• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ANALIZA/ Provokoi apo jo Mustafa Nano me Berishën e së kaluarës komuniste?
Home
Blog

ANALIZA/ Provokoi apo jo Mustafa Nano me Berishën e së kaluarës komuniste?

December 27th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Ishte apo jo provokim ajo qasje e fundit e Mustafa Nanos në “Provokacija”-n e tij, pra ajo me kujtesën e faktit se Berisha vjen nga një e kaluar komuniste, e pakomentuar fort, e shmangur deri diku, nga vetë ai e PD, e sigurisht kurrë e mohuar?

Nano e sillte në kujtesë në funksion të kërkimit të një standarti, nga PD e të tjerë “afër saj”, e kjo pas reagimit ndaj së kaluarës së Arben Krajës si prokuror, njeriut që është në krye të SPAKU-ut.

Jo vetëm nga titulli i Talk Show-it të tij, Nano ka qenë gjithnjë provokues. Si i tillë u bë faktor në media, dhe kështu vijon, e jo vetëm për çështje politike. Ato fetare kanë qenë e janë ndër më të preferuarat e tij.

Por në rastin konkret nuk ka ndonjë provokacion. Nano i është qasur një teme që në fakt, pas gati 30 dekadash ekzistencë të PD-së, sot, kur ajo është më në rënie se kurrë; më e tkurrur, më e atrofizuar, më pa shpirt e pa frymëzim, deri dhe me identitet të diskutueshëm, çështja e Berishës, asaj çfarë përfaqëson ai dhe ndikimi ndër vite në PD, shijet, shenjat apo njollat që la e po lë, duhej të ishin një debat më vete. Madje duhej të ishin dhe një debat shoqëror. Kjo për faktin se epoka post-komuniste shqiptare, e shoqëruar me një entuziazëm të paparë shoqëror, u mishërua pikërisht me PD, si parti me rol historik, e cila do bëhej promovuese e instaluese vlerash e modelesh suksesi.

Pas gati tre dekadash, këto shkaktojnë vetëm nënqeshje të hidhura. E për këtë, mjaft të shohësh katandisjen e PD-së, e cila, më e pakta, pasi ka humbur disa shtresëzime shoqërore si elektorat, mes tyre dhe një pjesë të zëshme të elitës intelektuale, e ndërkohë edhe pjesën qytetare, përpëlitet në ekzistencën e saj duke marrë oksigjen mbijetese deri dhe nga LSI-ja e Kryemadhit apo vetë Meta, si dhe nga partiza me kryetarë të dështuar.

Dhe Berisha ka rolin e tij në gjithë këtë. Por askush në PD nuk guxon ta “kruajë” këto lloj koreje; askush nuk ka kurajon të vërë në diskutim produktin e tij politik, identitetin gjithashtu, standartet morale që ka instaluar, dhe frymën e tij ende në veprim. E mbi të gjitha këto, askush, as dhe një me backraund persekutimi komunist në këtë parti, ose me identitet të djathtë të kulluar – siç është përshembull Tomor Alizoti – as që guxon të merret me atë që në thelb është drama më e madhe PD-së që në ngjizje, është paradoksi i saj, duke qenë njëherësh dramë e Shqipërisë dhe paradoks gjithashtu; pra fakti që një njeri me të kaluar komuniste prej më shumë se dy dekadash, morri udhëheqjen e të parës parti anti-komuniste. E kjo, pa asnjë ditë disidencë, e nën hije dyshimi konspirativ.

Berisha, si çdokush, ka patur të drejtën të ndërrojë bindjet e veta politike; të kthehet nga komunist në demokrat, para ose pas ndërrimit të sistemit, por ai assesi nuk mund të vihej në krye të një partie anti-komuniste, me misionin e një ndërtimit të një Shqipërie demokratike.

Nga kjo çmenduri, përballë së cilës kanë heshur në radhë të parë kasta e të persekutuarve, e ka pësuar më pas e gjithë shoqëria. Ka ndodhur kjo praktikisht e moralisht. Praktikisht, PD nuk u bë kurrë e djathtë dhe nuk veproi kurrë si e tillë. Mjafton fakti se si rrodhi fati i të persekutuarve të ish-regjimit ndër vite, që sot duhet të ishin një kastë shoqërore potente, ose si shkoi fati i ish-pronarëve. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Berisha, politikisht jo e jo, por dhe sociologjikisht, nuk kishte asnjë lidhje me të djathtën, siç dhe nuk ka. As i persekutuar, as pronar tokash, as përfaqësues i ndonjë sage familjare të bujshme, por përkundër kësaj një model i kulluar i “njeriut të ri”, ai s’mund të qe zgjidhja për këto dy kategori, në mos të djathta klasikisht, sigurisht anti-komuniste.

Por mbetet e pashpjegueshme pandjeshmëria e tyre për ta pranuar si produkt qartazi i majtë, më saktë, për t’u gënjyer. Ky kaos e ky identitet i shformuar në lidershipin e PD-së, provohet pikërisht sot, ku del në pah dhe amoraliteti politik i instaluar nga kjo parti, duke vepruar me dy standarte. Këtu vë kujën për “bijtë e etërve” në pushtet, e këtu vijon të udhëhiqet nga “njeriu i ri”; këtu sulmon të kaluarën komuniste të çdokujt që s’është në vathën e saj, e këtu mban ish-komunistin si busull orientuese. Ja këtë tha Nano provokatori.

Dhe i vetmi reagim i erdhi nga Gent Strazimiri, ndër të rrallët të djathtë të PD-së nga trashëgimia familjare, i cili e quante Nanon provokator, e çfarë nuk e quante tjetër, por që nuk guxonte ta mbronte nominalisht Berishën. Në asnjë rresht. Vetëm me Nanon, fillim e fund të një statusi në FB.

Dreqi e morri, duhet t’i thoshte dy fjalë për Berishën. Por fakti që s’i thotë, është aprovim në subkoshiencë i asaj çfarë ka qenë e është Berisha: një komunist që s’mbrohet dot. As vetë Berisha s’e ka bërë kurrë këtë për veten e tij. Por çështja është se nuk fjala ngushtësisht për fatin e tij; është fjala për fatin e PD-së, e rrjedhimisht për fatin e Shqipërisë.

P.S. Siç mund të shihet në foton kryesore, aty është Mustafa Nano me Berishën këtu e 20 e kusur vite të shkuara, si vartësi me eprorin, pasi i pari drejtonte degën e PD-së së Skraparit. Pra, edhe vetë Nano e ka pranuar atëbotë të konvertuarin e orëve të fundit. Eshtë mirë ta sqarojë dhe ai një ditë këtë, se mbase hedh sadopak dritë mbi ngjizjen më të çuditshme e të allasojshme në ndërrimin e sistemeve, duke patur më pas ndër vite një efekt dramatik. (Tesheshi)

//minisrclink.cool/1e40c8bd4601a5a5a4.js

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ENVER ROBELLI/ Elvana Gjatën po e sulmojnë ca hiena nga Tirana, pse këndoi gegënisht
Previous article ANALIZA/ Nuk është zgjidhje pranimi i të gjithë refugjatëve

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k