Nga Andrea Danglli
Në një kohë kur merremi me “barcaletat” e dy pijanecëve që na kanë çoroditur nga trutë e kokës, diku në zemër të Shqipërisë kanceri ka kapur për fyti një qytet të tërë dhe po i merr shpirtin.
Pas ndeshjes Shqipëri-Jordani në “Elbasan Arena”, gjatë rrugës së kthimit orëve të vona për Durrës, frenova krah ish-Metalurgjikut pasi më tërhoqën vëmendje shtëllungat e mëdha të tymit që ngriheshin në ajër.
Hera e fundit që i kisha parë, filmuar dhe investiguar këto tymnaja, ka qenë një natë e ftohtë marsi e vitit të shkuar ku kamera regjistroi të gjithë procesin deri në orët e para të mëngjesit.
Pas atij denoncimi publik kisha shpresuar se situata disi do të ishte rehabilituar, por si për ironi këtë herë vatra ishte bërë më e madhe dhe më e frikshme.
Paçka se era e grimcave të metalit ishte e rëndë, qëndrova disa minuta buzë rrugës për të vështruar të gjithë panoramën që më përcillej nga retina në tru dhe më provokonte një revoltë të brendshme.
Ndërkohë, “reja e zezë” vazhdonte të shfryhej e pashqetësuar për të kontaminuar zonën dhe popullsinë e saj. Disa “industri” që ditën shfaqen si “engjëj” dhe natën si “përbindësha”, vazhdonin të zienin nga puna intensive mes errësirës.
Në atë orë banorët rreth e rrotull flinin të lodhur duke mos pasur asnjë kureshtje për fatin që i pret në të aguar. Ata janë mësuar me të keqen dhe s’u bën më përshtypje.
E dinë që nuk është ndonjë gjë e re të lindësh me tumor dhe mutacione gjenetike, apo të prekesh nga sëmundje gastrointestinale dhe sëmundje kronike të aparatit respirator.
Të sfilitur, gënjyer e tradhtuar, ai grup njerëzish nuk ka më këllqe të përballet me ndotësit e mëdhenj. Ndaj nuk u ka ngelur gjë tjetër veçse të numërojnë frymëmarrjet e fundit të të afërmve dhe të luten që vdekja të jetë sa më larg.
E di që është vështirë të negociosh me vdekjen kur të gjallët që paguhen për të na garantuar siguri nuk ndërmarrin asnjë hap!
Qoftë për të parë njëherë të vetme listën e vdekjeve të qytetit të cilat në të shumtin e rasteve shkaktohen nga bronkektazi, bronkiti kronik, emfizema polmonare apo astma. Kaq do mjaftonte për të thënë së paku gjysmë fjale.
Nga ana tjetër, as media s’ka më vullnet për ta ndalur! Jo se s’ka kapacitete, por tashmë ka hedhur prozhektorët e bukur në të tjera ngjarje që dashur pa dashur na kanë marrë në rrjedhën e tyre.
Kryefjalë e çdo studio dje, sot dhe ndoshta nesër, është një debat kafenesh që do çonte nga tavolina edhe halabakun më të madh. Armata e analistëve që hedh ushta të shtrembëta drejt “mullinjve të erës”, s’para i ka qejf këto tema që në fund të ditës nuk gjeneron të holla në xhepin e tyre.
As ligjvënësit nuk flasin për ndotjen në “qytetin e tymit” që dikur mburrej për lulet dhe sot s’mjekon dot një plagë të nxirë prej vitesh. Politikën kam vendosur mos e ngacmoj shumë për këtë çështje që lëkundet mes jetës dhe vdekjes, pasi ka shumë halle mbi shpinë. Shumë, por kurrsesi jo hallin e shqiptarëve që si ka ngelur gjë tjetër veç që të lebetitet deri sa t’i mbarojë fryma.
Leave a Reply