• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 10th, 2026
  • HOME
AMARILDO PREGAPUCA/ Na munde Enver, na munde…
Home
Blog

AMARILDO PREGAPUCA/ Na munde Enver, na munde…

August 31st, 2020 F.autor Blog 0 comments

Jam ai djali rebel i Tiranës, ai që flokët kërkonte t’i mbante të gjata, që vishte xhinse kauboj dhe dëgjonte Beatles, Queen, Deep Purple, Scorpions. Jam ai djali që emrin s’e kisha Muharrem, Beqir, Mahmut, Qirjako, pavarësisht se babën ma quanin Eqerem.

Jam ai djali që ironikisht përdorte epitetin “tirons” për të gjithë ata tip sekretarësh partie që “Mirmëngjes” t’u thoshe “Të na rrojë partia” të përgjigjeshin me dialekte gjithfarësh, teksa të binte rasti të ndesheshe me ta nëpër ndërmarrje apo lagje të Tiranës, në universitete apo në xhiron e madhe, qethur kinezçe dhe me ecje “rruli” (epitet ky për ushtaret e rinj), e që nuk ngurronin të të kritikonin “shfaqjet e huaja”, në publik, me zë paksa të lartë, që të ishin të sigurt që edhe muret dëgjonin. Kanë qenë të neveritshëm!

Unë jam ai djali që nënqeshja sa herë dilje në tribuna rrethuar nga turma të ekzaltuara.

Të kam urryer Enver, të kam urryer.

Si një i ri që donte të ish i lirë. I lirë të blinte një makinë, i lire të paguhej aq mirë sa në vendet perëndimore; si unë dhe të gjithë të tjerët.

I lirë të këndonte këngët e grupeve më të dëgjuara të kohës, i lirë të bënte ç’të donte: i lirë të shikoja me shumë drita shumëngjyrëshe në Tiranë, më shumë ndërtesa moderne, veshje të kohës, pse jo? Edhe më shumë shalë femrash.

Ndaj, kur vdiqët ju, nuk derdha lot si qindra mijëra të tjerë, apo miliona. Por, u talla nën zë.

Kanë kaluar shumë vite qysh atëherë. Jam bërë prind, kam makinë dhe shtëpi, kam shumë gjëra, por edhe shumë gjëra më mungojnë.

E para, më mungon siguria për të ardhmen e punës së fëmijës, pavarësisht pagës që më duhet të paguaj për arsimimin e saj.

Më mungon siguria për jetën e saj, për veset që mund të marrë, si droga, bixhozi apo prostitucioni, nga nevoja për të jetuar, në pamundësi të gjetjes së një pune që t’i sigurojë jetesën.

E dyta, më mungon siguria për punën. Më duhet të laj kreditë bankare për borxhet që kam marrë, por kam frikën edhe të shëndetit.

Nëse sëmurem më duhen para: para për sëmundjen, para për edukimin e fëmijës, para për jetesë. Ndaj më duhet të bëj llogarinë se cila kushton më pak: shërimi im, apo vdekja ime, pa marrë mjekime.

E treta, më mungon siguria në rrugë: mund të bëhem pre e ndonjë krimi, e ndonjë krimineli. Ky i fundit mund të jetë edhe një prind si unë, që ka humbur punën, apo një i ri që ka mbaruar shkollën. Apo, akoma më keq: një njeri që ka humb shpresën tek e ardhmja.

E katërta, më mungojnë shokët, kushërinjtë, komshinjtë. Të gjithë kanë ndryshuar, janë bërë si ujqër. Çuditërisht kam dëgjuar se edhe ata këtë mendim kanë për mua.

Më mungon Shqipëria. Ajo Shqipëri e bukur, e lulëzuar me pyje dhe lumenj të kristaltë, që tashmë duket e ndotur, e qethur, e rruar dhe e kafshuar kudo, me dhembë të deformuar betoni.

Më mungon Tirana. E rregullt, me parqe dhe hapësira ku fëmijët loznin para pallateve. Vendin e tyre e kanë zënë ndërtesa shumëkatëshe që ndërthuren me njëra-tjetrën si në një orgji nga ku lindin njerëz të zymtë dhe të shpërfytyruar, me mendjen për të ikur diku larg, larg nga aty.

Më mungon drejtësia. Të paudhët shitën gjithçka, vodhën gjithçka, dhe sot quhen politikanë, ose VIP-a. Dhe, femrat gjysme të zhveshura që mbajnë mikrofonin si penis në dorë, po, VIP-a quhen.

Dhe, gazetarët – shërbëtorë besnikë të kujtdo që paguan, pavarësisht çmimit që sjellin në jete njerëzish si rrjedhojë e asaj që shkruajnë, quhen VIP-a.

Ka qindra organizata në mbrojtje të femrave, kundër dhunës ndaj tyre apo fëmijëve, luftës kundër drogës, bixhozit. Eh, sa shumë organizata që ka! E di, dikur s’i kemi pasur këto organizata. Por, as problemet.

Më munde Enver, më munde! Dhe, sa herë të shikoj në foto duke qeshur, më duket sikur më tall mua, brezin tim, sikur na ironizon dhe më dhemb shumë. Do të doja të të mundja, të bënim një Shqipëri më të mirë, më të bukur, më të jetueshme se ajo që na le ti, për t’ua lënë fëmijëve tanë.

Dhe, kështu të vija pranë varrit tënd dhe të të thosha:

Të munda Enver, të munda…

Thjesht pra ka ardhur koha te themi:

Na fal Enver…

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Të mundësh Edi Ramën në Mal të Zi…
Previous article MERO BAZE/ “Poseidoni” ynë që na mbron nga detet dhe tërmetet

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k