Nga Altin Ketro
Çdo 5 maj, në varrezat e dëshmorëve të Atdheut në Tiranë, përkujtohet dita e të rënëve për liri gjatë Luftës së II-të Botërore. Gjatë viteve të demokracisë në ato varreza u shtuan edhe një sërë dëshmorësh që nuk kishin lidhje me atë luftë, por që në rrethana të tjera u vranë gjatë regjimit komunist apo gjatë viteve të demokracisë.
Në krah të monumentit Nënë Shqipëri, aty ku dikur ishte varri i Enver Hoxhës dhe një sërë figurash të larta të Partisë Komuniste, sot është një mini lëndinë ku prehen eshtrat e dy të rënëve: Qemal Stafës dhe Azem Hajdarit. Dita e vrasjes së të parit personifikon si simbolikë gjithë dëshmorët e tjerë të çdo kohe, përfshi dhe të të dytit.
Të dy ata prehen në qendër të varrezave, ngjitur me monumentin Nënë Shqipëri. Por, ndërsa varri i Azemit është fare pranë monumentit, ai i Qemalit është në fund fare. Një kontrast aspak serioz duke qenë se ato varreza simbolizojnë më së shumti gjakun dhe sakrificën e rinisë në luftën kundër pushtuesit nazi-fashist.
Por simbolika e këtyre të dyve merr përmasa shumë interesante, sepse kanë diçka të përbashkët. Përkundër dyshimeve se Qemal Stafa u tradhëtua nga B. Minxhozi a K. Themelko, gjatë viteve të demokracisë u përfol se ai u tradhëtua prej vete Enver Hoxhës për shkak se kishte ambicie për t’u zgjedhur sekretar i përgjithshëm i PKSH-së, detyrë që e synonte edhe vetë Enveri. Rreziku i kësaj sfide nuk mund të mohohet dhe, nisur nga eleminimi më pas i shumë bashkëluftëtarëve, pavarësisht mungesës së bazës dokumentare, dyshime do të ketë.
Por nëse për rastin e vrasjes së Qemal Stafës dhe spiunëve të tij hipotezat mbeten, për rastin e Azem Hajdarit nuk ka asnjë ekuivok se cilët ishin autorët që e nxorrën në pritë. Ai grup gjakësish që kishin shkuar pranë selisë së PD-së për të sqaruar me liderin legjendar vrasjen e njërit prej vëllezërve të tyre, u përball befas me liderin e Dhjetorit në një situatë të papritur. Sepse lideri legjendar kishte marrë informacion paraprak se cilët po e prisnin poshtë dhe nuk e mori fare mundimin të telefonojë policinë, por nxorri enkas Azemin për t’a sqaruar ai çështjen personalisht.
Revolver kishte në dorë Qemali atë 5 maj kur u përball me karabinierët italianë në tentativë për t’u larguar nga baza ku strehohej. Me revole me silenciator në dorë doli nga selia e PD-së Azem Hajdari për t’u përballur me vrasësit sipas parimit: o ju vrava, o më vrisni. Ashtu si Qemali, edhe Azemi dha jetën me armë në dorë. Nuk e dimë a u gëzua Enveri kur mori vesh vrasjen e Qemalit, të cilën e përdori për të ngritur peshë zemrat idealiste të rinisë për t’u ngritur në luftë ndaj pushtuesit, por dimë që lideri legjendar u ngazëllye sepse përveçse hoqi qafe një sfidant të fortë për postin që mbante, vrasja e tij ishte një bazë shumë e mirë për të ngritur peshë zemrat e demokratëve për një revolucion që do sillte përmbysjen e kundërshtarëve politikë.
Enver Hoxha, për vite e vite me rradhë e nderonte çdo 5 maj bashkëluftëtarin e vet duke i bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve. Të njëjtën gjë po bën edhe lideri legjendar, po çdo 5 maj, tek varri i Azemit. Prandaj, qenie e tyre pranë e pranë e të veçuar nga të tjerët dhe nderimi që i bën sot lideri legjendar atij që e nxorri vetë në pritë, flet shumë. Si ato fotografitë e qarta që s’kanë nevojë për mijëra fjalë për t’u shpjeguar.
Leave a Reply