona “në gjuhën më të vjetër të botës”.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ENVER ROBELLI/ Nata e 24 marsit
Previous article MENTOR NAZARKO/ Kur shqiptarët bëhen bashkë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k