Punët në Partinë Demokratike ende nuk janë mirë. Furtunat politike brenda saj shkojnë dhe vijnë duke lënë pas veç rrënojat 28 vjeçare të një force që sot më shumë se kurrë ka nevojë të oksigjenohet.
Panorama e krijuar pas zgjedhjeve të 25 qershorit, reflekton qartë një gjendje aspak optimiste për të sotmen e “selisë blu” dhe të nesërmen e Shqipërisë që ka nevojë për opozitën e shëndetshme e cila mbikëqyr punimet e qeverisë.
Vendimmarrjet e liderit të saj Lulzim Basha para dhe pas garës së fundit elektorale, kanë nxitur mosmarrëveshje që janë kanalizuar dhe po shkojnë me gjasa drejt një përçarje të madhe.
Disa prej figurave historike të PD-së, kanë artikuluar vazhdimisht, këshilla, kërkesa dhe kritika ndaj kryedemokratit, i cili duhet theksuar se nuk është marrë kurrë drejtpërdrejt me to për të sistemuar marrëdhëniet.
Heshtja e gjatë e numrit një të partisë ndaj zërave kundër dhe pakënaqësive të tyre, kanë krijuar një klimë negative tek anëtarësia që herë pas here shfaqin qëndrime të ndryshme.
Në të tilla kushte, mbi horizont janë shfaqur shkëndijat e para që sinjalizojnë krijimin e një force të re politike për të parcelizuar të djathtën në dy pjesë: “Në demokratët e Bashës kundër Ramës dhe në demokratët kundër Bashës dhe kundër Ramës”.
I gjithë ky ngërç artificial, përveç se çon ujë në “mullirin” e kundërshtarëve politikë, distancon edhe të ashtëquajturin “elektorat gri” i cili nga statistikat e fundit përllogaritet të jetë afro 630 mijë persona.
Më poshtë do të përcjellim hap pas hapi kronologjinë e ngjarjeve që prodhuan krizën e brendshme të demokratëve.
Furtuna e parë
Nga situata e krijuar brenda “selisë blu”, ndër të pakënaqurve nga vendimmarrja spikat grupimi “Patozi-Bode-Topalli”. Rruga e ndjekur nga ky kamp prej zgjedhjeve të 25 qershorit deri më sot dhe mungesa e reflektimit nga ana e Lulzim Bashës, duket sikur ka shënjuar kapitullimin e tyre në PD pavarësisht kontributeve historike.
Shpallja e listës “Basha” apo të ashtëquajturit “ekip fitues” nga kryedemokrati, ngriti furtunën e parë të heshtur brenda partisë ku u vu re spastrimi i kontributorëve vetëm një muaj para zgjedhjeve. Dëbimi pa dakordësim, pa mirënjohje dhe pa treguar respekt, nuk do të kalonte pa kosto në kursin politike. Largimi i figurave qendrore si Topalli, Bregu, Bode, Patozi, Selami dhe Imami, do shfaqte plasaritjet e para në opinionin publik edhe pse zhvillimet e mëvonshme treguan që kanë qenë më të hershme.
Përjashtimi dhe zëvendësimi me disa figura të dobëta politikisht, nuk do të përtypej lehtë nga kritikët e Bashës por as nga mbështetësit e tyre.
Këtë lëvizje të bujshme, numri një i partisë e komentoi thjesht duke thënë se kishte ardhur koha që disa njerëz të largoheshin dhe se askush nuk mund ta ketë lidhur jetën me karrigen e deputetit.
Përtej retorikave politike, zgjedhja për të larguar zërat kundër shihej edhe si një “pritë” që Basha i bënte një furtune të mundshme më 22 korrik ku përcaktimet statusore njoftonin zgjedhje për kreun e ri. Sipas aludimeve, kritikët e tij nëse fitonin imunitet kishin më shumë shanse marrë karrigen e lidershipit.
Betejat për të rifituar identitetin
Partia Demokratike doli nga zgjedhjet e 25 qershorit më e dobët se asnjëherë tjetër më 160 mijë vota minus duke pësuar disfatën më të lartë të historisë së saj 28 vjeçare.
Njohja e rezultatit nga kryedemokrati Lulzim Basha do të komentohej kështu: “Nuk ka gjë më të trishtë se blerja e votës. Demokratët meritojnë ballafaqim të plotë mes atyre që luftuan për fitoren e PD dhe atyre që humbën karriget e ofiqet. Sa gabova nuk e përcaktoj dot unë, por nuk e bëjnë dot as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e PD-së”.
Fjalimi i Bashës nuk ishte bindës për një masë të gjerë të figurave brenda PD-së ku u hartuan disa peticione për të kërkuar njohjen e përgjegjësive dhe dorëheqjen e tij.
Ndërkohë, ai mundi që të depërtojë edhe këtë herë duke improvizuar një garë të brendshme e cila do ta nxirrte fitues pavarësisht kontestimeve apo manipulimeve të faktuara mediatikisht.
Pavarësisht kësaj, disa prej figurave kryesore nisën një fushatë të brendshme me synim për rifitimin e identitetit duke akuzuar Bashën se ka asgjesuar partinë. Ndër to ranë në dy iniciativa “Topalli-Imami” dhe “Patozi-Bode-Mustafaj”. Këta të fundit i paraqitën liderit të partisë edhe disa prej klauzolave nga plani për ringritjen e partisë.
“Askënd për të humbur, gjithkënd për të fituar”, ishte projekti që do të prezantonte ish-nënkryetari i partisë Astrit Patozi për ristrukturimin e PD-së duke renditur edhe hapat përkatës që sipas tij do të nxirrnin forcën politike nga “humnera” ku kishte rënë pas garës elektorale.
Kjo alternativë nuk do të përqafohej nga kryedemokrati Lulzim Basha i cili deklaroi në një intervistë televizive se PD kishte hyrë në një analizë zgjedhore dhe se parimisht ofroi hapësirë për kritikët por në realitet ura e komunikimit nuk u mundësua kurrë.
Kritikët një zile e fortë zgjimi
Heshtja e gjatë e liderit të PD-së Lulzim Basha dhe përpjekja për të de-inkurajuar legalizimin e fraksioneve brenda partisë, hodhi në skenë hipotezat për ngritjen e një force të re.
Hapat konkretë të ndërmarrë nga ish-deputetët Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Jozefina Topalli, sollën tronditjen e radhës në strukturat e “selisë blu”.
Patozi u shpreh gjatë një turi në Korçë, se nuk ka më asnjë arsye për të pritur lëvizjen e Bashës.
“Ky tur shënon nisjen e një komunikimi të ri të Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike me demokratët, pasi platforma politike e paraqitur disa muaj më parë prej saj nuk u vlerësua te merrej në konsideratë nga kryetari Lulzim Basha dhe lidershipi i tij. Në këto rrethana, e vetmja rrugë është aktivizimi i të gjitha kapaciteteve të Partisë Demokratike, në funksion të një reformimi të thellë të saj,”-theksoi Patozi.
Kjo iniciativë dhe frika e copëzimit, inicioi reagimet e disa prej figurave të reja dhe të vjetra në PD, ku nga Edi Paloka, tek Ervin Salianji dhe nga Flamur Noka tek Grida Duma, shprehën qëndrimin e tyre duke u distancuar nga lëvizja “Patozi”.
Madje edhe ish-kreun e partisë Sali Berisha u shty të reagonte publikisht duke bërë një thirrje për bashkim.
Ai deklaroi se nuk ka asnjë rol në drejtimin e PD-së pas dorëheqjes, por ofroi rrugën që duhet ndjekur për t’i shpëtuar përçarjes së madhe.
“Nuk mund të them asgjë më shumë sesa atë që kam thënë. E konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme që Partia Demokratike të bashkojë rreth vetes demokratët që të viteve 90′-të e deri sot. Në vlerësimin tim dy janë rrugët më kryesore për tu përballur me këtë qeveri, së pari bashkimi i të gjithë demokratëve, dhe së dyti bërja e çdo gjëje për të tërhequr rininë me vete. Të ulen për problematikën, e të flasin për zgjidhjen e saj,”-tha ai.
Duket se ky apel, nxiti Bashën i cili një ditë më pas doli në një prononcim për media ku përsëriti se është i nevojshëm një bashkim politik i së djathtës.
“ Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari është pretekst, janë forumet dhe Kuvendi i partisë. Kryetari vetëpropozuan dhe ka vizionin e tij. Çdokush është i ftuar gjatë gjithë këtij procesi të analizës. Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike, as sulmet ndaj PD në media nuk i shërbejnë demokratëve që përballen ditë për ditë me krimin në pushet, revanshin e drogës, me varfërinë, papunësinë, largimin nga puna dhe ndihma ekonomike. Unë i bëj ftesë çdokujt që bashkohet rreth këtyre vlerave dhe kjo për mua është themelore,”-theksoi Basha.
Nga ana tjetër ishte Astrit Patozi ai që dha përgjigjen e parë duke e sfiduar për debat.
“Thjesht për të freskuar kujtesën Lulzim, kemi hyrë në të njëjtën ditë në parlament, por rrugën që nga ajo kohë e kemi pasur shumë të ndryshme. Nëse je gati Lulzim që ta nisim ballafaqimin për çdo sekondë të aktivitetit tonë politik, të pres me padurim në çdo ekran, portal, gazetë, madje edhe tek ajo kafeneja e djeshme, vetëm një tavolinë larg paparacëve të ty,”-nënvizoi ai ndër të tjera në reagim.
Një parti e re në horizont?
Partia Demokratike përpara se të shtypë “pedalin e gazit”, duhet të sigurohet për të nesërmen e pasagjerëve, cilësinë e shoferit, shërbimet e mjetit dhe gjithçka tjetër që ta çon më shpejt drejt finishit.
Çdo lëvizje për të fshehur defektet e brendshme apo për të gënjyer vetveten me besim tek vetëripërtërirja, do të sillte dështimin e radhës.
Kritikët që kërkojnë analizë të brendshme, janë “kronika e paralajmëruar” e një hemoragjie që mund të sjellë vdekjen politike të partisë së parë pluraliste.
Kjo gjë ndjehet që nga demokrati më i ri edhe deri tek demokrati më i vjetër. Mjaftueshëm individë brenda “selisë blu” për t’u marrë seriozisht, e kanë kërkuar këtë gjë.
Në të kundërt shumë kush do të hedhë sytë nga horizonti i cili ngelet për t’u parë se çdo të sjellë.
Leave a Reply