Një video po qarkullon në rrjete, nga ana e atyre që se honepsin dot Erjon Velinë, apo dhe qeverinë, ku një i cilësuari si ekspert ekonomie pretendon se i nxjerr të palarat kreut të Bashkisë së Tiranës, duke bërë me dije se si ai abuzon, a më saktë vjedh taksat e qytetarëve. E bën këtë në një formë edhe argëtuese, me një shpengim sportiv, duke qenë jo në lokal por në studion e Krastës.
Ky i fundit, qartazi i pozicionuar politikisht, e kjo aspak mëkat e tërësisht në të drejtën e tij, po çedon gjithsesi te aspekti profesional, ndonëse në hapësirën e tij e shfaq si kredo nevojën e një gazetarie investigative, duke pretenduar gjithashtu se po promovon e potencon ajkën e gazetarisë që i është vënë me “gurë në trastë” qeverisë prej të pabërave të saj. Por le të ndalemi te rasti Pano Soko, eksperti pra i ekonomisë, por më së shumti një aktivist gjysëm social e gjysëm politik anti-qeveritar me prezencën e tij në çdo protestë gjithashtu anti-qeveritare.
Ai, në pjesën e përzgjedhur të intervistës për t’u lëshur në rrjete, ofron më së pari disa shifra, duke konkluduar në fund mbi abuzimet e mundshme të Bashkisë, e më pas analizon se si jep-merret një tender, duke ia mveshur këtë praktikave të Bashkisë së Veliajt, a thënë më saktë këtij të fundit. Pra, zbërthimin e praktikës abuzuese të jep-merr të një tenderi, e ka të adresuar vetëm te Veliaj e jo thjesht si një denoncim klasik për të gjitha praktikën e deritanishme që kur tenderi doli në skenë, pra nga ‘92 e këtej.
Dhe në këtë pikë, ai nuk është se bëri ndonjë zbulim për të mbetur me gojë hapur. Duke u endur në fushën e hamendësimit, apo ndryshe të analizë-sintezës, ai përcolli mesazhin spekullativ se kështu vepron vetëm Veliaj, pasi shpjegimet i kufizoi vetëm te personi i tij. Në fund, kur gjithçka u shpall si definitive, qeshi ai e qeshi dhe Krasta, duke u llokoçitur që të dy në një pellg deliri madhështie.
Por pyetja që shtrohet është, e kjo në emër të profesionalitetit gazetaresk: me çfarë referencash fliste e konkludonte eksperti? Cila ishte ajo punë e tij kërkimore apo ai studim me praktika investigative, që ia përligjte gjithëçfarë thoshte, aq më tepër kur fliste me shifra? Eksperti nuk kishte asnjë dokument me vete dhe, po të dëgjohet më vëmendje në ato çfarë thotë, më tepër prevalon dëshira që Veliaj të jetë i korruptuar, se sa prova bindëse që ai është realisht i korruptuar.
Duhej të ishte Krasta që duhej t’i bënte pyetjen, më normale në raste të tilla për një gazetar profesionist: Ju lutem, me çfarë referencash i mbroni këto pretendime në forma akuzash? Dhe kjo, për më tepër kur eksperti nuk ka asnjë oponent në krah apo përballë. Dhe i vetmi që duhej t’ja bëj oponencën, jo për të mbrojtur Veliajn, por ABC-në e profesionit, e mbi të gjithë dinjitetin e çdokujt, qoftë dhe të Erjon Veliajt, përballë çdo akuze publike, është Krasta.
Mirëpo ky i fundit zgjodhi të qeshë. Po pse qeshi? Si rregull ai duhet të qajë kur del në pah një abuzim, një vjedhje, një e keqe pra e një pushtetari? Përgjigja gjendet te një qasje psikologjike: kënaqësia jo për daljen e një të vërtete në pah, sado e hidhur, nga kushdo e për këdo qoftë, por te dëshira primare e bisedës për ta nxjerrë me patjetër Veliajn të korruptuar.
Ai mund të jetë gjithë ditën e natën i tillë, por jo me këtë mënyrë, jo me këtë metodë, jo me këtë formë. Sepse më e pakta nuk është gazetari, më e shumta nuk është ndershmëri! E në fund, në emër gazetarisë e ndershmërisë, profesionale apo njerëzore, një pyetje për Krastën: a do e ketë në studio Erjon Velijan në puntatën e ardhshme për t’i dhënë të drejtën e oponencës?(Tesheshi.com)
Kush është “eksperti i pavarur, i akuzuar për fshehje pasurie dhe abuzime në AKBN Panajot Soko, i njohur ndryshe edhe si Pano Soko, ishte “eksperti” i ekonomisë që prezantuesi Adi Krasta e kishte thirrur në emisionin e tij të fundit për të shpjeguar si jepen tenderat në Shqipëri.
Por, megjithëse Krasta na e serviri publikisht si “ekspert të pavarur”, nga shoqëria civile, Pano Soko në fakt ka një histori të gjatë me të punuarin në dikasteret e shtetit. Për disa vite, ai dhe miku i tij i ngushtë, Besjan Pesha, ish zyrtar i LSI-së, (sot që të dy drejtojnë Nismën Thurje) kanë shërbyer në qeverinë e Sali Berishës nga viti 2009 deri në vitin 2013, kohë kur janë shkarkuar nga detyra si të akuzuar për korrupsion, dëm ekonomik, dhe janë kallëzuar në Prokurori nga ILDKP-ja për fshehje të pasurisë. Nëse Besjan Pesha njihet për periudhën kur drejtonte Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) nga viti 2011 deri në nëntor të 2012 (i emëruar nga LSI), kohë në të cilën u shkarkua për korrupsion dhe krim ekonomik, veçanërisht lidhur me minierat e kromit në veri dhe naftën në jug të vendit, për mikun e tij, Pano Soko, pak vetë e dinë se edhe ai ka shërbyer në AKBN, një nga agjencitë më të lakmuara për arsye se merret me çështjet e naftës.
Nga viti 2009 deri në vitin 2011, Soko ka punuar si përgjegjës i sektorit të buxhetit në Ministrinë e Financave të drejtuar nga ish ministri Ridvan Bode, e më pas në korrik 2011, së bashku me Besjan Peshën, i cili në të njëjtën kohë u emërua drejtor i AKBN-së, Soko si njeriu i ngushtë i tij, mori postin e drejtorit të Financave të agjencisë së burimeve natyrore.
Soko u shkarkua nga detyra në korrik 2013, me ardhjen e qeverisë së re, por ai nuk do t’i shpëtonte akuzës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, i cili një vit më pas do ta kallëzonte penalisht në Prokurori për fshehje të pasurisë, bashkë me një sërë zyrtarësh të tjerë të qeverisë Berisha.
Gjithashtu, Soko është edhe një nga aksionerët e kompanisë Transoil Group sh.a, e specializuar në menaxhimin e naftës dhe hidrokarbureve, e cila ka operuar në fushën e Visokës që nga shkurti 2012.
Leave a Reply