Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duket sikur e ka kthyer në qëllim në vetvete protestën e planifikuar të datës 27 maj që do të mbahet në Tiranë. Frika se ajo mund të dështonte e ka detyruar që të marrë rrugët e Shqipërisë për të frymëzuar elektoratin e djathtë që të vijë në Tiranë. Kjo duket si një përpjekje e sforcuar, sepse një lider me mbështetje mbarëpopullore nuk ka nevojë që të lypë njerëz qytet më qytet, por do mjaftonte një thirrje e tij publike për datën dhe orën e protestës, që njerëzit të vinin ngado anembanë Shqipërisë e të dyndeshin në Tiranë. Më së shumti, këto takime nëpër qytete ngjasojnë si një lloj fushate elektorale me tone partizane, si për t’i hequr merakun vetes se pse u tregua i qullët në fushatën elektorale të 25 qershorit të kaluar.
Sa më shumë afrohet data e protestës, aq më shumë rritet tonaliteti, por jo forca e argumentit që mbetet e njëjtë si ajo me të cilën edhe humbi zgjedhjet. Ajo që ia vlen të analizohet është se Lulzim Basha po përpiqet të mbjellë në popull idenë idiote se kryeministri Rama bie në 27 janar. Kësaj ideje i mëshon edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Çdo artikulim publik i kësaj dysheje, që kanë rigjetur veten, por edhe pjesë të kupolave drejtuese në partitë respektive, përfshi këtu edhe shtypin partiak të këtyre partive, kanë një dozë lufte në artikulime dhe deklarata.
Të jetë kaq e thjeshtë që të rrëzosh një qeveri kur ende nuk i ka mbushur 5 muaj në pushtet (shtatori 2017 konsiderohet start i ri pas zgjedhjeve), i bie që Berisha duhet të kish rënë me kohë e me vakt nga pushteti qysh nga ngjarja e Gërdecit, për të mos folur për të tjerat më pas.
Për ironi të fatit shumë ndodhi në skenën politike shqiptare përsëriten, edhe kur aktorët politikë janë në krahë të kundërt. Dikur, kur Rama si lider opozite mblidhte njerëzit përpara kryeministrisë për të rrëzuar Berishën, ishte ky i fundit që deklaronte orë e çast që s’ka lind ai burrë nëne që e largon nga pushteti veç me votë. Dihet tashmë që ai për të mbrojtur pushtetin e vet, që i skadonte në vitin 2013, iu desh që të vriste 4 demonstrues paqësorë qysh në vitin 2011, që jo vetëm të mos rrëzohej nga pushteti në atë vit, por t’u linte të kuptonte të tjerëve që të mos guxonin t’i shkonim më poshtë dritares e ta bezdisnin me kërkesa koti si kjo e rrëzimit nga pushteti.
Ndonëse tonet e dy opozitarëve të sotëm janë luftarake, nga ana e kryeministria Rama nuk po shohim asnjë shenjë paniku të cilën, më së paku, do e kishim kuptuar po të dilte ndonjë zëdhënës e të paralajmëronte opozitën për pasojat që do kishte nëse protesta degjeneronte në dhunë. Ore, meqë ra llafi, a kanë ministritë tona zëdhënës apo jo, se po bëhen tash 5 vjet që nuk i njeh kush se cilët janë zëdhënësit e ministrave. Në kohën e qeverisë Berisha ata i kishim të përditshëm në media duke sulmuar me deklarata opozitën e kohës, aq sa disa syresh zëdhënësish, me ato dalje ku veç lexonin si papagaj se çfarë u ishte shkruar, bënë edhe karrierë politike. Aq shumë u popullarizuan prej atyre të ashtuquajturave “konferenca shtypi”.
Po, le të rikthehemi te argumenti i shkrimit, tek gjuha luftarake që po përdor opozita. Konstatohet se ndonëse jemi tri ditë larg protestës, nuk kemi dëgjuar ende ndonjë artikulim publik nga Kryetari i Shtetit. Për rolin që ka dhe detyrën që përfaqëson, i takon të deklarohet se fton opozitën të mos tejkalojë të drejtën për të protestuar, me marrëzinë për të sulmuar godinat qeveritare. Ato godina që dikur i qeveriste Berisha, sot Rama e nesër kush e di se kush. Basha nuk ma bën dora ta shkruaj sepse është kaq i paaftë, mediokër e dritëshkurtër, saqë të vjen e përzierë në bark vetëm ta mendosh si mundësi që ai të drejtojë ekzekutivin.
Dyshoj se presidenti është në një dilemë të madhe këto ditë. Të mos prononcohet do të thotë se bëhet konformist me tonet luftarake të Monikës, të prononcohet do duket si hipokrit. Prandaj në krye të herës u duk që ai ka konflikt interesi kur e shoqja mori frerët e LSI-së, pasi është i paragjykuar në paanshmërinë politike që duhet të përfaqësoje Kryetari i Shtetit si përfaqësues i unitetit të popullit.
Gjithsesi, është e drejtë e Presidentit se si do të pozicionohet, pavarësisht se çifti politiko- presidencial kërkon t’u hedhë hi syve njerëzve teksa përpiqen të thonë herë pas here se nuk konsultohet kurrë me njëri tjetrit tek oxhaku i shtëpisë!!!
Në këtë Shqipërinë tonë hallemadhe ka shumë gjëra për të protestuar e për të kërkuar të drejta të mohuara e të munguara. Por, ka pasur me bollëk edhe liri të tepruar që është keqkuptuar si një liri që buron nga mendimi se çdokush ka të drejtë të bëjë si të dojë si një kalë pa frena i lëshuar në lëndinë. Sekush politikan ka kusuret e veta, për mirë a për keq, pasi tranzicioni i gjatë nuk i lejoi as ata që të bëhen pjesë e rregullave dhe ligjeve. Po ama, janë disa specie politikanësh që janë mishërim i antiligjit; që kanë qeverisur me vite të tëra, direk ose indirekt, që kanë pasur pushtet mbi këtë vend; që kanë përfituar të mira materiale, pasuri të tundshme e të patundshme, që kanë bërë zullume dhe i kanë mbyllur me procedurë, që kanë bërë tradhti, përgjegjës për krime politike, etj., etj., pafundësi shkeljesh, që nuk janë larguar nga politika as si e drejtë morale, lëre më pastaj si penale.
E pra, ky soj politikanësh vijnë sot e u bëjnë thirrje njerëzve që të ngrihen në protestë. Protesta është e drejtë universale e njerëzve të lirë, por jo e organizatorëve të kriminalizuar. Të pandëshkuarit e djeshëm vijojnë avazin e të vetëquajturit si të pastër, kur ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj. Dhe, tashmë që drejtësia e re po konturohet dhe po merr formën përfundimtare përpara hapit final që do të jetë pastrimi i pallatit të drejtësisë nga të korruptuarit, këta organizatorë të pandëshkuar kërkojnë të krijojnë tensione politike artificiale me shpresën se do të vonojnë proceset dhe etapat.
Fatmirësisht, syleshësia e përfaqësuesve të tyre gjatë Reformës në Drejtësi, nuk e kapi hallkën çliruese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Sot ky institucion po merr frymë lirisht dhe po avancon në reformat e veta strukturore. Edhe nga fronti i integrimit shenjat janë inkurajuese. Ndonëse kjo opozitë po tregon ngutje të tepruar për të ardhur në pushtet nga rruga, nuk do mund të bëhet dot pengesë as për zbatimin e Reformës në Drejtësi e as për integrimin evropian të Shqipërisë.
Sado njerëz të dëshpëruar të mbledhë opozita, askush nuk mund ta mohojë se kemi çerek shekulli në këtë gjendje. E për këtë kanë përgjegjësi edhe opozitarët Lulzim e Monika; edhe prapavija në hije Sali e Ilir. Edhe Rama i 5 viteve të fundit po të doni. Ama, ju lutem, boll më me moral jo të pamoralshëm politikanë që njerëzit i keni si mish për top. Që, kur jeni në pushtet i vrisni për të mbrojtur institucionet, e kur jeni në opozitë i nxisni t’i sulmojnë ato. Hipokritë të pështirë!
Leave a Reply