Polonia e mbështet zgjerimin e BE-së. Kjo është një nga politikat më të fuqishme dhe më të suksesshme të Bashkimit Evropian. Zgjerimi inkurajon stabilitetin politik afatgjatë, zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet që aspirojnë të bashkohen me BE-në.
Ne vetë e kemi këtë përvojë pozitive. Polonia ka përshkruar një rrugë të gjatë nga komunizmi në demokraci dhe nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e lirë të tregut. Duhet t’ju kujtojmë se pranimi në BE nuk ishte një proces i lehtë. Shteti, shoqëria, sipërmarrësit, fermerët, organizatat joqeveritare u përfshinë në proceset e para-pranimit dhe ata të gjithë së bashku bënë një përpjekje të madhe, duke e çuar kështu vendin në një anëtarësim të suksesshëm në BE.
Politika e zgjerimit është një proces politik dhe teknik. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për ndryshimin e jetës së njerëzve me mbështetjet më të mira për reformat, modernizimin, qeverisjen e mirë, përshtatjen e ekonomive dhe njerëzve.
Ndryshimet presin që të zbatohen në fusha të ndryshme, si: sundimi i ligjit, drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar, forcimi i institucioneve demokratike, liria e medias, reforma e administratës publike, si dhe zhvillimi ekonomik dhe konkurrimi i lirë.
Zgjerimi është një rrugë dykalimshe. Avancimi në proces ecën krah për krah me reformat e nevojshme. Ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në zbatimin e reformave kyçe. Po ashtu, jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë gjatë gjithë këtij procesi, duke ndarë me ju të gjithë përvojën tonë.
Ekziston një moment në politikën e zgjerimit të sjellë nga strategjia e Ballkanit Perëndimor dhe paketa e zgjerimit e përcjellë nga Komisioni më 17 prill. (…) Viti 2025 është i përcaktuar si cak për strategjinë e vendeve që janë më para me realizimin e reformave dhe potencialisht edhe vendeve të tjera. Në këtë logjikë, vendosja e një date konkrete luan një rol pozitiv, ajo krijon perspektivë të caktuar dhe mobilizon për të ndjekur reforma të mëtejshme.
Ne shpresojmë shumë që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë të fillojnë këtë vit. Në këtë vit, pra në 2018-ën, ne duhet t’i japim një nxitje procesit të integrimit. Nëse e humbasim këtë shans, dritarja e mundësisë mund të mbyllet.
Ne duhet të përqendrohemi në ndërtimin e urave të vërteta midis vendeve tona, të tilla si dyfishimi i fondeve në kuadrin e programit Erasmus +, ose nisja e një projekti pilot në fushën e mobilitetit në arsim dhe aftësimin profesional.
Strategjia e Komisionit, e publikuar në shkurt të këtij viti u kushton shumë vëmendje të rinjve. Në të vërtetë, të rinjtë kanë sot një rol kyç sa duhet për t’u luajtur në procesin e zgjerimit. Energjia, hapja dhe kreativiteti i tyre është ajo që ka nevojë sot realisht Evropa.
Projektet e lidhjes në transport dhe energji janë të domosdoshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Ne kemi nevojë për më shumë autostrada dhe linja hekurudhore, tubacione dhe broadband (rrjetet kibernetike) për të sjellë më afër shoqëritë e të gjithë rajonit. Por lidhja ka gjithashtu edhe një dimension njerëzor; bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe pajtimi janë me rëndësi të madhe.
Iniciativat ekonomike, duke përfshirë Planin e Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale të miratuar në samitin e Triestes të Procesit të Berlinit, janë vendimtare për integrimin dhe zhvillimin e infrastrukturës brenda vetë Axhendës së Lidhshmërisë.
Lidhshmëria është gjithashtu ndër qëllimet kryesore të Iniciativës ‘Three Seas’ – një projekt që synon përmirësimin e ndjeshëm të lidhjeve ekonomike, energjetike dhe transportit midis vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore të vendosura ndërmjet Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi. Pasi të arrihet kjo, me siguri lidhjet do të inkurajojnë ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse dhe të BE-së si një e tërë. Aktualisht ka 12 vende të rajonit që i përkasin kësaj iniciative. Nëse Shqipëria do të bashkohet me BE-në, ajo mund të bashkohet me iniciativën ‘Three Seas’ dhe të përfitojë nga projektet e zbatuara si pjesë e saj.
Kërcënimet si krimi i organizuar apo terrorizmi nuk njohin kufij, siguria e brendshme dhe e jashtme është e ndërthurur. Bashkëpunimi i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në çështjet e sigurisë dhe migracionit është sot gjithnjë e më shumë i domosdoshëm. Dhe, Strategjia e Komisionit ofron një bazë shumë të mirë për këtë bashkëpunim.
Shqipëria është tashmë aleati ynë në NATO – formati më i rëndësishëm i sigurisë për Poloninë. Në këtë kontekst, ne mbështesim aspiratat euroatlantike të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e rëndësishme të përfshihet në programet e partneritetit të NATO-s. Rruga e Polonisë ndaj strukturave euroatlantike filloi gjithashtu nga programet e partneritetit me NATO-n, nëpërmjet anëtarësimit të plotë në NATO në vitin 1999, duke kulmuar pastaj me anëtarësimin në BE në 2004.
Ne vlerësojmë plotësisht faktin se Shqipëria përputhet me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Anëtarësimi nënkupton gjithashtu edhe mbështetjen e politikave të BE-së.
Projekti kryesor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë është Akademia e Zgjerimit për zyrtarët e gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sesioni i tij i ardhshëm është planifikuar të mbahet në shtator të vitit 2018 në Varshavë. Qëllimi i këtij programi ndërdisiplinor për një javë është të ndajmë praktikat tona më të mira dhe të sigurojmë një hapësirë të rrjetëzimit për nëpunësit civilë nga të gjitha vendet e rajonit.
Ne organizojmë gjithashtu konferenca dypalëshe vjetore – Konferenca e Shkupit; Konferenca e Beogradit dhe po ashtu realizuam më 7 maj – Konferenca e Tiranës. Ky forum dypalësh i konsultimeve të nëpunësve civilë ofroi një mundësi unike për të ndarë me ju përvojën polake nga periudha e para-pranimit në BE, kur ne po zbatonim reformat e nevojshme, që juve jeni angazhuar sot. Unë besoj se ky format i bashkëpunimit në nivel ekspertësh do të ndihmojë shtetin tuaj të vazhdojë me procesin e negociatave.
Polonia është e ftuar në Samitin e Londrës të Procesit të Berlinit. Në vitin 2019 do të organizojmë një samit në Poloni. Sipas mendimit tonë, Procesi i Berlinit luan një rol vendimtar në afrimin e ekonomive dhe shoqërive dhe nxitjen e reformave. Polonia e vlerëson fokusin e saj në lidhjen, si dhe këtë format të gjithanshëm dhe shumëpalësh.
Megjithatë, Procesi i Berlinit nuk mund të interpretohet si një alternativë ndaj politikës së zgjerimit, por një plotësim i veprimtarisë së Komisionit.
Ne jemi thellësisht të bindur se të gjitha vendet evropiane meritojnë të përfshihen në projektin e integrimit. Pjesëmarrja e tyre do të pasurojë më tej shumëllojshmërinë kulturore të BE-së, që konsiderohet si e çmuar.
Zgjerimi është një proces dyanësh: ekzistojnë kushte dhe reforma që duhet të përmbushin vendet që aspirojnë dhe ka gatishmëri për të mirëpritur anëtarët e rinj, që BE duhet të sjellë me propozimet e veta.
Nëse këto kushte do të plotësohen, zgjerimi e bën Evropën më të fortë. Kjo është arsyeja pse unë po e pres me padurim për ditën kur ne do e kemi në gjirin tonë Shqipërinë dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor në BE.
*Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Polonisë në Shqipëri



Leave a Reply